23.05.2015

Mbi 50 kandidatë për psikiatri, gazeta SOT

Sa është data sot? Cila ditë e javës është sot? Në cilin muaj jemi? Në cilin vit?” Këto janë pyetje të domosdoshme, që zakonisht u shtron psikiatri njerëzve, që janë goditur nga skizofrenia. Nëse përgjigjet janë pozitive, atëherë pason ridozimi i medikamenteve, mirëpo para kësaj, pasojnë edhe disa pyetjet tjera, si për shembull: “çfarë do të bëni pasi të braktisni klinikën? A do të kujdeseni për familjen? A të ka marrë malli për fëmijët? Çfarë mendoni për bashkëshorten?”, që ai para se të shtrihej në klinikë, ka dashur ta vrasë duke qenë i bindur se ajo bashkëpunon me një grup, që ka ndërmend ta eliminojë atë. 

Nëse edhe ato përgjigje janë të pëlqyeshme, atëherë pas pak ditëve, ai braktisë spitalin dhe vazhdon mjekimin në shtëpi. Nëse ai nuk din datën, ditën e javës, muajin dhe vitin, atëherë ka ngelur diku tjetër: ndonjë javë, ndonjë muaj apo ndonjë vit më herët për shkak të çrregullimit psikik. Shumë herë anëtarët e familjes nuk vërejnë gjendjen mirë, por vetëm konstatojnë një ndryshim të çuditshëm në sjellje, që nuk i kushtojnë rëndësi, derisa nuk rrezikohet jeta e dikujt apo e vet të sëmurit. Ata tregojnë se shohin gjësende, që të tjerët nuk i perceptojnë, nuk i kapin, se dëgjojnë zëra, komplote dhe urdhra, që shtyjnë të bëjnë një vepër, ku pastaj me një vendim të një gjykatësi, urdhërohet izolimi dhe trajtimi në një dhomë psikiatrike të mbyllur, për shkak jeta e e tij apo të tjerëve mund të rrezikohet. Përfytyrimet e tyre janë ireale, të gjykuarit si dhe pritshmëria. Mu ashtu si është ireale pritshmëria e më shumë se 50 partive shqiptare në Shqipëri.

Gazeta sot publikoi ato, jo 6, por 61 parti, tok me shkurtesat pas emrit: a thua dinë ata partithemelues datën, ditën, muajin dhe vitin apo me këtë shpërthim skizofrenik përpiqen t' i hakmerren Enver Hoxhës? Si është e mundur që një vend aq i vogël, të ketë parti më shumë se Gjermania dhe kujt i duhet ato? Pse këta njerëz besojnë në iluzione, halucinacione dhe mundësi, që realisht nuk ekzistojnë dhe që nuk janë të kapshme me shqipsa njerëzore. Nëse njeriu i sillen në një tryezë 61 lloje të ushqimeve, do ta humb oreksin dhe do të ketë telashe për të zgjedhur. Si mund një qytetarë të lexojë 61 programe partish, 61 dëshira dhe 61 synime? Nëse në vitin 2215 një shqiptar lexon se në vitin 2015 në Shqipëri ka pasur 61 parti politike, do të habitet me gjendjen tonë psikike. Sigurisht do ta quanin epidemi karrieriste, të goditura nga tërbimi i alfa kafshës ose të sëmurë nga idet fikse. Ndoshta atëherë edhe zbulohet diagnoza e vërtetë e kësaj gjendje. Po të mendonte Gjermania shqip, atëherë do t' i duheshin diku 2.000 parti politike. Ai hiperinflacion partish, flet për psikologjinë shqiptare, për shpresën e humbur, për mendësinë, për bajraktarizmin dhe vetëbesimin delirant dhe haluçinant.

Partia e parë me numrin rendor 1, quhet Partia Kristiane Demokrate e Shqipërisë, me shkurtesën PDK, ndërkaq e dhjeta, Lidhja Demokristiane Shqiptare, me shkurtesën LDK. Me numrin 11 gjendet Partia Popullore Kristian Demokrate e Shqipërisë, me shkurtesën PPKDSH. Me numrin 15 është një parti simpatike, që quhet Partia e të Drejtave të Mohuara e Re, me shkurtesën PDM e Re, çfarë na sugjeron, se ka edhe një parti tjetër e vjetër apo e lashtë. Me numrin 18 gjendet Partia Demokratike, që ka si prijës legjendar një stalinist ambicioz të Enverit, por që ka arritur të konvertohet dhe terrorizojë popullin dhe përditshmërinë e tij. Paska edhe parti me emrin Partia Ora e Shqipërisë, me shkurtesën POSH, që në frëngjisht dmth. XHEP. E në fakt shumica e partive shqiptare, në mos jo të gjitha, do të duhej të quheshin Partia e Xhepave. Me numrin 22 gjendet Partia Demokracisë Shqiptare, që ka dëshirë të jetë zëdhënëse e të gjitha partive demokratike në Shqipëri. Me numrin 23 është partia, që ka konstatuar se jemi hidhëruar keq në mes vete dhe mban emrin Partia e Pajtimit Kombëtar. 

Pason me numrin 24 Partia Komuniste e Shqipërisë 8 Nëntori. Nuk ka dyshim se i kanë bashkangjitur 8 Nëntorin, pse ndonjë parti ka zaptuar emrin para saj. E 26 Partia Socialiste e Edi Ramës, që na mësoi poezinë për kushtrimin e xhihadistëve dhe numrin 27 ka Partia Socialpunëtore, për inat, sepse është bindur, se ajo me nurmin 26 është parti e kapitalistëve dhe e klerit. Me numrin 28 gjendet PRRL, duket si PËRRALLË Parti, së cilës në sigël i mungojnë ca zanore, por nuk është. Kjo parti është Partia Rruga e Lirisë, që ndoshta ka si projekt lirinë rrugore për emigrim. 

Numrin 19 mban Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim, PLDN, sepse kjo parti-lëvizje, ka parë se të tjerat janë për mosndryshim dhe kjo nevojë, ka detyruar të themelojnë një parti, që ka dëshirë të ndryshojë diçka. Se çka, ata e dinë. Katër shkallë pas partisë në pushtet gjendet Partia e Vërtetë Socialiste, sepse partia me numrin 26 duhet të jetë socialiste e rrejshme. Partia FRA, Forca Rinia, duhet të jetë parti e futbollit dhe renditet në rreshtin e 32. Numër 37 përsëri demokristian është ndërtuar për inat të numrit 1, 10 dhe numrit 11. Numri 33 është Parti e Çështjeve shqiptare, dmth. parti që din hallet dhe telashet e shqiptarëve. Të gjitha. Numri 34 dëshrion ta sjellë demokracinë europiane dhe quhet Partia Demokracia e Re Europiane. Mund të mendohet se bëhet fjalë për një demokraci, që Europa akoma nuk e ka zbuluar, por këta po. Për të zemëruar numrin 26 dhe 27, me numrin 35 renditet PPSH e Enver Hoxhës, Partia e Punës së Shqipërisë, që pa kokërr respekti e kanë zbritur për 34 numra në demokraci. 

Pason partia e Ilir Metës për të ngacmuar bazën me numrin 35. Numri 38 dëshiron europianizimin e Shqipërisë dhe ka shkurtesën PLEISH, gati PLESHT. Ndërsa numri 39 tingëllon si kryqi i kuq dhe është për demokraci dhe solidaritet. Qëllime fisnike me shkurtesën ADS, shkurtesë që në gjermanisht domethënë: sindromë e deficitit në koncentrim. Partia shumë empatike dhe simpatike është me numrin 40. Partia Personat me Aftësi të Kufizuara, me shkurtesën ngushëlluese PPAK. Nevoja për këtë parti bën të ditur se ka shumë veta me aftësi të kufizuar, sepse për PAK, nuk do të themelohej fare. Partia e numrin 41 ka ndërmend të bashkojë vetëm myslimanët dhe quhet, Partia e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë, PDBMSH. Pastaj kemi Parti G 99, që duhet të jetë parti universale dhe përfaqëson një galaktikë me numrin 99 apo celularin Samsung Galaxy, që kushton 99 euro. Me numrin 43 gjendet një tjetër PD. PDM është me numrin 44 dhe duhet të jetë parti e avokatëve sepse quhet Partie e të Drejtave të Mohuara, që duhet të ketë abortuar partinë me numrin 15.

Vazhdon valceri vjenez me partitë shqiptare të reformave demokratike, të drejtësisë, të integrimit dhe unitetit, për t' iu bashkangjitur partisë së unitetit kombëtar me shkurtesën PUK. Ngjitet pas partia, që paska rolin e Gjykatës Kushtetuese dhe quhet Partia për Ligj dhe Drejtësi me numër rendor 48. Me numrin 49 është partia e ish kryetarit, që nuk gjeti ulëse diku, por krijoi të veten, Partinë e Frymë së Re, por që mbeti pa frymë. Numrin e rrumbullakët 50 mban PASH-i, që bazuar në emër angazhohet për të Ardhmen Shqiptare, por që nuk paska kuptuar se duhet e tashmja, për ta ndërtuar të ardhmen, por elektorati saj, gjendet në ardhmëri dhe duhet të lindet.

Në stilin folklorik vazhdon bisht pas saj partia tjetër, që quhet Partia Shqiptare Atdheu dhe për të mos rënë në konflikt me PASH-in, kjo quhet PSHA. Me numrin 52 është shënuar për zgjedhje Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane, ndoshta e regjistruar në Strasburg. Numrin 53 ka përsëri një tjetër parti demokristiane, që është e bindur se jetojmë në Vatikan dhe se partitë tjera demokristiane, nuk janë si duhet dhe sa duhet demokristiane dhe quhet: Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë, ADK. Pas kësaj partie, gjendet Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, PMDE, pra parti që lufton për njerëzit, që jetojnë disa javë në vit në Shqipëri, por që gjatë pushimeve verore në atdhe diskriminohen dhe nuk u ofrohen zahiretë e dimrit. Pason Partia Socialiste, që nuk është agresive dhe që nuk synon diktaturën e proletariatit dhe quhet Partia Socialiste e Moderuar, PSM. Kemi edhe një AAK, që domethënë Partia Arbënore Kombëtare, që duhet të jetë parti pasilire. Numri 57 përsëri një PKSH, një parti komuniste. Vazhdon partia e maqedonasve për t' u shfaqur krejt papritur partia më e bukur, më ëmbëloshe dhe më seksi: Lëvizja Demokratike për Vlera, Mirëqenie dhe Progres, LDVMP. Nga fundi Fronti i Majtë dhe përfundohet me aleancën popullore për të vazhduar pastaj me 12 individë, që janë të bindur se 61 parti e kanë gabim dhe ata kandidohen vetëm me emrin e vet si kapital kryesor. Lajmi i mirë: aty nuk është asnjë grua, çfarë është shpresëdhënëse për ardhmërinë se ato nuk janë dalldisur si burrat shqiptarë dhe nuk kanë humbur ndjenjën e realitetit, por dinë mirë datën, ditën e javës muajin dhe shekullin, ku jetojnë, madje edhe kontinentin dhe galaktikën, çfarë nuk mund të pohohet për burrat.

Sa parti të majta, sa të djathta, sa patriotike, sa nacionaliste, sa të qendrës së majtë, sa të qendrës së djathtë, nuk është me rëndësi. Me rëndësi se Shqipëria ka potencial partiak dhe njerëzor, që janë të bindur në mençurinë e tyre, sa do të kishin dëshirë të sundonin të gjitha 47 shtetet e Europës dhe na mbeten 14 parti dhe 12 kandidatë, me të cilët do ta furnizonim me kryeministra gjysmën e Afrikës apo më shumë se gjysmën e kontinentit amerikan. Kur lexohen emrat e atyre partive dhe siglat me metafora, atëherë shohim simptomat kolektive. Aty kuptohet si u ka dalë nga rradakja tymi për ta gjetur emrin, që nuk e ka një parti tjetër, shkurtesën që nuk përplaset me një tjetër. Sa net pa gjumë dhe sa lodhje. Çfarë ankthi! Çfarë traume! Çfarë pasioni! Çfarë zëra dëgjojnë ata? Kush ysht të merren me përhapjen e iluzioneve dhe halucinacioneve? Nuk është aq tragjike, por së paku 55 prej tyre duhet shtrirë në psikiatri dhe shtruar disa pyetje, që u shtrohen burrave, që kanë humbur busullën.

Pas leximit të mundimshëm të atyre partive dhe shkurtesave, vërehet se mungojnë vetëm dy parti, që ekzistojnë faktikisht, por që janë shpërndarë nëpër të gjitha 61 partitë:
Mungon PLA-ja, Partia e Lirisë Absolute. Një parti që nuk ndalon vjedhjen, që nuk ndalon vrasjen, që nuk ndalon blerjen e pasaportës, që nuk ndalon plagjiaturën, që nuk ndalon krimin, që nuk ndalon rrëmbimin, që nuk ndalon mashtrimin, që nuk ndalon rrenën dhe që nuk ndalon prostitucionin e burrave, por që i rekomandon të gjitha ato më lart. Një parti që autorizon policin të fusë parat e gjobave në xhep. Një parti që lejon blerjen e pafajësisë në gjykatë apo që do të ndalonte gjykatat sepse PLA, adhuron lirinë absolute. Një parti që lejon vrasjen e grave, që urdhëron rrahjen e fëmijëve, që lejon shitjen e drogës dhe kontrabandimin. Një parti që lejon korrupsionin e pushtetarëve dhe personelit mjekësor. Shkurt e shqip një Lezet Parti, që lejon çdo gjë që mund t' i pëlqejë dhe konvenojë individit. Pas kësaj partie, atëherë nevojitet edhe Partia e Humorit Shqiptar.

Ata kryetarë partish, që i njeh dhe pranon si kryetar vetëm shtëpia e vet, mund të shërohen edhe me një ligj. Kështu ndihmohen themeluesit e partive dhe nuk ngarkohet shumë spitali i psikiatrisë. Ligji do të duhej të shkruhej në këtë mënyrë: Parti politike mund të themelojë ai grup, që ka së paku 10.000 anëtarë, që paguajnë anëtarësinë rregullisht.

Gazeta SOT




Keine Kommentare: