30.03.2015

Brenga të një përditshmërie, gazeta SOT

Gruaja është Njeriu më i mirë

Në asnjë fushë të delikteve gratë nuk ia kalojnë burrave. 82 % e veprave penale në Gjermani i bëjnë burrat. Në mars të vitit 2000 nga 68.000 të burgosur, ishin vetëm katër për qind gra. Gratë pas dënimit të parë, nuk bëhen përsëri kriminele...Në çdo qytet të Gjermanisë gjendet një Shtëpi  e Grave, ku struken ato nga dhuna e burrave. Vetëm në Berlin është një shtëpi, ku burrat strehohen nga frika. Gratë janë Njerëz më të moralshëm, me më shumë dinjitet se burrat. Liria dhe barazia e gruas rrit lumturinë e një kombi.

Pra Gruaja është Njeriu më i mirë, gëzohu! Janë gjyshet, nënat, gratë, motrat dhe çikat tona...

Gratë adhurojnë fjalën.
Burrat adhurojnë imazhet.
Fjalët prodhojnë imazhe, imazhet prodhojnë fjalë.


Burri ka qenë gjithmonë gjuetar. Edhe kur pushton gruan, e bën nga instinkti i gjuetisë. Nëse gruaja i nënshtrohet tërësisht, gjuetari humb kujdesin dhe vëmendjen. Ai nuk është ngashënjyer kurrë nga lepuri i cofur.

Nëse çdo ditë u themi atyre që i duam një fjalë të mirë, në fund të vitit do të kemi falur 365 çaste të këndshme, 365 mirënjohje dhe 365 mburrje pse na kanë pranë vetes.

Kafsha ka instinkt për t' u shumuar kafshërisht. Njeriu ka mendje: mendje për të gjykuar njerëzisht, mendje për të planifikuar pushtimin, mendje për të rënë në dashuri si njeri, dhe epsh për t' u shumuar si pasojë logjike e dashurisë shkaktuar nga mendja. Shumimi pa dashuri është shumim instiktiv shoqëruar me trauma...

Një fenomen nuk kam kuptuar kurrë: shumë burra shqiptarë mplaken, por nuk rriten kurrë.
Ata edhe të rritur, varen nga bashkëshortja, mu ashtu si kanë qenë të varur nga nëna kur ishin foshnje. Kur ta kuptojnë se bashkëshortja nuk është nënë e bashkëshortit, mund të konstatojmë se kuptuan dashurinë.

M' i kanë ngatërruar parimet për jetën, konceptet për lirinë dhe idetë për ardhmërinë aq shumë, sa nuk kam më asnjë shpresë. Në Kosovë nuk do të kisha votuar asnjë lider partie. Më me dëshirë do t' i shihja të gjithë para një gjykate për kriminalitet ekonomik dhe shpërdorim detyre. Kosova në fakt ka më shumë personalitete, që meritojnë të jenë në burg, se sa jashtë tij.

Kur kemi probleme me një njeri, nuk kemi pse kemi merituar një keqtrajtim psikik, por se ai person ka probleme me vetveten dhe ekuilibrin e vet shpirtëror. Atë ngarkesë emocionale plot tërbim, përpiqet ta shkarkojë tek viktima që ka pranë vete. Zonisht kundër më të dobëtin në shtëpi...

Një proverb italian thotë: nuk është e bukur ajo që është e bukur, por e bukur është ajo që na pëlqen. Gjermanët thonë: bukuria gjendet në sytë e vështruesit. Po e vazhdoj në këtë stil: nuk është i mirë ai religjion që është i mirë, por ai të cilin e besojmë vet.

E mjerë dhe pa kompetenca është ajo polici, që burgosë të varfrit, por përkulet para hajnave të mëdhenj. Prokurorët më mirë të përjashtohen nga puna, sepse ata janë vetëm vështrues si Buda i mermertë dhe nuk kryejnë detyrën për çfarë paguhen.

Turp është të jesh Ministër i Drejtësisë, por të bashkëjetosh me korrupsionin më të madh në Europë; me mafien e pa penguar; me profesorë të pa burgosur me doktoratura të vjedhura; me kolegë politikanë në pozita, që kanë vjedhur miliona dhe me predikues të moralit, që rekrutojnë njerëz.

Unë, Ti, ai, ajo, mund të mbijetojmë edhe nëse nuk i besojmë zotit.
Nëse, unë, Ti, ai dhe ajo nuk i besojnë zotit, zoti nuk mund të mbijetojë.

Do të më kishte ardhur turp të shfaqem në tv aq bukur i veshur. Do të më kishte ardhur turp të mburrem me atë pozitë. Do të kisha mbetur pa gjumë ditë e natë të shihja se populli në mënyrë masive emigron. Do t' isha skuqur para kolegëve perëndimor me makinën time si të tyre dhe rrogën time, sa të 20 apo më shumë pensionistëve. Do ta kisha quajtur veten shërbëtor të popullit, jo kryeministër e ministër e deputet. Nëse nuk do të kisha përmirësuar gjendjen ekonomike brenda mandatit, do t' isha tërhequr për gjithmonë nga politika i turpëruar deri në palcë dhe i gjunjëzuar, do t' i kisha kërkuar ndjesë popullit për paaftësitë e mia, për iluzionet e shkaktuar dhe për mashtrimin e realizuar...

Lutfi Haziri paska ndërmend të bëhet kryetar i LDK-së. Nëse bëhet, atëherë le të përgatisin një pllakë varri dhe shënojnë epitafin: “Këtu pushon LDK. E themeluar nga intelektual të mëdhenj, e varrosur nga një biolog i vogël...

Papa Vojtila pat përkrahur çështjen shqiptare dhe mbështetur Rugovën.
Papa Françesko, si i pari udhëheqës shpirtëror i më shumë se një miliard besimtarëve katolik, përmend kulturën e tolerancës shqiptare dhe ia rekomandon botës si model për t' i shmangur luftërat fetare. Mirëpo tani kemi edhe shumë veta që punojnë në rrënimin e kësaj harmonie. Supozohet nga vijnë motivimet, supozohen burimet, por shtetet shqiptare nuk kanë arritur të krijojnë rregull dhe demokracitë tona i ngjajnë anarkive. Shtetet tona jetojnë me krimin, me korrupsionin, me pozita e doktoratura të blera dhe me radikalizmin fetar. Nga kjo anarki, përfiton vetëm Serbia. Kosova sillet me shtetin e vet, me më pak respekt se sa me shtetin e RF të Jugosllavisë.

Edi Rama po vepron: dogji kanabisin që qe trashëguar nga plantazhet e toleruar nga Berisha, mbylli Bazarfakultetet, të toleruar nga Berisha, ku bliheshin diploma, na prezantoi si duhet në Beograd, Paris dhe shpresojmë se vazhdon në ndërtimin e shtetit ligjor.

Deputetët shqiptarë, ministrat shqiptarë, liderët e partive, kryeministrat shqiptarë, nuk respektojnë rregullat e drejtshkrimit, edhe pse kjo mundësi sot ekziston. Ata sillen ndaj gjuhës shqipe, siç sillen rrugaçët ndaj Kodit Penal: me shpërfillje. Ata nuk përdorin në shkrimet e tyre as Ë, as Ç. Në Kosovë, madje ngatërrojnë edhe Ç dhe Q, Gj dhe Xh.

Si mund politika të kërkoj respektimin e ligjit nga populli, kur ata nuk respektojnë ligjet e gjuhë së vet. Nëse një Kryeministër i Perëndimit, do të shkruante me gabime, duke mos treguar asnjë respekt për gjuhën amtare, jini të bindur se do ta rrëzonte partia e vet brenda javës, pa pritur që populli të merret me të. Populli nuk është i obliguar ta shkruajë gjuhën pa gabime, por populli e pret nga ata që e udhëheqin, nga ata që i paguan me gazep, të mos jenë në nivelin e çobanëve...Se sa respekton ai popullin e vet, sa respekton ai zyrën dhe pozitën që ka, se a e ka për vete apo për popullin, tregohet tek ato pak fjali që shkruajnë në fb.

Në një kongres të ardhshëm gjuha shqipe duhet të ndryshojë së paku: emrat e huaj që shkruhen me alfabetin latin, të shkruhen si në origjinal, sepse jo vetëm një personalitet nuk do të dinte kur për të është fjala, por nëse është kriminel, nuk mund të gjendet në bankën e të dhënave. Si do ta kishte kuptuar Shakespeare, se mendonhet ai kur shkruajmë Shekspir. E dyta: kam lexuar se ishte ndikim rus në shqiptimin dhe shkrimin e Europës në Evropë. Nëse mbetet kështu, atëherë edhe termi monetar duhet ndryshuar: nga EURO, në EVRO, si sllavët. E treta duket se po imponohet vet: infinitivi. Paskajorja po përdoret gjithnjë e më shpesh dhe kjo do të detyrojë gjuhëtarët, ta përfshijnë në normëzim. E katërta: Fjalori Gjuhës Sotme Shqipe duhet të aktualizohet dhe plotësohet. Aty ka akoma shpjegime sipas botëkuptimit komunist dhe mungojnë mijëra fjalë, e për ato të botës digjitale, as të mos flasim.

Politikanët e Kosovës, që vjedhin ekonominë e Kosovës, akoma nuk kanë kuptuar se ky shtet i ri, nuk është shtet i Serbisë dhe se dëmtimi i ekonomisë kombëtare, është tradhti ndaj atdheut.

Jemi bërë gaz i botës. Gazuam: i quajmë tradhtarë liderët, pastaj u ndërtojmë përmendore. E quajmë tradhtar, pastaj e bëjmë kryeministër. I quajnë kontrabandistë, hajna, gjenden nën hetime për korrupsion, pastaj i zgjedhim deputet e ministra. Asnjë tradhtar nuk është dënuar për tradhti. Asnjë politikan nuk është dënuar për abuzim me detyrën dhe pasurimin e padrejtë. Po futen nëpër ministri mjeran, po dalin milionerë. Po futen m., po dalin m. Kështu nuk ndërtohet dhe qeveriset shteti, , ashtu janë pasuruar bosët e Mafias, Ndragetës dhe Cosa Nostras.

Populli po ikën si në kohën e Millosheviçit, sepse tani nuk sundohet nga pushtuesi, por nga njerëzit e vet, që mendojnë se ky popull ka merituar të dënohet, të vidhet pse nuk ka marrë pjesë në luftë.

Kosova po dergjet nga plagët, që ka shkaktuar vetes. Për t' u bërë Kosova shtet ligjor, pikë së pari duhet të nxjerrë në gjyq liderët e partive. Të gjithë, dhe nëse ekzistojnë dyshime të bazuara, që nuk mund të provohen, t'u ndalohet veprimtaria politike. Njerëzit e dyshimtë, me njolla, mund të bëhen kryetar nëpër klube, por jo ministra e kryeministra...Gazuam dhe do të vazhdojmë të gazojmë, si asnjë komb tjetër në Europë.

Ata që po shajnë Rugovën, atëherë le të tregojnë kush lidhi miqësinë me Francën, dikur mike e madhe serbe, me Anglinë, dikur mike e madhe serbe, me Italinë, dikur mike e madhe serbe dhe me SHBA? E lidhin këtë miqësi që çoi tek Bondsteel Enver Hoxha, Hashimi Thaçi, Sali Berisha, Ramush Haradinaj, Jakup Krasniqi apo Rexhep Qosja? Njeriu duhet të jetë objektiv edhe kur flet për armikun, aq më tepër, kur flet për një kundërshtar politik.

Qosja e ka përsëritur disa herë se Ibrahim Rugova ishte tradhtar.
Sikur të jetonte në një shtet ligjor, ai do të hidhej në gjyq nga familjarët e Rugovës dhe në rast se nuk do të dëshmonte me fakte tradhtinë e Ibrahim Rugovës, ai do t' ishte dënuar deri në tre vite burg. Qosja do ta quante delikt verbal, por demokracia nuk toleron cenimin e dinjitetit të njeriut.


Berisha nuk po e quan më Ramën: EDVIN KRISTAQ RAMA.
Nuk mund të besohet ka ndryshuar bindje, por si duket mori vesh se tek shqiptari nuk funksionon urrejtja fetare, që ai po i sugjeronte popullit. Ndoshta edhe për respektin e madh që tregon Rama për të, dmth. duke i falur krimin.

Më kishin dhuruar një gjobë se kisha kaluar për 10 minuta kohën e parkimit. Një ditë pas takova ato dy zonja, që shpërndajnë dënime dhe përsëri pranë makinës sime; kishte kohë mirëpo edhe gjysmë ore.
- Ju faleminderit për gjobën zonjë, i thashë.
Njëra më shikoi e habitur me një buzëqeshje të lehtë dhe tha:
- Po bëjmë vetëm punën tonë...
- Në dobi të shtetit?
- Pa asnjë dyshim, tha ajo. Rendi duhet respektuar.
Gëzohem zonjë, gëzohem, i thashë. Sikur edhe Shërbimet Sekrete të merrnin punën aq seriozisht sa ju dyja me shpërndarjen e gjobave, do të kishim pasur 17 veta më pak të vdekur në Paris.
Ato vetëm tundën kokën.
Ata, vazhdova unë, presin të vritet dikush për t' i ndjekur, ju mbikëqyrni qytetit më ashpër se Shërbimi Sekret. Ju llogarisni minutat e tejkaluar, fotografoni makinat, lini gjurmë pas vete, por ata që paguhen për sigurinë tonë, ata nuk shohin njerëz të armatosur që dalin në qytet për të ekzekutuar njerëz.

Ato u larguan duke folur në mes vete, unë u largova duke folur vet me vete.

----------------------------------------




Keine Kommentare: