16.04.2016

Mendime të ngjeshura, për ngjarje të mëdha, Bota Sot

1. Shqipëria përpiqet te behet shtet. Kosova shtiret se është shtet. Maqedonia është shtet Mafioz. Serbia është shtet psikopatologjik. Bosnja një shtet paranoid. Mali Zi melankolik. Greqia është një shtet kleptokratik. Sikur ato qindra miliarda t'iu kishin falur popullit grek, jo shtetit grek, sot ekonomia greke do të ishte në një gjendje shumë më të mirë. Mali Zi është i trishtuar nga pakica serbe, që do ta zhbënte atë me gjithë dëshirë, por pret çastin dhe urdhrin. Bosnja ndjehet e zymtë, plot frikë dhe e persekutuar. Serbia ka probleme të mëdha për të zbritur në tokë dhe vuan seriozisht nga çrregullimet të rënda psikike. Maqedonia sundohet nga klanet mafioze, në qeveri dhe opozitë. Shteti Kosovës tregon ekzistencën në facebook, tv dhe në ndonjë takim ndërkombëtar, por i forti mund ta pezullojë Kodin Penal. Shqipëria akoma nuk mund të shkëputet nga administrata e modelit osman. Në fakt ai lloj adiministrate, ekziston në krejt Ballkanin.
Kënaqësinë e atyre politikanëve patriotë makiavelistë në Ballkan, paguan populli me një depresion kolektiv.

2. Nga fjalimet e Sali Berishës dhe Hashim Thaçit, nuk ka mbijetuar asnjë mendim, që mund të përmendet apo përdoret. As Isa Mustafa nuk ishte në gjendje më të mirë. Edhe ky dërdëllis ide sugjestionuese dhe manipuluese në shërbim të karrierës. Si dy të parët. Në atë derexhe është edhe Nishani. Pozitat e tyre kanë shumë më shumë peshë, se sa ata aftësi intelektuale. Me çdo mendim përpiqen ta përforcojnë mbetjen në pushtet. Aty ndërmjet, herë pas here, punësojnë ndonjë të afërm.
3. Thaçi për mediat franceze: "Jam president i vendit që ka dhënë “Nënë Terezën.”Por ti ishe edhe kryeministër i vendit, ku u rekrutuan terroristë dhe, sot je kryetar i nja 300 shqiptarëve, që vrasin arab. Kryetar i Nënë Terezës nuk mund të ishe, por u bëre kryetar edhe i ekstremistëve, çfarë nuk duhej të bëheshe! Para Erdoganit mburret me Naim Tërnavën, tek perëndimorët me Nënë Terezën…
4 "Në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje serbe, por do të ketë vetëm grumbullim të votave nga ana e OSBE-së”, Isa Mustafa. Ky ose është gjenial sa nuk e kuptojmë, ose është i bindur, se sundon një duduk-tutkun milet. Aty ku votohet, quhen zgjedhje të lira. Pas votimit, quhet grumbullim i votave! Qytetarët e Kosovës votojnë për Skupshtinën serbe. Nëse ato zgjedhje quhen grumbullim, atëherë edhe në Serbi, nuk paska zgjedhje, sepse edhe atje, grumbullohen votat për t' u numëruar.
5. Mendimet legjendare të prillit: Thaçi – Delawies: "Do të angazhohem për ta luftuar korrupsionin!" Pikëçuditje në fund! Presidenti, Hashim Thaçi: "Të largohen ndikimet partiake nga bordet e agjencive të pavarura dhe të ndërmarrjeve publike!" Pikëmahnitëse!'
Kur prodhuesi i korrupsionit, zotohet për të luftuar frytet e veta, nuk mjafton një pikëçuditje, por duhet edhe një pikëhipokrite, që do të mund të shprehej me prapëtimin e pikëçuditjes! ¡¡¡Atención!!! Të korruptuarit janë të bindur se Thaçi nuk lufton veten, as ata që kanë ndihmuar atë. Prandaj, këto deklarata të prillit, bëhen për të treguar se sa shumë dëshirë ka për t'u bërë i drejtë, çfarë refuzoi, kur kishte pushtet. Mendimi i Thaçit mund të përkthehet kështu: Thaçi i thotë Delawies: " Do të angazhohem të motivojë qelizat kanceroze të bëjnë vetëvrasje!!! Ose, Hashim Thaçi shprehu dëshirën që qelizat kanceroze, të braktisin gjymtyrë e pavarura të trupit! Nëse nuk e bëjnë, nga zhgënjimi madh, si rrugëdalje e fundit, Thaçi do të kërkojë, qelizat kanceroze të vrasin njëra tjetrën. Me pushtetin ekzekutiv, që ka tani, kjo mund të realizohet shpejt! ¡¡¡Atención!!! Thaçi po sillet si Erdogani, ose përpiqet të minojë veprimin e Qeverisë. Si zonja Atifete që është ai tani, bazuar në kushtet, ka kompetenca të një hanëme, por jo të një burri që duhet të luftojë. Pikëhipokrite ¡¡¡Atención!!! Ndoshta edhe i drejtohet Mustafës, me një ligjërim paradoksal, por intuitiv për të: të mos prekë të korruptuarit dhe bordet e pavarura, sepse mund t'i dalë punë me të.
6. Mustafa: “Kushtetuta e Kosovës modeli më i avancuar i demokracisë.” Kushtetuta e avancuar, nuk është tregues pozitiv i një shteti, por zbatimi saj. Kushtetutës i duhen edhe njerëz të avancuar, përndryshe një kushtetutë e avancuar, në një shtet fisnor, me politikanë të retarduar, më shumë mund të shërbej ai libër si letër për ta ndezur zjarrin, se sa për t' u bazuar në të. Në Kosovë jetohet sikur të mos kishte Kushtetutë fare. Kushtetua thotë se njerëzit janë barabartë para ligjit, por në Kosovë, të pushtetshmit qëndrojnë mbi Kushtetutën. Fakti se në Kosovë Kushtetuta konsiderohet libër i i pa vlerë, është prezenca e Eulexit dhe formimi i Gjykatës Speciale.
7. Nëse shpallim Skënderbeun serb siç e quajnë vahabistët, atëherë shpallim popullin shqiptar me origjinë sllave. Skënderbeu ka mbrojtur atë çfarë ishte populli i vetë. Çdo popull mbron gjendjen e vet në çastin kur kërkohet nevoja, e nuk mbron atë që nuk ekziston, ose që do të shfaqet disa shekuj më vonë. Fundi i fundit, ai nuk luftoi në Serbi.
8. Duket se nuk ka poet shqiptar, që nuk i ka kushtuar poezi nënës, por rallë u kanë shkruar grave të veta. Ose, pak janë ato poezi, që mbahen mend për goditjen e poetit nga ai emocion i madh. Duket se është pasojë kulturore, sociale: e martesave pa dashuri. Dhe, në të shumtën e rasteve, poezitë kushtuar nënës, shprehin një ndjenjë sublime ditën e vdekjes. Metaforat që përdoren, që nga puhiza deri tek engjëllusha, në metatekst shprehin krejt keqardhjen dhe pamundësinë për të ndikuar rnë fatin e saj. Poetët, që kushtojnë poezi për humbjen, vdekjen, por jo edhe për lindjen, dashurinë, flasin shkoqur për një ndërgjegje të lënduar, për një empati të madhe dhe për diskriminim në qelizën e parë të një populli, në familje. Poezitë mund të kuptohen edhe si shprehje keqardhjeje dhe një dëmshpërblim i vonuar dhe pa ndonjë vlerë për të vdekurën. Ali Podrimja në poezinë e tij "Ti dhe uji", thotë: "Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe Femrës." Ai mendim përligj shtypjen e saj si bashkëshorte, e pastaj vajtohet nga fëmijët në rolin e nënës, por burrat pa ndryshuar kopjimin e babait, në raport me nënën e fëmijëve të vet. Sepse duhet pasur frikë nga femra, derisa nuk bëhet vetëm nënë...
9. "Jahjaga do t’i dorëzojë presidentit të ardhshëm një kopje të Kushtetutës së Kosovës." Ndoshta Thaçi lexon Kushtetutën si kryetar i Kosovës, sepse si kryeministër, ka punuar siç i konvenonte dhe as që i ka rënë ndërmend, se Kosova ka ligje, që sanksionojnë krimin, nepotizmin dhe korrupsionin. Edhe nëse e mëson përmendsh, nuk mund të ndryshojë diçka, por së paku, mund t'i gjejë nenet, që do t'ishte dashur të zbatohen, sikur të kishte ndërtuar shtetin ligjor. Sidoqoftë, tek partitë tona fisnore, din çdo njeri, se Thaçi praktikisht do të jetë kryetar edhe i PDK-ës. Siç është Albini i VV dhe Berisha i PD-ës. Tek ne kryetarët lëshojnë një karrige, vetëm pasi të kenë ngujuar një zvarranik të pa kurriz dhe të komandueshëm pas vete. Tek ne nuk rrëzohen edhe për vepra penale. Arsyeja? Zvarranikët pas tij, nuk kanë ambicie politike, ata që kanë, nuk mund t'i afrohen kryesisë. Shikoni një herë çfarë ka lënë pas vete Arbër Xhaferi dhe Rugova...
10. Gazeta shqiptare online, duhet ta bëjnë leximin me pagesë, qoftë edhe një euro në muaj. Në perëndim shumë gazeta, nuk mund më të lexohen falas. Me kalimin me pagesë dhe shfaqjen vetëm të titujve me dy rreshta, krijohet gazetari e klasit të parë dhe distancohen nga portalet e klasit të dytë. Portalet online, që përpiqen të mbijetojnë shumë herë duke kopjuar dhe duke sjellë shkrime të pavërteta, nuk do të merreshin më seriozisht. Derisa të vazhdojë kështu, atëherë gazetat serioze, fizike dhe online, do të dëmtohen, sepse nuk do të kujdesen për cilësinë, por për numrin e vizitorëve. Nëse vazhdon kështu, atëherë gazetat serioze, do të dëmtohen dhe humbin luftën në treg, edhe atë, nga gazetaria klandestine. Shtypi i mirë nuk lufton për klikime, por për besueshmëri.
11. Në vendet e mjera intelektualisht, i mençuri ka vetëm tri mundësi në jetë:
1.Të bëhet derr i lumtur dhe të vihet në shërbim të injorancës së pasur.
2.Të vuajë si Sokrat, por të vdesë me dinjitet.
3.Të braktisë sa më shpejtë vendin. 

Qëndrimi parë shndërron intelektualin në poçavër, sepse duhet të gjykojë, si i pëlqen injorantit, të cilit i shërben. Qëndrimi dytë e shndërron në shëmbëlltyrë dhe viktimë. Qëndrimi i tretë i dhuron mundësinë e veprimit, pa dhe nën këmbë mirëpo, çfarë atdhetarët i kanë mohuar brenda. Kombet e bashkuara raportojnë se kur 20.000 veta me kualifikime të larta braktisin vendin, ai vend, pëson një humbje prej katër miliardave dollarë në vit. Atdhetarët mirëpo nuk duan 4 miliard dollarë në vit. Mosprania e 20.000 vetave me kualifikime të larta, u garanton atyre pushtet të përjetshëm.
13. Disa analistë paskan quajtur tradhti ndaj LDK-ës, koalicionin eventual të PDK-ës në të ardhmen me AAK-në. Mustafa ka ditur për një mundësi të tillë, por pa pranuar 'abuzimin', nuk do të bëhej kurrë kryeministër. Domethënë, duke u 'abuzuar', ka përfituar diçka. Këtë populli do ta shpjegonte me: "m'rrove, t'rrova, brisku i Hashimit." Për njeriun me dinjitet është, si kur një burrë, dhunohet nga një tjetër burrë, por duke u larguar dhunuesi, hedh te këmbët e të dhunuarit lekë, ose e falënderon për kënaqësinë! I dhunuari kthehet si poçavër në shtëpi, por lekët, ose falënderimi, e ngushëllojnë aq shumë, sa ai arsyeton abuzimin.
14. Kur mbrohej komunizmi, mbroheshin uzurpatorët e pushtetit. Kur mbrojmë demokracinë, mbrojmë të drejtat tona vetjake. Kur nuk mbrojmë të drejtat tona individuale, i hapim rrugën diktaturës ose kaosit.
15. Rezultati i imazhit të keq të Kosovës gjatë sundimit të Thaçit dhe propagandës anti perëndimore, është Autonomia serbe!
16. "Telefoni i mençur", ky është togfjalëshi më i trashë, që lexohet nëpër gazeta. A thua televizori, frigoriferi, nxehja qendrore, rryma, aparati fotografik, kompjuteri, poçi, antena, pajisjet elektrike nëpër spitale qenkan injorante? Një pajisje, një aparat, nuk mund të jetë as i mençur, as injorant, sepse pa njeriun, është gjësend, që as funksionon, e as nuk mëson.

Keine Kommentare: