23.07.2016

Ju flet Dalai Lama

Janë vetëm dy ditë në të cilat njeriu nuk mund të bëjë asgjë. Njëra është dje, tjetra nesër. Kjo do të thotë se Sot është dita më e përshtatshme dhe më e saktë për dashuri, besim dhe në radhë të parë, për të jetuar!

Nëse ti beson se je shumë i vogël për të bërë ndonjë ndryshim, atëherë përpiqu të flesh në një dhomë, ku gjendet një mushkonjë.

Jeta e të gjitha qenieve të gjalla, qoftë njerëz, qoftë kafshë apo gjallesa tjera, ka shumë vlerë dhe të gjithë kanë të drejtën e njëjtë për të qenë të lumtur. Çdo gjë që popullzon planetin tonë, zogjtë dhe kafshët e egra, janë bashkudhëtarë tanë. Ato janë pjesë e botës sonë, ne ndajmë botën së bashku me ta.

Mos harro se heshtja ndonjëherë është përgjigja më e mirë!

Vuajtja fisnikëron njeriun. Vetëm ai që duron vuajtjen, kupton lumturinë.

Mos harro, marrëdhënia më e mirë është ajo në të cilin dashuria për të tjetrin është më e madhe se sa epshi ndaj tij!

Respekto veten, respekto të tjerët dhe merr përgjegjësinë për atë çfarë bën!

Nëse je duke u përlarë me miq të dashur, merru vetëm me problemin aktual – të kaluarën lëre të pushojë!

Një kusht për paqen është respektimi i të qenit ndryshe dhe respekti për shumëllojshmërinë e jetës.

Kjo është feja ime e thjeshtë. Ajo nuk ka nevojë për tempuj, as për filozofi të komplikuar. Truri jonë dhe zemra jonë janë tempujt tanë.

Ironia dëshiron që ne edhe kur kemi fituar objektin e dëshiruar, ende nuk jemi të kënaqur. Në këtë mënyrë, lakmia nuk merr kurrë fund dhe është një burim i vazhdueshëm telasheve. I vetmi antidot i lakmisë është mirënjohja dhe modestia.

Dashuria dhe empatia janë themelet për paqen botërore - në të gjitha nivelet.

Jeto një jetë të mirë, një jetë të ndershme! Kur të plakesh dhe mendon për atë kohë, do ta shijosh edhe një herë atë.

Të ushtruarit e durimit, na ruan nga humbja e qetësisë. Kjo na jep mundësinë për të trajnuar aftësinë tonë gjykuese, madje edhe në situata shumë të vështira. Kjo na dhuron hapësirë të brendshme. Dhe, përmes kësaj hapësire, fitojmë një sasi të vetë-zotërimit, e cila na lejon për të reaguar në mënyrë të duhur në situata të tendosura. Me empati, në vend se të nxitemi nga zemërimi dhe inati!

Esenca e vërtetë e qenies njerëzore është mirësia. Ka dhe cilësi tjera që përfitohen nga edukata dhe dituria, por nëse dëshiron të bëhesh një qenie njerëzore dhe t'i japësh një kuptim jetës, atëherë është e domosdoshme të kesh një zemër të mirë.

Në botën e sotme materialiste ekziston rreziku që njerëzit të bëhen skllevër të parave, thua se janë rrotëza të një makine gjigante për shtypje parash. Ajo nuk ka asgjë të përbashkët me dinjitetin e njeriut, lirinë, ose me mirëqenien e vërtetë. Pasuria duhet t'i shërbejë njerëzimit, jo e kundërta.

Zhvillimi i vlerave të brendshme është i ngjashëm me ushtrimet fizike. Sa më shumë që të trajnojmë aftësitë tona, aq më të fortë bëhemi. Dallimi është, ndryshe nga trupi, zhvillimi i mendjes nuk ka asnjë kufi se sa larg mund të shkohet.

Unë gjej shpresë në ditët më të errëta, dhe fokusohem në ato më të kthjellëta. Unë nuk gjykoj universin.

Dhimbjen e tjerëve më duhet ta luftoj, për shkak se dhimbja e tij, është si e imja. Edhe të tjerët janë qenie që ndjejnë si unë. Prandaj më duhet të veprojë për të mirën e tyre.

Luftërat linden nga dështimi për të kuptuar të të qenit njeri në një mënyrë tjetër.

Çelësi për t'iu gëzuar një jete të lumtur dhe të përmbushur, është vetëdija. Kjo është esenca.

Kur jemi të zemëruar, verbërohemi ndaj realitetit. Zemërimi ndoshta na jep për një çast një hov të shkurtër të energjisë, por kjo energji, është e verbër dhe bllokon një pjesë të trurit që dallon të drejtën nga e gabuara. Për të përballuar një problem duhet të mendojmë realisht dhe praktikisht. Kur të jemi të aftë për këtë, atëherë mund të përdorim si duhet inteligjencën tonë njerëzore, prandaj kemi nevojë për një mendje dhe shpirt të qetë.

Nëse vetëm kërkesa do të mjaftonte për ta arritur lumturinë, nuk do të kishte vuajtje, sepse vuajtje nuk kërkon askush.
Hapi krahët për ndryshimet, por mos i humb dhe ki parasysh vlerat tua!

Ne jemi lindur të gjithë të barabartë në kuptimin që ne të gjithë jemi qenie njerëzore. Ne kemi të gjithë të njëjtën dëshirë që nga lindja: për të shmangur vuajtjet dhe për të gjetur lumturinë.

Fitojmë respektin e vërtetë kur kërkojmë kontakt me njëri-tjetrin për të kuptuar dhe pranuar vlerat e njëri-tjetrit. Kështu mund të zhvillojmë admirimin në vlerësimin e vlerave të ndërsjella.

Pasoja e parë e zemërimit është se ai shkatërron paqen tënde të brendshme. E dyta është se ai shtrembëron vështrimit tënd për realen. Nëse mendon për pasojën, do të kuptosh se zemërimin dhe inati nuk na ndihmojnë, por veprojnë në mënyrë shkatërrimtare në brendinë tonë. Kur ne të nisim distancimin nga zemërimi dhe inati, ato ndjenja nuk kthehen kurrë më tek ne.

Natyra e vërtetë e mendjes është dritë: terri mund të shfaqen vetëm përkohësisht.

Individë apo qeveri: parimi që duhet të na udhëheqë, është ajo e të Drejtave të Njeriut. Fakti i të jetuarit në një vend, ku të drejtat e njeriut ekzistojnë dhe ne gëzohemi për to, përfshin brenda vetes domosdoshmërish edhe detyrat dhe përgjegjësitë.

Kuptimi i vërtetë i jetës sonë është të kërkuarit e lumturisë. Pa marrë parasysh se në çfarë religjioni një njeri beson, ai është duke kërkuar diçka më të mirë në jetë. Unë besoj se lumturia mund të arrihet me shkollimin e shpirtit.

Me zemërimin njeriu humb inteligjencën e vet.
Ne nuk jetojmë për të besuar, por për të mësuar!
Dija që nuk bën asgjë, është e barabartë me injorancën!
Nëse humb, mos harro mësimin!

Kush është Dalai Lama?

Dalai Lama është një njeri urtë, prandaj apo pikërisht për atë arsye botëkuptimi i tij është shumë i thjeshtë: “Filozofia ime është ndershmëria”, pat thënë një herë. Dashuria dhe bashkë-ndjesia janë shtyllat kryesore të bindjeve të tij. Si “Budë i gjallë” na përkujton se sikur t'i kultivonim ato dy virtute, dashurinë dhe bashkë-ndjesinë, jeta jonë do t'ishte shumë më e bukur, shumë më miqësore dhe shumë më e përmbushur. Meqenëse ai ka thënë shumë mendime të bukura, përktheva për lexuesit disa prej tyre për t'i vënë në përdorim në çaste të vështira. Kështu shkollohet shpirti, qëndrimi jonë sipas Dalai Lamës.

Dalai Lama i XI është murg budist dhe emri tij i vërtetë është Tenzin Gyatso. Që nga ulja në fron, ai është, si edhe Dala Lamat para tij, i pari i qeverisë së Tibetit. Tibeti është i pushtuar nga Kina, por ai gjithmonë kundërshton çlirimin me dhunë. Në vitin 2011 dha dorëheqje për t'iu kushtuar jetës shpirtërore. Çfarë është Dalai Lama? Dalai Lama është titulli më i lartë i trylkus brenda Gelug- Shkollës budiste të Tibetit. Trylku përkthehet me “Buda i gjallë.” Në takime atij i drejtohen me: Shenjtëria Juaj.

Nga gjermanishtja LB



Keine Kommentare: