
kur të shqova si grua
pash tiparet tua femërore:
sytë tu, si druajtja
buzët tua, si ftesa
qafa jote, si kureshtja
thonjtë tu, si gërvishtja
gjoksi yt, si ngucja
prehri, si ngrohtësia
vithet, si përkëdhelja
dhe rreth flokëve tua gjeta një brerore
kur hapa këmishën tënde
pash hirin e rrallë
ndermjet kofshëve tua
kundrova jetën dhe vazhdimësinë
pastaj frikën
pastaj pasigurinë
pastaj xhelozinë
ngardhe ngarendnin ngatërruar
dhe flatrat fërfëlluar në fërfërimë
aty thash vet me vete
je e imja
ti ofshane si një shtrëngatë me duf
dhe duke veshur fustanin tha:
ti je, vetëm kur më dashuron
unë ika si stuhi
ti ike si puhizë llastore
dhe more frymë thellë
si lazdrake lazmuar në lazdrim
duke lënë hije të rëndë pas vete
si një mjegullnajë epshi dhe zhgënjimi
zgurdhë zgurdullimi zgërlaqur
flashkët dhe qull dhe gati grahmë e dashurisë
eu, sa hijegjatë dashuria
çfarë thellësie o zot...
Nga përmbledhja me poezi Hijedritat e jetës te lulu
Tek amazon