Një
mik më shkroi se duke kundërshtuar prijësit politik, tregoj
mungesë respekti ndaj lexuesve të mi. Tjetri se duke kritikuar
burrat, po ofendoj lexuesit. Dikush mund të preket, kjo nuk mund të
përjashtohet, por unë nuk shkruaj për të fituar lexues duke u
hartuar elozhe bindjeve të tyre.
Shkruaj
nga perspektiva ime, ashtu si unë përjetoj botën, si i perceptoj
fenomenet në shoqëri dhe kryesisht, si kuptoj unë drejtësinë. Më
interesojnë sjelljet, jo njerëzit, pra ngjarjet dhe dukuritë. Kjo
nuk domethënë se unë dua të kem të drejtë me mendimin tim, por
unë nuk di mendoj siç dëshirojnë të tjerët, prandaj shkruaj
ashtu si di vet. Shkruaj për të ofruar një pikëpamje vetëm si
alternativë, vetëm si mundësi tjetër, jo për të siguruar një
monopol mbi të vërtetën. Nuk kam bindje statike dhe sapo të
shfaqet argumenti shkencor, ndryshoj edhe qëndrimin. Qëndrimi im
është rezultat i leximit, jo i traditës. Është qëndrim në
lëvizje të vazhdueshme.
Unë
besoj se çdo njeri është univers në vete. Unë besoj se njeriu
është i mirë. Unë besoj se njeriu i ekuilibruar vazhdimisht
kërkon përmirësimin. Jo pse e duam, por e kemi si obligim nga
evolucioni. Çdo njeri derisa është vetja është origjinal. Vetëm
kur pajtohet me atë që sinqerisht e beson. Vetëm kur beson se nuk
ka parime të përjetshme dhe se me kohën duhet ndryshuar. E reja
është vazhdimisht në konflikt me të vjetrën, sepse gjithmonë
konservativët mbrojnë të kaluarën dhe paragjykojnë të tashmen.
Konservativët kanë humbur luftën vazhdimisht, por kanë penguar
vazhdimisht shpejtësinë. Sikur të kishin fituar ata, do të
udhëtonim akoma me gomarë.
Domethënë,
unë përpiqem të kontribuojë në vetëdijesimin e atyre që
lexojnë, se prijësit politik, nuk janë profet dhe partitë e tyre,
nuk janë religjione, por duhet dëbuar nga skena, sapo të bëjnë
deliktin e parë. Kështu bëjnë shoqëritë moderne, kurse ato
patriarkale, u falin despotëve çdo delikt dhe përpiqen ta
përligjin më mirë se despoti vet. Kjo është për keqardhje.
Qëndrimet e tilla janë kancer për demokracinë.
Di
shumë mirë se me shumë tema sociale, mund të prekë edhe nderin e
disa burrave, që mendojnë se e kanë. Në fakt nuk kanë nder, por
e besojnë me fanatizëm. Keqardhjen e tyre nuk dua ta pranoj si
urdhër për të heshtur, përkundrazi, për t'u treguar atyre se
kanë akoma kohë për t'u përmirësuar. Më mirë vonë se kurrë.
Sikur nga respekti të heshtja, me heshtje do të mbroja sjelljen e
tyre. Kjo do t'ishte në kundërshtim me atë që lexoj çdo ditë,
që mësoj, që vështroj dhe do t'ishte në kundërshtim me epokën
dhe rendin tonë.
Kemi shumë dijetarë të mëdhenj që nga
utilitarizmi, nga hedonizmi, kanë heshtur apo kanë përkrahur
prapambetjen familjare duke e arsyetuar me traditën. Ata janë
mësuar së fëmijë ta përjetojnë gruan si shërbëtore dhe me
luftën e tyre për demokraci, tregojnë vetëm hipokrizinë e tyre.
Të flitet për demokraci jashtë, jo brenda familjes, domethënë të
niset ndërtimi i një kështjelle nga kulmi. Familja është qelizë
e popullit thonë sociologët. Shumë qeliza të tilla, bëjnë një
komb.
Nga
leximet dhe përvoja kam konstatuar se fëmijët e keqtrajtuar në
shtëpi, më vonë do të kenë shumë pasiguri, mangësi vetëbesimi
për t'u profilizuar në jetë dhe për ta rigjetur drejtpeshimin e
humbur. Këtë e vërejmë edhe tek politikanët tanë. Familja me
dhunë nuk edukohet, por traumatizohet, domethënë sëmuret.
Dhembjet nuk shkaktohen vetëm me rrahje fizike, por edhe me dhunë
psikike. Kjo dëmton vetëbesimin dhe orientimin në jetë dhe mund
të ketë më shumë pasoja se rrahja. Anketat tona flasin për
abuzime epidemike në familje. Kjo gjendje nuk dëmton vetëm
familjen, por një popull. Më keq se sa të shkruhet për dhunën në
familje, nuk mund të ketë. Sepse u flitet në ndërgjegje atyre që
për nga natyra, duhej të dhuronin dashuri, jo dhunë.
Mjerimin
lexoj shumë herë edhe në fytyrat e grave, që nuk konsiderohen si
njerëz, por si objekte, ose si shërbëtore. Ata politikanë që
vjedhin kombin, marrin pjesë në shkatërrimin shtetit. Shpjegim
tjetër nuk ka sepse e bëjnë me vetëdije, e bëjnë për vete nga
një ego e sëmurë. Ata etër që shtypin gratë dhe nënshtrojnë
fëmijët, shkatërrojnë familjen dhe ardhmërinë e fëmijëve. Ata
nuk janë prindër, por vetëm fekondues. Shpjegim tjetër nuk ka as
për këta, sepse e bëjnë me vetëdije të plotë. E bëjnë nga
egoja e sëmurë.
Familja duhet të jetë vendi ku gjendet
mbështetja, motivimi dhe përkrahja, jo depersonalizimi dhe dresimi,
siç bëhet me kafshët e egra për t'i stërvitur për cirk. Cili
është dallimi cilësor, diferencues në mes një prind që rrah dhe
një polici serb dje? Polici serb e ka bërë nga urdhri dhe nga
mungesa e dashurisë dhe empatisë, por prindi si mund të përdorë
metodat e policit ndaj të dashurëve të vet? Pra, polici serb mund
të kuptohet, por jo prindi që përdor metoda të policit brenda
familjes.
Njeriu
që shtyp, nuk e bën këtë pse të dashurit e tij nuk janë vërtetë
të mirë, por sepse ai ka deficit sedre, deficit në vetëbesimin
dhe beson, se nënshtrimi sjell paqen, edhe atë, duke jetuar në
vitin 2015. Edhe xhelozia sipas psikologëve është rezultat i
mungesës së sedrës dhe vetëbesimit. Në fakt inferioriteti
imponohet në shtëpi.
Nuk ka
asnjë dyshim se nënshtrimi është më i lehtë se sa debati.
Debati kërkon të menduar, nënshtrimi besim në dhunë dhe në
efektet pozitive të dhunës, pra përjashtim të të menduarit. Në
kundërshtim me njohuritë e sotshme pedagogjike.
Për të
ushtruar dhunë nuk duhet mençuri, por për debat, po. Çdo njeri që
ushtron dhunë apo që ofendon, e bën këtë nga mungesa e aftësisë
analitike mendore, nga mosdëshira, nga manipulimi si fëmijë, ose
nga humbja e personalitetit të vet, që i është sekuestruar nga ai
që nuk duhet, nga prindi. Bindja ime është se në familje nuk
guxon të përdoret asnjë metodë, që përdorë një rend
diktatorial, ose nga policia në atë rend.
Unë
besoj se familja lidhet në mes vete me emocione, me dashuri,
partnerët me emocione dhe intimitet, por kjo lidhje është e mundur
dhe e qëndrueshme vetëm në mes njerëzve të lirë dhe të
barabartë, që kanë të drejta, liri dhe detyra të njëllojta.
Sikur unë të arsyetoja dhunën në familje si metodë edukative,
atëherë nga ndjenja e drejtësisë, do të kërkoja ushtrimin e
dhunës edhe ndaj të rriturve, kur bëjnë vepra penale. Arsyeja?
Shumë e thjeshtë. Ajo që mund të rekomandohet për fëmijë dhe
gra, nuk ka asnjë arsye të refuzohet për burra.
Demokracia
jashtë, por patriarkalizmi në familje, nuk mund të funksionojnë
në një shtet si duhet, por do të jenë në përleshje të
përhershme. Aty demokracia nuk mund të funksionojë, sepse familja
si qelizë e parë e shoqërisë, ka rend tjetër në shtëpi dhe nuk
respekton ligje, por bindje arkaike, zakonore, të cilën pastaj e
përligjin me traditë edhe atë, duke pasur një kushtetutë tjetër,
që obligon qytetarin për të jetuar konform ligjeve, jo bindjeve të
atyre që kanë vdekur. Është e tepërt të përmenden politikanët
që i qasen traditës, jo ligjit.
Se
është kështu, shihet pikërisht tek ata që aprovojnë ligje. Ata
janë të parët që i shkelin. Kjo edukatë nuk merret jashtë, por
në shtëpi. Nëse sot krijojmë raporte të shëndosha në familje,
mund të shpresojmë se pas dy brezave, do të kemi politikanë të
shëndoshë mendërisht. Këta që i kemi janë dhunuar në shtëpi
dhe dhunuar nga shteti në të kaluarën. Ata janë të traumatizuar.
Ata përpiqen të duken normal, por nuk janë. Ata janë mësuar të
luajnë një rol, që herë e luajnë mirë, herë keq. Ata
ndryshojnë rolet dhe bindjet sipas interesave dhe rendeve politike.
Kështu e kanë stërvitur në shtëpi.
Të
pritet sjellje e mirë prej tyre, është ca e tepërt. Aty ku fëmija
i martuar jeton sipas parimeve të prindit, aty shoqëria nuk ecën
para dhe nuk jeton kohën e vet, por të babait. Derisa të mos
depërtojë kushtetuta në familje, derisa të mos depërtojnë
liritë dhe të drejtat e njeriut në shtëpi, të drejtat e gruas,
të drejtat e fëmijës, do të besojmë se jetojmë në demokraci,
por në fakt është një iluzion, një hibrid, një centaur, që nuk
mund të sjellë kurrë rezultate. Ky mendim nuk është paragjykim,
por konstatim. Kemi edhe njerëz të mirë, por në morinë e
matrapazëve politik, ata nuk mund të depërtojnë.
Populli
në fakt ka bërë një pakt në heshtje me elitën politike.
Politikanët nuk respektojnë ligjet, populli nuk respekton obligimet
kushtetuese, prandaj demokracia jonë është surrogat i demokracive
perëndimore. Rezultati i vetëm do të jetë mërgimi, për të
jetuar diku ku respektohet dinjiteti i njeriut, sepse dinjiteti është
nëpërkëmbur, është humbur aty ku nuk duhet, në shtëpi, në
familje, në votër, pikë së pari.
Pra,
unë shfrytëzoj një të drejtë demokratike themeltare për të
shprehur mendimin tim, ashtu siç kanë të drejtën themeltare të
mos e lexojnë ata që mendojnë se dija e tyre është e përjetshme,
e mjaftueshme sepse bien në kundërshtim me bindjet fikse dhe
patriarkalizmin. Në patriarkalizëm burri fiton epërsinë e vet, jo
nga mençuria, jo nga aftësia, jo me profesionin, jo me fitimet, por
thjesht me organin gjenital. Pra, përparësi e përjetshme bazuar jo
në dije dhe aftësi, por në një organ që bën shurrën. Kaq
mjafton për të shpallur veten të gjithëdijshëm dhe despot me
kamxhik në dorë, që diskriminon dhe nënshtron familjen.
Edhe
një, deri tani janë lajmëruar katër botues, që më kanë shkruar
për t'i publikuar artikujt si libër, kryesisht temat sociale,
familjare, që do t'i kisha titulluar me “Letër Burrave.” Nuk e
kam bërë dhe nuk do ta bëj sepse kërkojnë financimin. Me
vështrimet politike, temat sociale dhe poezitë, mund të jenë diku
2000 faqe, por një financim vetjak, nuk do të fliste për vlerën e
shkrimeve, por do të fliste shumë për sedrën dhe lakminë time.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen