01.08.2016

Gjynah, mos kritikoni Thaçin dhe Mustafën! BOTA SOT

Në një intervistë për gazetën “Danas” të Serbisë, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar fundin e karrierës politike. Nuk ishte çudi pse paralajmëroi fundin, por pse i tregoi pikë së pari Serbisë, duket si shumë xigëluese, tmerruese dhe shqetësuese. Ndoshta kumtin ua dhuroi si shpërblim, ose si obligim. Zakonisht fundin e karrierës politike paratregojnë në Perëndim ata që i kthehen profesionit, ose biznisit të vet dhe që kanë hyrë në politikë vetëm për të realizuar ndonjë ide. Se çfarë profesioni apo çfarë pasioni ka për detyrën tjetër Thaçi, nuk din askush, siç nuk din askush se ku dhe kur përfundoi studimet. Gjeniu Hashim Thaçi i shpalosi Serbisë këtë sihariq:

Dëshiroj të theksoj se politika nuk është jeta ime. Presidenca është dalja ime nga jeta institucionale e politikës kosovare!”

Ky njeri nuk është tamam. Me politikë është marrë tërë jetën, por nuk qenka politika jeta e tij, domethënë e paskan detyruar të merret me politikë sa për të krijuar një republikë tribale, ku çdo gjë jashtëligjore funksionon në mënyrë të përkryer, po ku ligji nuk respektohet as nga prokuroritë, as nga gjykatat. Edhe pse është marrë tërë jetën me politikë, ai pa ngurruar tregon se gjendej rastësisht brenda, se e detyruan, por meqë arriti majën, dëshiron të largohet, sepse ëndrra tij nuk ishte politika, por ndoshta astronomia, biologjia molekulare, ose falli me filxhan. Tani kuptohet pse nuk arrit gati dhjetë vite të realizojë liberalizimin e vizave. Jeta tij nuk ishte politika, por matematika fisnore dhe monetare!

Thua se pak ishte ai mendim për të treguar një luhatje dhe sindromë koncentrimi, ja çfarë i tha sekretarit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të kombeve të Bashkuara: 
"Procesi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është nisur nga Kombet e Bashkuara..."
Ky kryetar, sa herë hap gojën, përforcon bindjen se ka çrregullime të tmerrshme psikike. Procesi teorik i pavarësisë ka nisur qysh nga ndarja e Kosovës nga Shqipëria, procesi praktik nisë kur Clinton urdhëroi Sollanen dhe Georg Bush në Tiranë lejoi nismën, (i cili së shpejti do të zbulohet se ishte me origjinë shqiptare dhe pinjoll i Bushatlinjëve, por nuk e thotë akoma se i vjen marre. Është shumë introvers). Nëse ia dëshiron dikush të mirën Thaçit, le ta këshillojë t'i bjerë vetes mas, jo vetëm Thaçi vetes, por edhe krejt skuadra e këshilltarëve.

Lexoni dhe Einstenin tjeter, Isa Mustafën, i cili para dhjetë ditëve pat pushuar nga detyra zëvendësministrin e jashtëm Petrit Selim, duke thënë se nuk do të jetë më në krye të Sifadave të Mijëvjeçarit, por që sot, e kthen përsëri në detyrë duke shtuar:

"Petrit Selimi, në përputhje me aktet ligjore, do të vazhdojë angazhimin në postin e koordinatorit nacional në Zyrën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Kosova si asnjë shtet në botë, ka Zyrë për Sfida të Mijëvjeçarit. Pata menduar se e përjashtoi pse ka kuptuar se Selimi nuk jeton deri ne vitin 3.000 dhe se do të pensionohet diku me 700 vite, si personazhet e biblës. Njeriu që kontribuon shtatë shekuj, meriton nja tre shekuj pushim. Jo, e paska kthyer përsëri për të punuar për mijëvjeçarin. Sigurisht keni vënë re në kllapa tri shkronja të mëdha: “MCC”. I ka shkruar për të treguar se është akademik, por çfarë kuptimi kanë ato shkronja? Mustafa i Cokatur Cullak? Nuk mund të besohet, edhe pse mund të merret me mend. 

Mos ndoshta ka dashur të shkruajë ndonjë numër në latinishte? Jo, pse i duhet ai numër? Numri “M” në latinishte është numri 1000 arab. Numri i latinishtes “C”, është numri 100 arab, që nuk është vështirë të kuptohen edhe germat fillestare të fjalëve përkatëse në italisht apo frëngjisht. Nëse deshifrimi qëndron, çfarë vështirë të kundërshtohet, atëherë enigma zgjidhet dhe shihet se kryeministri nuk i ka caktuar një detyrë Petrit Selimit për 1000 vite, por për 1200 vite. 1200 vite me numra arab, janë “MCC” romake. Të themi se i vetmi akademik si kryeministër në Europë, ka dashur të shkruajë vitin 2100, atëherë është dashur mirëpo të shkruante “MMC”, kjo mirëpo nuk mund të besohet, sepse përndryshe Zyrën e Petrit Selimit, do ta kishte quajtur Zyra e Sfidave Shekullore, ai në fakt e quan 'Zyra e Sfidave Mijëvjeçare.' 

Domethënë ai ka themeluar një zyrë që do të merret me jetën e dardanëve për 1200 vite. Kjo është arsyeja pse ata nuk merren shumë me të tashmen. Dhe, duke u bazuar në mençurinë e tyre, duhet të jemi të kënaqur me demarkacionin dhe me aq pak autonomi për serbet. Për fat serbet nuk kanë kërkuar deri në General Jankoviq, Hani i Elezit, këta dy, do ta kishin nënshkruar duke e shpjeguar me kilometra romake.

Kur lexohen mendimet e Thaçit dhe Mustafës, atëherë kuptohet pse nuk liberalizohen vizat. Politikanët europianë mendojnë se ne duhet në jemi në gjendje mendore shumë më të ligë se sa ata dy. Meqenëse i kemi në krye të vendit, Europa është e bindur se kemi zgjedhur më të aftit: njëri akademik, tjetri ndoshta doktor i shkencave. Duke parë aftësitë e tyre, ata tuten të liberalizojnë vizat. Na imagjinojnë si shumë të rrezikshëm për rendin dhe paqen publike. Fundi i fundit, kjo nuk është për tallje, por për keqardhje dhe pasi lexova ato mendime, thash vet me vete: gjynah të kritikohen ata dy. Ata nuk dinë më shumë. Ndoshta dëshirojnë shumë, por nuk munden.
Është po aq gjynah të kritikohen ata me çrregullime kognitive, si edhe të verbëritë. Sigurisht nuk ishte dëshirë e tyre të jenë aq të trash nga mendja, por nuk mund ta ndërrojnë gjendjen as ata, as ne.

Për fat të mirë kemi disa ambasadorë, të cilën kujdesen për mos ta plaçkitur at shtet të improvizuar, sepse pa ta, do t'i vidheshin kuvendit, kryeministrisë dhe presidencës edhe dyert dhe dritare. Dhe, të parët do ta bënin, ata që kanë aprovuar ligjet kundër vjedhjes. Duke rënë numri i hajnave në popull, mbetet diçka për ta. Ngushëllime Kosovës. Ndryshe kjo gjendje nuk mund të shprehet me fjalë.


Keine Kommentare: