I
pari dhe i dyti janë atdhetarë të mëdhenj, si edhe shumë të
tjerë. Duan ta ndihmojnë atdheun sa më shumë, sa më shpejtë, sa
më konkretisht, por u mungon titulli. Dëshirën e tyre të
zjarrtë plotësojnë profesorët atdhetarë, që duan atdheun si
edhe të parët: shpejt, konkretisht dhe
prodhojnë kuadro profesionale sipas kërkesës së tregut.
-
Pse nxiton ashtu pa frymë?
-
Po shkoj në Prishtinë ta marrë diplomën. Në orën dhjetë niset
autobusi.
-
Ah, qenka gati?
-
Po, po, universiteti “Hasan Prishtina”
kishte blerë letër më të lirë dhe me thanë mund ta marrë sipas
marrëveshjes paraprake. Me të shtrenjtën, më cilësoren.
-
Pse nuk u diplomove në Pejë? Aty mund ta marrësh në dorë.
-
E di, e di... Ke dëgjuar atë fjalën e
urtë: “djathi lirë, nuk është i mirë.” Pastaj
viteve të fundit kam shkuar shumë
herë në Prishtinë. Në lagje dhe familje dinë se po studioja...
-
E në cilin fakultet diplomove?
-
Në dy. Një kushtonte 2.000, dy kushtojnë 3.000 euro. Njëra për
profesor i Fizkulturës, tjetra për Gjeografi. Këto dy lëmi i kam
dashur gjithmonë. Unë kam
luajtur tërë jetën futboll. Pastaj
kam udhëtuar shumë, madje kam vizituar më shumë vende se Kristo
Kolombo...
-
Kush është ky Kristo?
-
Ai që gjoja pat zbuluar Australinë, por që Erdogani me fakte
shkencore dëshmoi se ishte gënjeshtër e Perëndimit.
-
Aha! Tash më kujtohet...
-
Ti nuk ke diplomuar akoma?
-
Natyrisht se po. Mendova gjatë
të bëhesha dentist, aty njeriu nuk mund të gabojë shumë,
e as nuk vdesin njerëzit. Nëse bën një gabim, fajëson pacientin
për mungesë higjiene: i shkul dhëmbin dhe fiton.
Kisha ndërmend të punësojë një tjetër dentist, që ka pasur
kohë të ndjekë ligjëratat dhe që ka bërë praktikën, por hoqa
dorë.
-
Nuk është keq të bëhesh edhe teolog, ka vetëm një libër për
studim dhe aq sa më shumë të bindësh njerëz, aq më shumë
fiton. Pastaj aty fiton edhe nga të gjallët, edhe nga të vdekurit.
Të thërrasin në televizor nëpër debate...Kur je doktor teolog,
ke titull më të madh se profetët. Profetët nuk kanë tituj “dr.”
-
Po, po, pata menduar edhe këtë,
por kemi një në familje me këtë titull dhe mjaftonte për lagjen
tonë.
-
E si vendose në fund?
-
Unë doktorova për globalizmin, është fushë e gjerë dhe punësimi
është më i lehtë. Me këtë titull mund të bëhem edhe
këshilltar i ndonjë politikani. Kisha ndërmend të doktoroj në
Shqipëri dhe kushton vetem 2.000 €, por që kur morën pushtetin
enveristet, mbyllën shumë universitete,
që punonin me atdhetarizëm për intelektualizimin
e kombit. Dogjën edhe kanabisin, që mund
të përdorej për medikamente. Madje, po flitet se do ta ndalojnë
edhe pronën private....
-
E bëjnë, e bëjnë ata. Kështu mendon edhe tribuni i demokracisë
Berisha. Do t' ia prishin demokracinë e fituar dhe mbrojtur me gjak
e plumb, me sakrifica mbinjerëzore...
-
Po shihet qartë!
-
Ti ke shikuar gjithmonë filma historik, pse nuk u bëre doktor i
historisë?
-
Nuk gjenë punë. Kot doktoron në histori dhe gjeografi, është si
kur blen një ushqim të skaduar. Dhjetëra nga kjo lëmi kanë
doktoruar. Babai më këshilloi këtë sepse kemi një lidhje për të
punuar në katedrën e sociologjisë. Pastaj thuhet se më këtë
titull mund të gjendet një nuse më lehtë. Me profesor i
globalizmit, je profesor i rruzullit tokësor, i të gjithëve,
tingëllon më mirë. Shiko, Hasani që
shiste patate dhe groshë në treg, mori diplomën e Fakultetit
Ekonomik për biznesin. Duhet zgjedhur një profesion, ku ke njohuri
paraprake. Ai diplomoi me temën: “Fasulja në lumturinë e
njeriut: trajtesë aplikative dhe liria dinamike e distribucionit
të gazrave.” Luani që njeh
shumë përralla dhe gazmore, doktoroi me temën: “Hasa dhe Husa,
studime komparative nën prizmin etnopsikologjik.” Profesorët e
tij e vlerësuan si disertacion me vlerë të pamatshme, të pa
peshueshme dhe të petëzueshme për ballkanologjinë dhe satirën në
botë. Tani punon në fakultetin e letërsisë.
-
Jo, për rolin historik dhe psikologjinë e tij ka doktoruar Agroni.
Tema tij ishte: „Nasradini dhe
Moliere, studim
krahasimtar. Ai kishte
sjellë fakte se Moliere
kishte kopjuar tërësisht nga Nasradinin. Ishte
vërtetë një studim mahnitës. Do të
pranohet edhe në akademi.
-
Po ai nuk pat mbaruar gjimnazin, apo jo?
-
Ai është i zoti, ti e din, ishte gjeni në shkollën fillore. I
mori për një ditë të gjitha në Pejë. E ka merituar. Kontribuoi
me disa mijëra euro për ekonominë kombëtare. Tani punon në
ambasadë. Doktoroi edhe një mik imi nga Tirana. Madje kishte pasur
një temë shumë flakaresh për komunistët: “Sakrificat e një
titani shqiptar për demokracinë: Sali
Berisha personalitet i papërsëritshëm në Rrugën e Qumështit.”
Si nëntitull kishte shënuar: “Si e zuri
Berisha komunizmin gafil dhe pisk.” Ai
kishte zbuluar madje disidencën e tij me dhjetëra prova. Sali
Berisha nga modestia nuk i ka kumtuar këto. Kishte vlerësuar nga
kënde shumë interesante dhe kontributin shumë të madh për
emancipimin e kombit, që bën ai nëpërmjet facebookut sot. Është
iluministi më i madh i të gjitha kohërave. Tërë ditë flijohet
për kombin në facebook. Pat dhënë një kontribut marramendës me
universitete private që tani Kristaqi i ka mbyllur. Nuk është çudi
nëse mbyllë edhe shkollat fillore...
-
Ky pinjoll i Satlinit e bënë...Po si kishte faktuar disidencën e
Berishës?
-
Me shumë prova, dy madje të panjohura
deri tani. E para se Sali Berisha kishte dashur t'i fundoste në
liqen me një barkë djemtë e diktatorit Enver
Hoxha. Kishte sjellë edhe fotografinë. Aty shihet Saliu i
ulur në fund të barkës me synime agresive, i rrezikshëm, me një
buzëqeshje të lehtë për të mënjanuar dyshimet, por vet ulja e
tij në fund, grimasat e fytyrës së buzëqeshur, flasin për planin
që kishte: përmbysjen e barkës. Në fund për shkaqe humane, nuk e
kishte bërë. Aty ishte edhe një grua dhe një vajzë, prandaj.
Të dytën herë kishte hyrë i armatosur në shtëpinë e Enverit
për ta vrarë. Kishin pirë kafe së bashku, por në çastin kur
kishte dashur ta ekzekutojë, Enveri kishte pëshpëritur: “ Eh,
shoku Sali, shoku Sali, armiku i klasës
punëtore nuk fle...“ dhe kishte ikur jashtë. Kjo
ishte një parandjenjë. Saliu nuk kishte arritur ta nxjerrë
revolen. Ndonjëherë një sekondë mund të ndryshojë historinë e
një vendi. Ai në
doktoraturën e tij kishte dëshmuar se
Berisha kishte pasur ndërmend ta rrëzojë diktaturën dhe
sjellë demokracinë në Shqipëri, qysh atëherë, kur Lech Walesas
nuk i njihej emri. Ai doktor i shkencave
historike tani punon në fakultet. Është ndër dijetarët më të
mëdhenj në Europë. Këshillon edhe
opozitën...
-
Pa, pah, ah, Berisha, Berisha, ky kolos i kombit! Ky është
më i madh se Skënderbeu...
-
Pa asnjë dyshim! Ai e kishte më lehtë. Skënderbeu pat luftuar
kundër turqëve, ky vazhdon luftën kundër rusëve. Këtu ka dallim
të madh. Rusët kanë edhe bombë atomike...
-
Po de!
-
Një kushëri imi që shiste vezë në treg, doktoroi
në oologji dhe është oologu i parë shqiptar, dmth. doktor
i vezëve. Kishte pasur një disertacion shumë interesant, temë të
pa prekur dhe të pa rrahur deri më sot në
Europë. Doktoroi me temën: “Vezët kosovaro-serbe
në tiganin e Europës. Vështrim empirik
në fushën e ornitologjisë.” Tani punon në Ministrinë e
Bujqësisë dhe mban ligjërata në një kolegj të madh.
-
Pa, pa, pa, çfarë teme gjeniale...Ama a
ka rrezik që doktoraturat të publikohen në internet dhe pastaj
smirakët dhe tradhtarët na hidhen në qafë?
-
Ah, derisa ta marrin vesh, ne punësohemi. E fundi fundit, profesorët
kanë për detyrë të na mbrojnë. Ata humbin bashkë me ne. Pastaj
shumë prej nesh që nuk kemi pasur mundësi të studiojmë, por e
kemi marrë pak me vonesë për shkaqe
objektive, punësohen nëpër ambasada, apo ministri dhe aty nuk pyet
njeri se a ishte student i rregullt apo jo.
Pastaj, edhe eprori jonë
do të ketë diplomuar si ne. Nëse punësohemi nëpër fakultete,
mund të përfitojmë nga çdo provim apo diplomim.
-
Pa asnjë dyshim. Ata duhet të kujdesen që diplomat apo
doktoraturat të mos nxirren në internet. Nëse arrijmë të bëhemi
gjysma e popullit me diploma, atëherë jemi populli më intelektual
në botë. Tradhtarët po përpiqen të pengojnë. Disa po doktorojnë
edhe në Azi dhe Afrikë, sepse kështu disertacioni nuk publikohet
kurrë, ose është shkruar në një gjuhë, që pak veta e njohin sa
duhet.
-
Mirëpo mirë që kemi qeveri si duhet dhe nuk terrorizon studiuesit
e vërtetë. Ministri i Arsimit meriton në mbështetje, se pa të
nuk bëhet gjë.
-
Ke të drejtë. Në fakt Ministri i Arsimit duhet
shpallur Nderi i Kombit.
-
Pa asnjë dyshim! Ata ministra
që kontribuan, madje edhe kryeministra, duhet të shpallen Nderi i
Kombit. E meriton Sali Berisha, e meriton Hashim Thaçi.
-
Çfarë mendon, a do ta burgosë Kristaqi Sali Berishën?
-
Jo, jo, edhe Kristaqi ka
kuptuar se disa militantë të PS duhej ekzekutuar:
disa armiq të kombit, duhej
vrarë disa rusë
për ta shpëtuar demokracinë shqiptare.
Atëherë kundërshtonin, por tani kanë kuptuar
edhe ata se ishte puç dhe prandaj
nuk mund të arrestohet
Berisha. Do t' ishte turpi më i madh për shtetin shqiptar. Berisha
na duhet, qoftë edhe vetëm në
facebook.
-
Ok, ika so do niset autobusi...
-
Ok, tung...Ndoshta takohemi në ndonjë
ministri.
-
Ndoshta, ndoshta edhe ambasadorë, nuk
dihet, të gjitha kushtet i plotësojmë tani...
Gazeta SOT
Gazeta SOT
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen