Qeveria e Kosovës ka humbur navigatorin. Për ta qetësuar opozitën,
sjell një komision ndërkombëtar, që do të vërtetojë se
rikufizimi me Malin e Zi, ishte në rregull.
Dhe ti si njeri normal, natyrisht pyet veten, ata komisionarë që
vijnë nga veri, jugu apo perëndimi, që kanë edhe vështirësi për
ta gjetur Kosovën në hartë, dinë më mirë se ti kufijtë tanë
me Malin e Zi? Ata natyrisht do të marrin hartat e Qeverisë dhe do
ta shëlbojnë atë nga të gjitha mëkatet.
Ata janë në pushtet dhe mund të sjellin edhe një tjetër komision
nga vendet baltike, të beneluksit e vendeve tjera europiane, që do
të konfirmojnë se Bashkësia Serbe, është përparim i madh për
Kosovën, por, një bashkësi e tillë për Luginën, do t'ishte
shumë e dëmshme për shëndetin e shqiptarëve dhe për Ballkanin.
Pinjollët e Millosheviqit po themelojnë autonomi në Kosovë duke
ndaluar abetare shqipe në Luginë. Mustafë Hashimi po e përligj
autonominë, sepse di mirë se na kanë përplasur në anën e
kundërt nga ajo që ishim.
Perëndimi dëshiron autonominë. Këtë
duhet ta kuptojmë, sepse sot shumë prej tyre janë bindur, se neve
nuk na duhej shteti dhe se ne më shumë do ta kishin adhuruar
shtetin serb, se sa atë të Kosovës. Këtë dëshmojnë gjithë
milionerët e Kosovës: Gjykatat, Policia, Prokuroritë,
Universitetet dhe Akademia e Barinjve të Kosovës.
Burgosja e Albin Kurtit ka vetëm një detyrë: të mundësojë
ndërtimin e Bashkësisë Serbe.
Dhe ti si njeri normal që je, pyet veten: pse Isa Mustafa të jetë
në krye të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe pse lejon
ai Hashim Thaçin, irredentistin e djeshëm, të jetë ministër?
Ti je njeri normal, kupton mirë, por gjithmonë pret se dikush
tjetër do të zgjidhë problemet tua: papunësinë, drejtësinë dhe
shteti ligjor do të ndërtohet me hajna, kurse korrupsioni, do të
luftohet nga banda e korruptuar.
Ti ke të drejtë të shpresosh. Ke
të drejtë edhe të mendosh, ketë të drejtë edhe të merreshe me
fantazi, por problemet tua nuk do të zvogëlohen, përkundrazi,
emigrimi yt po përgatitet. Sepse ti akoma shpreson se zgjidhja vjen si
dhuratë, si edhe republika.
Ti je llastuar dhe nuk punon as tokën, por duke shfrytëzuar djemtë
në Perëndim, blen produkte serbe dhe ndihmon ekonomikisht atë që
pa SHBA-të, brenda 24 orëve do të hidhte
ty në Bllacë apo në Kukës.
Ti nuk ke faj mirëpo. Nuk ke faj
sepse je halitur të presësh paratë shtrirë në kokërr të
shpinës dhe të bësh tërë ditën politikë.
Ti je i papunë, por
nuk ke kohë ta punosh as kopshtin tënd.
Ti kënaqesh natën duke pirë çaj dhe duke përrallisur për
politikanët e pafytyrë, për tarafët. Më shumë mirëpo nuk të
duhet. Mjafton se ti flet dhe je i bindur se dikush tjetër do të
flijohet për jetën tënde më të mirë. Pastaj çuditesh, pastaj
habitesh, pastaj tmerrohesh, pastaj nuk të zë gjumi, pse situata
nuk po përmirësohet.
Ti nuk ke faj mirëpo. Nuk ke faj sepse nuk mund të lirohesh nga
përtacia kronike. Edhe politikanët tu nuk kanë faj, që sillen si
politikanët serb, që vjedhin si ata apo më shumë, që burgosin si
ata dhe që mbajnë në pushtet ata që i konvenojnë, poshteni
albanci, shqiptarët e ndershëm vetëm, që me zvarritjen, do ta
fitonin vendin e parë në botë.
Nëse politikanët tanë zvarriten
barkas dhe lëpijnë, ti zvarritesh në kokërr të shpinës prej
shilteje në shilte apo prej divani në divan dhe bën politikë, jo
vetëm se bën politikë, por je i bindur se je më i mirë se
çdokush tjetër.
Prandaj, mos u shqetëso, vazhdo jetën ashtu se pas çdo shembje
bëhet një rindërtim, se sa dhe si do ta paguash ti rrënimin, do
ta kuptosh duke parë jetën e fëmijëve tu, ose duke i përcjellë
tek stacioni i trenit dhe i autobusit.
Pse? Sepse ti je kënaqur
duke bërë muhabete politike dhe duke pritur se se dikush tjetër
duhet të mësojë ty ecjen, jo vetëm ecjen, por duhet t'i blejë ty
edhe këpucët.
Ti nuk ke faj, sepse je mësuar që një të punojë
dhe dhjetë të hanë dhe nuk të bren ndërgjegjja, atë nuk e
posedon, se je duke ngrënë ardhmërinë e nipave.
Kjo mirëpo nuk është asgjë, tragjike është se ti ke duruar të
kriminalizohet republika.
Nga kriminelët e huaj u çliruam, por si
të çlirohemi nga kriminelët tanë kur i kemi në krye, nëpër
gjykata dhe në prokurori? Vetëm kur të tregosh se adhuronin
shtetin; që e ke paguar shtrenjtë: me gjak, me dhunim të grave dhe
me shumë poshtërime tjera.
Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore
Die Asylbewerber, komedi gjermanisht
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen