Heshtja
jote do të kishte dëshmuar urtësi. Ti mund të dëmtosh me
politikën tënde një komb të tërë. Unë mund ta shajë Donald
Trumpin si të dua, sepse përfaqësoj vetveten. Ti përfaqëson
interesa kombëtare, unë vetëm mendimin e lirë.
Donald
Trump do të jetë problem amerikan, nëse votohet, në rend të
parë. Në të dytin, mund të shkaktojë një defragmentim të
aleancave dhe rendi botëror, mund të pësojë metamorfoza të
tmerrshme. Kjo mund të thuhet nëse bazohemi në racizmin e tij,
ksenofobinë dhe në ndarjen e popujve në religjion. Për ne është
shqetësuese dhe nuk dihet si do të përfundonte çështja e
Kosovës. Gjatë fushatave, mirëpo, dëgjohen shumë herë premtime,
që pas zgjedhjeve, nuk janë të zbatueshme. Ti si politikan, din më
mirë se unë këtë. Prandaj, heshtja ishte urdhër. Frika nuk është
këshilltare e mirë në politikë.
Duke
pasur parasysh mospajtimin e tij me intervenimin amerikan, simpatinë
me Putinin, qëndrimin e tij ndaj demokracisë, qëndrimin e tij ndaj
islamit, atëherë politikani shqiptar, duhet të mendojë një javë,
para se të artikulojë një fjalë.
Si
kryeministër i vendit, jo drejtor i një Kopshti Zoologjik, ke
mundur të deklarosh: “Populli im, është ndër popujt më
amerikandashës në botë dhe shpresoj se Trump, nuk na vështron
vetëm nga prizmi armiqësor fetar.” Ky mendim do të prodhonte një
mundësi të re, një shpresë të re, për të mënjanuar rrënimin
e raporteve. Qëndrimi i dytë dhe akoma më i mirë se i pari, është
heshtja. Siç heshtin edhe liderët e vendeve perëndimore. Ti
zgjodhe dërdëllitjen sipas stilit të Enverit. Për fat të keq, u
citove edhe nga gazetat amerikane. Amerika mundet pa ne, por ne pa
Amerikën, ose me Amerikën e drejtuar fetarisht, mund të humbim dy
shtete. Pyetjes që duhet t'i përgjigjet politika shqiptare
urgjentisht, jashtë dhe brenda, është kjo: si është e mundur që
gjendja aktuale shqiptare, i konvenon pikërisht Serbisë dhe
Greqisë?
Liderët
perëndimor natyrisht se përcjellin fushatën me druajtje, por
parapëlqejnë heshtjen, për të mos ndikuar në rritjen e
përkrahjes. Është tepër herët, është tepër vështirë të
besohet se një popull aq i ngritur, të votojë një rrënues të
vlerave perëndimore. Fitorja tij, do të kthente Perëndimin në
epokën e para Revolucionit Francez, në
kohën e kryqëzatave. Fitorja tij, do të ndryshonte edhe
BE-në dhe NATO-n.
Natyrisht, nëse i besojmë premtimeve parazgjedhore.
Shqiptarët
janë në Europë dhe fati jonë varet krejt nga kjo Europë.
Mendimet tua për Trumpin, duhet të jenë biseda kafenesh, por jo
publike. E para, mendimet tua, nuk mund të ndryshojnë gjë në
SHBA, e dyta, nuk është e moralshme ndërhyrja në fushatë
parazgjedhore, e treta, liderët kryesor po heshtin. E katërta, në
Europë nacionalizmi dhe radikalizmi janë në rritje, si reaksion
ndaj ekstremizmit islamik. Një ekstremizëm prodhon tjetrin. Sot
edhe në Europë fitohen votat me qëndrim antiislamik. Dëshmi kemi
në Francë, Poloni, Hungari edhe shumë vende tjera të BE-së, por
para një muaji, edhe në Gjermani, sa AFD (Alternativa
për Gjermani, e Frauke Petrit), në
Saksoni Anhalt, fitoi 25 për qind të votave.
Fundi i
fundit, askush nuk merr si gjykim të rëndësishme për politikën
globale, një mendim të një kryeministri të Ballkanit. Ti ke punë
tjera. Dhe nuk mund të zgjedhësh asnjë problem të politikës
botërore, edhe sikur të ishe bir i Einsteinit. Mençuria jote më e
madhe do të jetë, ruajtja e aleancës me SHBA-të. Çdo dëmtim i
atyre marrëdhënieve, është i mirëseardhur për sllavët në
Ballkan dhe Greqinë.
Prej
teje pret populli edhe një vizion, një mundësi, si të dëmtohet
më pak kombi shqiptar, edhe nëse fiton Donald Trump, por nuk është
detyrë e një kryeministri të parashikojë rrënimin e raporteve.
Këtë mund ta bëjë çdo çoban, që përfaqëson vetveten, por
kurrë jo një kryeministër me dy palë mend në kokë. Pra, kur e
liga troket në derë, duhet të përgatitemi si të parandalojmë,
si të zvogëlojë dëmin, jo t'i
hapim dyert e dritaret, siç je duke bërë me një arrogancë, që
ne na brengosë si popull. Me kërcënimin për prishje të
marrëdhënieve, mund të impresionosh vetëm Kalifatin.
Se
Trump është i çoroditur dhe i obsesionuar si Erdoani, shihet
qartë, por gjithmonë nacionalisti ndërsehet nga nacionalisti,
sociopati provokohet nga sociopati, psikopati tundohet nga psikopati,
kurse i urti, ngacmohet vetëm nga i urti. Po ti ç'pate që
krekosesh duke pasur popullin ndër më proamerikan në botë? Pse
nuk i dha një shansë këtij fakti? Kjo e vërtetë, nderon
shqiptarët dhe është tepër herë të trishtohemi nga zgjedhje e
tij, por nga Trump, do të duhej të trishtoheshin konkurrenti i tij
Erdogani me ekstremizmin e tij osman dhe familja mbretërore saudite,
që shërben si inkubator i terrorizmit.
Me
Erdoanin dhe marshin e tij fetar nëpër botë, dhe me Trumpin në
anën tjetër, si rival i denjë i tij për nga idetë fikse dhe
paragjykuese, me Putinin e armiqësuar me Erdoanin, me miqësinë e
Trumpit me Putinin, do ta kemi një botë të ndarë në krishterim
dhe islam dhe do të rrumbullakohen premisat për një përplasje të
madhe në mes të religjioneve. Jo në mes të qytetërimeve, sepse
dihet mirë, religjionet, nuk prodhojnë kurrë qytetërime, por
shkërbime shekullore dhe ngrirje të kulturave. Kombit shqiptar më
së paku në botë, i konvenojnë luftërat fetare. Këtë kanë
kuptuar rilindësit dhe qysh atëherë, u përpoqën ta reduktojnë
në jetën e shqiptarit.
Në
çaste të tilla, nuk hidhet ujë në benzinën e ndezur, por
shqyrtohet mundësi më pak dëmtuese. Ti ke obligim mbrojtjen e
kombit, edhe nëse fiton Trump. Sot për sot, aktin më të urtë, që
mund ta bësh, është, të kërkosh ndjesë, se je marrë me atë që
nuk të takon për nga detyra. Taravolët kanë frikë nga pendimi,
po jo burrat e vërtetë. Askush nuk kërkon prej teje të jesh i
përkryer, por çdonjëri kërkon, të mos dëmtosh kombin me
hapareshje dhe me turr si një çapkëne sedërfyer, e brishtë.
Prandaj,
cum grano salis!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen