Mbiemri
Putin, që flet për origjinën e tij, në gjuhët sllave nuk ka kuptimin e një mbiemri familjar rus, dhe nuk e ka as në gjuhët neolatine. Me një përjashtim
të vogël. Ta vështrojmë pikë së pari në aspektin shkencor,
linguistikë, para se ta analizojmë edhe në atë empirik. "Put" në
gjuhën shqipe të folur ka kuptimin e idhullit, si shembull kemi: "E mbanin si put". Si
për shembull Berishën apo Mustafën, dikur Enverin dhe Titon, i
mbanim si put.
Domethënë
deri këtu na shfaqet trash
e qartë me origjinë shqiptare, por nëse vazhdojmë tek zëri
tjetër, që pason në fjalor, atëherë na koklavitet pak puna dhe
na shfaqet emërtimi italian për gratë solidare: PUTANË.
Këtu kemi një dilemë të
madhe linguistike dhe nëse përfshijmë edhe fonetikën historike,
mund të dalë se nga fjala PUTANË, ka mbetur rrënja e emrit PUTIN,
apo një putanë që me
përkëdhelje kanë thirrur
PUTINË; putina ime e dashur
e kështu me radhë.
Italianët
nuk duhet të gëzohen këtu. Studimi nuk mbaron.
Mund të ekzistojë
mundësia
se origjina është
edhe nga italishtja, nga
fjala PUTANË, por edhe
këtu mund të bëhet fjalë
për një burrë shqiptar, që ishte kurvë, që
ka shkuar në Itali dhe prej aty në Rusi. Rusëve
ky emër i huaj u ka pëlqyer dhe paraardhësit e Putinit
të sotshëm, e kanë ruajtur.
Nëse
italianët ngulin këmbë se me fonetikën historike
italiane
mund të shpjegohet,
edhe gjuha
shqipe ofron këtë mundësi dhe mund të jetë nga fjala PURTAGË.
PURTAGË janë vezët e kripura të thara në tym të qefullit. Këtu
mund të kuptohet pastaj pse kaviari rus është aq i njohur në
botë, dhe kjo domethënë një purtagor shqiptarë, ka shkuar në
Rusi dhe ka dërguar atje kulturën e peshkut dhe vezëve të tija.
Nëse
ndalemi këtu, atëherë kemi fituar
betejën
kundër gjuhëve neolatine
dhe mbaron studimi.
Duke pasur mirëpo parasysh se shkenca
serbe bazohet në parametra tjerë dhe shumë herë banale,
nacionaliste, atëherë
duhet të vazhdojmë me përforcimin e argumenteve.
Në
gjuhën shqipe kemi edhe fjalën PUTË, emër i gjinisë
femërore, që ka kuptimin e shpullës së këmbës. Për ta studiuar
pastaj në fushën e fonetikës historike dhe konstatuar rënien e
ndonjë bashkëtingëllore, atëherë duhet marrë në konsiderim
edhe fjalën SHPUTËR, që është SHPUTA e këmbëve tek disa
kafshë. Putra e ariut (e luanit). Putra e këmbës. Pastaj kemi
putërmadh dhe putërgjerë. Putra e tigrit. A ju kujtohen
fotografitë e Putinit me tigrin? PUTINI me tigrin që ka katër
PUTA.
2
Analiza
e dytë mund të bëhet duke u mbështetur në empirizëm, pra në
vëzhgime, në përvojë dhe në ngjarje duke ngritur paralele dhe
krahasuar me mendësinë e politikanëve shqiptar. Ato paralele do të
mundësojnë edhe shpjegimin e qartë.
Se mund
të jetë me origjinë shqiptare, flet suksesi tij për të depërtuar
në majë të shtetit nga një agjent ordiner i parëndësishëm dhe
i hedhur në periferi të perandorisë sovjetike. Pra ishte specializuar për spiun dhe arrin të bëhet kryeministër dhe kryetar dhe mund të
bëhet çfarë të dëshirojë. Këtu na shfaqet një afri
marramendëse me gjenet e politikanit shqiptar, si për nga
nisma e karrierës, ashtu edhe për nga ngulitja në pozita dhe
shpërngulja eksituese.
Sipas
traditës shumë shekullore, shqiptari aty ku arrin, kap edhe shtetin
për frena, edhe për fyti dhe gozhdohet për karrige me gozhda
çeliku. Kemi dhjetëra shembuj në Perandorinë Romake, Osmane, në
Egjipt, Turqi etj. Cila mund të jetë arsyeja për të bërë një
përjashtim Rusia? Nuk
ka asnjë arsye logjike! Pra në aspektin shkencor, filologjik,
doli shqiptar i rrastë, por
si duket do ta rikonfirmojë
këtë edhe në fushën e
filozofisë empirike.
Të
shohim edhe nga këndet
tjera: A i do shqiptarët Putini?
Jo, nuk i do. Cili
perandorë shqiptarë në Romë apo në Kostandinopojë ka dashur
popullin shqiptar? Asnjëri, asnjëri dhe kishim më shumë se 50
pushtetarë!
A
do të kishte
dëshiruar Putini ta zvogëlonte Kosovën dhe Shqipërinë? Pa asnjë
dyshim! A nuk ka dashur ta bëjë këtë Haxhi Qamili, a nuk e ka
bërë këtë Ahmet
Zogu, a nuk deshi ta bëjë Sali
Berisha me detin,
a nuk po e përgatit Hashimi me Zajednicën serbe?
A
kanë rritur perandorët shqiptarë Perandorinë Osmane dhe Romake?
Po, e kanë
bërë.
A nuk po e rrit edhe Putini Rusinë? Sikur të ishte rus i vërtetë,
nuk do ta kishte bërë kurrë dhe nuk do t'ishte acaruar aq ashpër
me Perëndimin duke dëmtuar interesat ruse, por meqenëse
ka gjak shqiptari, nuk i hanë palla për popullin rus dhe
shikoni tani si është duke fundosur Rusinë në shkretëtirë. Një
rus patriot, nuk do ta kishte bërë kurrë.
Pra,
faktet empirike flasin të vërtetën e madhe: në damarët e Putinit
qarkullon gjak shqiptar, por edhe pak gjak rus.
Këto
ishin pra fakte shkencore, por sipas doktorit Ilaz Hysaj, që punon
në Francë dhe që bëri publike origjinën e Zuckebergut, studimet
e mia, qenkan vetëm
hipoteza, por
fakti i vërtetë i origjinës
së Putininit, sipas
tij, qëndruaka diku tjetër.
Ai paska shfletuar arkivin e Shtimes dhe aty paska gjetur prova
përplasëse dhe të pakundërshtueshme. I
quan prova alivanosëse. Me të lexuar mbiemrin e
Putinit,
i kishte rënë të fikët
Ilazit dhe pasi që i kishin derdhur ujë në
fytyrë nga burimet e
Shtimes, që kishin kalitur Hajdarin, Ilazi
ishte kthyer në vete.
Në
një regjistër osman, Ilazi
kishte gjetur shëruesin e
sterilitetit, zotin Hajdar K.
Zoti
Hajdar K. paska lënë emrat e njerëzve, që ka shëruar dhe qenka
ruajtur në arkivin e
Shtimes. Arsyeja? Për të
informuar njerëzit. Për
të penguar martesa në mes vëllezërve, kur babai, ishte marrë hua
si kërcyes çasti, pro
si shërues i përjetshëm i bashkëshortësisë.
Ngjarja
me Putinët paska ndodhur dy javë pas fekondimit nga Hajdari të
stërgjyshes së
Zuckebergut, por në të njëjtin vit dhe në të njëjtin muaj. Në
bazë të regjistrit, siç tregon dr. Hysaj, ai vit qenka shënuar
edhe në një defter të posaçëm, si vit shumë bereqetli, siç i
thoshin në atë epokë.
Ajo metaforë, bereqetli,
qenka shënuar pranë mbiemrave të veçantë dhe
paska qenë si dëftuese për
Hajdarin se nga cila
familje, mund të dalin pinjoll të mëdhenj, stërpika me vlerë
planetare.
Pa
marrë parasysh se cili version, cili studim merret parasysh,
shpjegimet janë evidente
dhe për shkencën të
dëshmuar. Putini ka gjak shqiptari nëpër damarët e vet dhe pakëz
gjak rus. Për këtë flet
studimi gjuhësor dhe shpjegimi
etimologjik i
mbiemrit. Për këtë flasin
faktet empirike, urrejtja
ndaj shqiptarëve, dashuria kronike ndaj karrierës, por për këtë
edhe flet regjistri i
Shtimes. Gjersa nuk
dëshmohet diçka tjetër, origjina mbetet si e provuar.
PS.:
Në regjistrin e Shtimes
në faqen 728, ku janë kristalizuar
të dhënat për Hajdarin,
qenkan
shënuar edhe këto fise të
shëruara nga Hajdari, me
të cilët ai ka
ndaluar martesën familjes
për shkak të gjakut:
DAÇIQI,
që paska origjinën nga fisi DACI dhe është kushëri i NEXHAT
DACIT.
LAJIQI,
që është nga fisi LAJÇI.
SERTIQI,
që është me gjak shqiptar dhe nga fisi i SERTË, si dhe DREÇUN,
nga fisi DREQI. Aleksandër Vulin, nga vula, përndryshe serbisht do t'ishte quajtur Aleksandër Peçat...
Lista
është akoma më e gjatë dhe flet edhe për shqiptarë me përzierje
serbe, por kryetari i komunës, paska ndaluar publikimin e atyre
emrave.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen