05.06.2015

Letër Kryeministrit Rama, gazeta DITA

Në Gjermani të rinjtë që kryejnë vepra penale ndërmjet moshës 18 – 21 vjeçare, Gjykata mund t'i konsiderojë të papjekur për shkak të fëmijërisë jo normale, ambientit familjar, kushtet, rrethit, prindërit etj. Si është e mundur që të rinjtë shqiptarë maturohen tre vite më herët se fëmijët gjerman?

Zoti Kryeministër, besoj se nuk keni asnjë dyshimi se të të qenit Kryeministër i Shqipërisë është një nder, që pak personalitete mund ta përjetojnë. Dhjetëra veta brenda një shekulli arrijnë të ulen në fronin e fisëm të vendit, dy apo tre prej tyre mbeten në kujtesën e popullit për integritet dhe dinjitet. Në fakt kjo letër për nga kompetenca duhej drejtuar Kryetarit, por meqenëse ka pasur guxim dhe njerëzi të shpërfillë kërkesën e Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit, atëherë nuk ka kuptim t' i shkruhet atij Kryetari aksidental. Po shkruaj duke shpresuar se Kuvendi ka mundësi t'i pezullojë Kryetarit të drejtën e amnistisë dhe ta marrë mbi vete apo kalojë Juve, natyrisht nëse nuk ka pushtet Ministri i Drejtësisë ta urdhërojë rishqyrtimin e çështjes Nazime Vishaj, ku ka pasur shkelje të rënda. Ai gjykim nuk ka këqyrë me hollësi veprën penale, shkaqet, pasojat, gjendjen ekonomike, ambientin familjar, shtysën dhe manipulimin, por ata gjyqtarë dhe ai prokuror, kanë synuar t' u dërgojnë një sinjal grave, nga bindjet kulturore, kanunore, jo juridike, sepse aty janë shkelur apo anashkaluar me paramendim, në dëm të një të reje Kodi Penal dhe Procedura Penale, edhe atë, tek këto nene:

Neni 17 i Kodit Penal mundëson edhe konstatimin e përgjegjshmërisë për shkak të gjendjes shpirtërore, ku nënvizohet: “Nuk ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së veprës vuante nga një turbullim psikik...“ Nazimeja vuante nga njët turbullim dhe çrregullim psikik. Një njeri në moshën 41 vjeçare nisë lidhje dashurie, që zgjat katër vite me një fëmijë të moshës 14 vjeçare dhe, kjo ecuri ka ndikuar aq shumë në devijimin e saj, sa e ka hedhur nga binarët. Kërcënimet, dhunimet dhe imponimet për ta mbajtur lidhjen sekrete kanë ndikuar në manipulimin e saj. Ajo është mashtruar me gjësende, që zakonisht kushtëzohet një fëmijë. Ajo nuk mund të konsiderohej e rritur, po minore e manipuluar. Zhvillimi saj normal fëmijëror, qe dëmtuar në një moshë shumë të brishtë. Duke qenë ajo vazhdimisht e kërcënuar me vrasje nga dashnori, bëri pikërisht atë, nga çfarë kishte frikë se do ta pësonte vet.

Vajza ka qenë e traumatizuar dhe nuk ka pasur nevojë për burg, por për trajtim psikologjik. Ajo gjendet edhe sot në burg, sepse vjen nga një shtresë e varfër. Sepse nuk ishte fëmijë i një njeriu të pasur apo të njohur. Se ka pasur gabime në gjykim flet edhe neni 19 i KP për Mbrojtjen e Nevojshme, ku nënvizohet: “Nuk ka përgjegjësi penale personi që ka kryer veprën duke qenë i detyruar të mbrojë jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij ose të një tjetri, nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit me kusht që, karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me rrezikshmërinë sulmit. Mospërputhja haptazi ndërmjet tyre përbën kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme.” Nuk ka asnjë dyshim se ajo ka kapërcyer kufijtë e mbrojtjes, por reagimi saj, flet për tronditje psikike, jo për paramendim, por se dinjiteti i saj dhe integriteti qenë sulmuar, nuk ka nevojë të provohet.

Neni 46 i KP flet për Masat mjekësore dhe edukuese dhe vazhdon me përkufizimin: “Masat mjekësore mund të jepen nga gjykata ndaj personave të papërgjegjshëm që kanë kryer vepër penale, ndërsa masat edukuese mund të jepen ndaj të miturve që përjashtohen nga dënimi ose që për shkak të moshës nuk kanë përgjegjësi penale.” Nën pikën një dhe dy parashikohet mjekimi, vendosja në një institucion edukimi. Neni 48 i KP është shpërfillur në tërësi, ja citati nga “Rrethanat lehtësuese”: Lehtësojnë dënimin rrethanat që vijojnë : a) Kur vepra është kryer e shtyrë nga motive me vlera pozitive morale e shoqërore; b) kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga provokimi ose veprime të padrejta të viktimës apo të ndonjë personi tjetër; c) kur vepra është kryer nën ndikimin e veprimeve apo të udhëzimeve të padrejta të eprorit; ç) kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë; dh) kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së veprës penal.

Neni 51, Dënimi me burgim për të miturit: “Për të miturit, që në kohën e kryerjes së veprës penale nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, dënimi me burgim nuk mund të jetë më shumë se gjysma e dënimit që parashikon ligji për veprën penale të kryer.” Ai nen duhet ndryshuar sepse merret me shkatërrimin e jetës së fëmijëve dhe ata nuk mund të trajtohet me burgje sa gjysma e të rriturve, sepse qysh në fillim të jetës, pengohet zhvillimi i tyre dhe risocializimi në shoqëri.

Edhe neni 52 është shpërfillur në tërësi ja çfarë përkufizon ai: “Përjashtimi i të miturit nga dënimi: Gjykata, nisur nga rrezikshmëria e pakët e veprës penale, nga rrethanat konkrete të kryerjes së saj, nga sjellja e mëparshme e të miturit, mund ta përjashtojë atë nga dënimi. Në këto raste gjykata mund të vendosë dërgimin e të miturit në një institucion edukimi.”

Shkelja e neneve të Procedurës Penale nga Gjykata dhe Prokuroria:

Neni 41 i PP parasheh verifikimin e moshës. Se a është verifikuar, nuk di, por nëse po, atëherë janë nxjerrë konkluzione të gabueshme.
1. Në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit, kur ka arsye për të besuar se i pandehuri është i mitur, organi procedues bën verifikimet e nevojshme dhe kur është rasti urdhëron ekspertimin.
2. Kur, edhe pas verifikimeve dhe ekspertimit, mbeten dyshime për moshën e të pandehurit, prezumohet se ai është i mitur.” Nëse pra në Gjermani deri në moshën 21 vjeçare mund të gjykohen sipas ligjit për të rinj, në Shqipëri sipas prokurorisë dhe Gjykatës, rriten tre vite më heret se fëmijët gjerman. Kjo nuk ka nevojë për shpjegime të mëtutjeshme, e as të krahasohen sistemi edukativ në shtëpi, në shkollë, e për kushtet ekonomike, as të mos flasim.

Lexoni ju lutem nenin 42 dhe reflektoni jo vetëm për jetën e një të reje, që po rrënohet çdo ditë me burgun dhe kuptoni se si punojnë Gjykata dhe Prokuroria shqiptare: Verifikime për personalitetin e të pandehurit të mitur:Organi procedues merr të dhëna për kushtet e jetesës personale, familjare dhe shoqërore të të pandehurit të mitur me qëllim që të sqarojë përgjegjshmërinë dhe shkallën e përgjegjësisë, të vlerësojë rëndësinë shoqërore të faktit si dhe të caktojë masa të përshtatshme penale. 2. Organi procedues mbledh informacione nga personat që kanë patur marrëdhënie me të miturin dhe dëgjon mendimin e ekspertëve.”

Sikur t' ishte respektuar ky nen, atëherë sot Nazimja do të gjendje në një Institucion Përmirësimi, ku do të mësonte një profesion, jo të dirgjej në burg dhe dëmtohej edhe ardhmëria. Publikimi i gjeneraliteteve të saj, madje edhe fotografia, edhe pse ligjet në Shqipëri tolerojnë këtë vuajerizëm, është dashur ta ndalojë gjykata. Mund të paramendohet jeta e saj në një shoqëri patriarkale dhe mundësia për t' u riintegruar apo për të krijuar nesër familje. As Gjykata, as Prokuroria nuk kanë dalë me një kërkesë të tillë, sepse me këtë gjykim, po i dërgonin mesazhe grave në përgjithësi. Çfarë dobie pati opinioni publik nga stigmatizimi i saj dhe pse shteti mori pjesë në shkatërrimin e një vajze?

Pra, meqenëse fëmija nuk rritet siç parasheh kalendari, por rritet sipas mundësive që ka në shtëpi, lirinë që ka, gjendja familjaree, rrethi jetësor, kushtet ekonomike, sepse ai apo ajo, që dje kishte 17 vjet dhe sot mbushë 18, nuk mund të konsiderohet i rritur, por i ri. Jo së paku në një shoqëri patriarkale, ku fëmijët nuk rriten as në moshën 21 vjeçare dhe kanë nevojë për tutorë. Se në Shqipëri fëmijët dënohen në mënyrë barbare flet për shoqërinë dhe emancipimin e saj: dashurinë ndaj fëmijëve, kujdestari prindore, kujdestaria shtetërore dhe kjo e fundit ka për detyrë të mos lejojë shkatërrimin e një jete, por rikthimin në shoqëri. Ligji është i ngurtë dhe rigoroz, diçka tjetër është zhvillimi biologjik i njeriut normal, çfarë nuk paresh legjislacioni shqiptar, edhe atë duke dëmtuar të rinjtë.

Zoti Kryeministër, Nazime Visha nuk ishte e moshës madhore, kur vrau. Ishte akoma adoleshente. Vetëgjyqësia natyrisht nuk mund të pranohet në këtë epokë, por ajo qe abuzuar seksualisht qysh në moshën 14 vjeçare. Meqenëse ajo ka nisur një raport me një burrë 41 vjeçar, atëherë kemi fakte për tronditjen psikike dhe pjekurinë e saj. Rrëmbim dhe devijim nga jeta fëmijërore. Çrregullimet vërehen edhe në intervista, në mendime dhe kryesisht tek statusi social, por edhe tek mesazhet, që i bënë publike gazetat bulevardeske për të përfituar nga klikimet dhe të cilat u lexuan si mendime të një të rriture. Sigurisht asnjë gazetë nuk do të kishte raportuar në atë mënyrë, sikur të ishte një fëmijë i tyre Nazimja.

Në Gjermani gjykata ka çdo herë parasysh pjekurinë e të pandehurit duke shqyrtuar gjendjen në shtëpi dhe rrethin ku ka jetuar i riu, e reja dhe kur konstatohen mangësi, të rinjtë deri në moshën 21 procedohen me kodin penal për të rinj, sepse roli i gjykatës në një shoqëri demokratike, nuk është hakmarrja, por risocializimi i të rinjve, që nuk kanë pasur fëmijëri të shëndoshë. Fëmijëria asaj i është shkatërruar nga një i rritur. Me atë vendim gjykata shqiptare pat treguar se nuk merr vesh rolin e vet që ka në një shoqëri moderne, dhe jo vetëm ai, por as prokurori i mjerë, që pat kërkuar 17 vite duke thënë se Nazimja nuk ishte kriminele, por se kishte bërë një krim. Natyrisht se Nazimja u bë kriminele, por kriminele e krijuar, e ndikuar, e manipuluar nga një mik i familjes, që përdhunoi atë shpirtërisht dhe fizikisht. Gjykata shqiptare u hakmor me prapavijë kanunore dhe nga bindjet fikse kulturore duke bërë shkelje flagrante të Kodit Penal dhe Procedurës Penale.

Nazime Visha zoti Kryeministër nuk ka pasur precedencë penale, ka vepruar në afekt dhe në asnjë vend perëndimor, ajo për shkak të moshës nuk do t’ ishte dënuar me burg, por do t’ ishte dërguar në një Institucion Përmirësimi, nga do të dilte me një profesion. Nazime Visha edhe pse adoleshente, është dënuar sipas ligjit të të rriturve. Ai gjykim paragjykon pjekurinë pa u bazuar në fakte apo ekspertiza shkencore psikologjike. Nuk mund të thuhet se vrasja qe bërë me paramendim, me dashje, sepse ajo nuk ishte në gjendje të parashikojë pasojat. Se nuk ishte në gjendje të parashikojë pasojat, flet lidhja e dashurisë nga mosha 14 vjeçare me një baba të pesë fëmijëve. Se nuk ishte në gjendje tregon edhe pendimi, edhe dëmtimi i jetës së motrës, së nipit, të dhëndrit dhe prindërve të vet dhe prindërve të viktimës. Gjykata shqiptare u bazua në moshë dhe trup, por jo në aftësitë reale kognitive të saja. Në fakt aq sa kishte nevojë për trajtimi psikologjik Nazimja, po aq kishte nevojë Gjykata dhe Prokurori.

Shteti nuk duhet të marrë pjesë në rritjen e tragjedisë, por në reduktimin e saj. Zoti Kryeministër, nëse ligji gjerman konsideron akoma të papërgjegjshëm për t' u gjykuar me ligjin pët të rritur deri në moshën 21 vjeçare, a nuk është paradoks i llojit të vet Shqipëria të konsiderojë me 18 të rritur? Edhe atë, një vajzë që nuk ka përjetuar fëmijëri normale?

Amnistimi i saj do të fliste për anën humane Tuaj, për empatinë me fëmijët e abuzuar dhe keqtrajtuar. Do të korrigjohej një vendim i një gjykate- dini edhe Ju se Shqipëria nuk ka gjykata e prokurori me të cilat mund të mburret- dhe do t’u dërgonte një mesazh të qartë abuzuesve, që akoma nuk i njohim. Nazime Visha po paguan për krimin e kryer në moshë e papjekurisë, kurse dhunuesi nuk mund të dënohet, por me burgun e zonjës Visha, shpërblehet dhe yshtet para pedofilia.

PS. Për të parandaluar vrasjen për hakmarrje tek të rinjtë, duhet aprovuar një ligj i cili mundëson arrestimin dhe të atit, sepse tek ne ka etër që motivojnë fëmijën të vrasë dhe pastaj mburren me djalin, që kalbet në burg. Në raste të tilla dhe për gjakmarrje, i riu të procedohet me ligjin për të rinjtë, por pjesa tjetër e burgut, t'i vihet dhurohet babait.

Gazeta DITA

Keine Kommentare: