Kur
të konstatosh se elita e popullit nga i cili dole, prodhon aq shumë
maskarallëqe, sa turpërohesh e të vjen gërdi pse je pjesëtar i tij, ky është
pikërisht çasti kur duhet mbetur dhe kur duhet bërë rezistencë. Pra, çasti kur
duhet treguar se nuk jemi të gjithë si ata! Diferenca është cilësia e një
kombi, jo njënjëshmëria! Kur ikën ajo cilësi, atëherë humbja e shpresës është definitive!
Shumë
prej tyre janë figurant dhe një ditë nuk do të shfaqen as në statistika. Para
atij numri, duhet „kryengritje”, jo dorëzim. Cilësia nuk humb para sasisë, prandaj
mbijeton e bukura, e mira, arti, filozofia, letërsia, shkenca...
"Ikja"
ndihmon pikërisht ata, që Ti konsideron shkaktarë të gërdisë kolektive! Çdo largim,
është një fitore më e madhe për ta! Mos i ndihmo, përndryshe do të jesh i denjë
për t’ u konsideruar si ata, që të detyruan të arratisesh! Mos u dorëzo para të
ligës! Luftoje atë, sepse ajo kurrë nuk mund të mbijetojë, nëse ne nuk ia
mundësojmë me nënshtrimin apo arratisjen tonë! Nuk na duhen armët, por çdonjëri
me mundësinë dhe dijen e vet!
Ikja
krijon shembull dhe motivon të tjerët! Pra, duke menduar se me veprimin tonë dëmtojmë
ata, bëjmë pikërisht të kundërtën dhe përforcojmë pozitat e tyre duke ndihmuar implozionin!
Populli nuk është subjekt në njëjës, por në shumës. Ka shumë të mirë aty që
luftojnë këtë improvizim shteti, ose që nuk kanë dije dhe mundësi ta bëjnë. Ata
kanë nevojë për idealistë, edhe për personalitetet të artit si Ti.
Ne
kemi shumë sharlatanë dhe mediokritete në politikë, por ka dhe kombe tjera, që
janë dëmtuar prej elitave të tyre shumë më shumë se sa mund ta bëjnë tanët.
Tanët janë hajna, ndoshta edhe mafioz, sigurisht edhe vasalë, por ne brenda dy
dekadave, nuk bëhemi as gjerman, e as amerikan!
Për
të mbetur në bisht të Europës, u punua me shekuj. Për të hyrë në mes të saj, në
krye jo se jo, na duhet pesë deri në dhjetë dekada! Durim! Te ne rendet
ndryshojnë, mund të ndryshojnë edhe shumë shpejtë, por mendësia jonë, nuk
ndryshon aq nxitueshëm, si do ta dëshironim ne. Pinjollët e diktaturës janë marrë
me ndërtimin e shtetit ligjor. Ata nuk dinë më shumë, nuk munden më shumë!
Kjo
vlen për Shqipërinë, në Kosovë, ata që dje rrezikuan jetën për atdhe, sot janë
milionerë dhe kanë qerasur Erdoganin me ndërmarrje publike, që sjellin qindra
milion fitime në vit. Me ato lekë, qeveria turke promovon osmanizmin si
patriotizëm shqiptar, të cilin mbështet edhe Rexhep Qosja. E kush kishte marrë
me mend një mimikri të tillë?!
Edhe
pse jo nder plotë, Shqipëria nga rrëzimi i diktaturës, ka bërë disa hapa para.
Jashtë kufirit ecet herë para, herë prapa. Shkurt, një para dhe dy prapa! Të
kënaqur nuk jemi, por të mirët nuk arritën të profilizohen. Ata kanë nevojë për
mbështetjen tonë! Së paku të mos humbim shpresën!
Agim
Hushku, ne të duam se je njëri prej nesh. Njëri prej atyre të zhgënjyerve, siç
jemi edhe një armatë e tërë, prandaj, rri me ne! Mos i dobëso radhët tona! Nuk
jemi të gjithë të njëjtë. Unë i gëzohem sukseseve Tua dhe ndjehem mirë që jam shqiptar
si Ti, dhe, i zhgënjyer sa Ti, ndoshta edhe më shumë se Ti.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen