22.10.2017

Ibrahim Kelmendi dhe akuzat

Është një zogori, që përpiqet të shpallë fajtor Ibrahim Kelmendin dhe kështu të mbulohen gjurmët e vrasësit të vërtetë të Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Akuzuesit nuk kanë prova, që mund të dëshmohen para një gjykate, por kanë aftësi të jashtëzakonshme në prodhimin e hutesës dhe në manipulimin e një lukunie, e cila nuk është në gjendje të logjikojë, por vetëm të besojë. Besimi nuk është fakt, është interes në rend të parë, por edhe pranim dhe pajtim për të penguar hetimet në drejtimin e duhur. Ibrahim Kelmendi jeton në Gjermani dhe këtu nuk mund t’i iket drejtësisë si në Ballkan!

Fajtorë me paramendim nuk janë vetëm akuzuesit, që fitojnë rehatinë e përkohshme vet duke hedhur fajin aty ku nuk duhet, por fajtorë janë edhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, të cilët kanë heshtur dhe heshtin. Ata nuk mund të njohin vrasësin, kjo nuk kërkohet prej tyre, por ata me bindje të plotë mund të flasin kush ishte Ibrahim Kelmendi. Këtë dinë ata shumë mirë. Ata e njohin nga afër. Njohin angazhimin e tij, njohin atdhedashurinë e tij dhe njohin idealizmin e tij. Mirëpo, duket se edhe asaj elite politike në Kosovë, i ka konvenuar stigmatizimi i tij, sepse kështu përjashtohej ai si konkurrencë nga shkallët e karrierës politike.

Ibrahim Kelmendi në aspektin intelektual është më i fuqishëm se të gjithë ata që sot në Kosovë shijojnë pushtetin dhe përparësitë që sjell ai, gjersa ai vet merret me iluminizëm, me prezantimin e të së vërtetës në historinë e fundit të Kosovës, duke vazhduar i pa shqetësuar për të dhënë kontributin vet për këtë komb, i cili shumë herë, të hedhë në dilema trishtuese!

Ibrahim Kelmendi nuk ka lindur për vete, ai ka lindur për t’u sakrifikuar për të tjerët.  Ai vazhdon edhe sot të veprojë për kombin.

Të luftosh tërë jetën për çështjen kombëtare dhe në fund të ndjesh domosdoshmëri, nevojë të mbrohesh nga akuzat që prodhojnë imazh të kundërte me atë të atdhetarit, nuk është vetëm tragjedi për një jetë njeriu, por ngjarje që mund të ndodhë vetëm në një shoqëri të paarsimuar, të pavetëdijshme dhe jo të ngritur. Shoqëri ku besohen përrallat dhe legjendat si ndodhi të vërteta. Shoqëri e cila beson në fatin e njeriut duke e lexuar atë në fundërrinën e filxhanit të kafesë.

Akuzuesit konsiderojnë Ibrahim Kelmendin bashkëpunëtor të UDBA-së. Merreni me mend tani këtë fakt që di çdo shqiptar: Ibrahim Kelmendi ishte anëtar i LPK-ës dhe ndër themeluesit e UÇK-ës. Dhe mendoni vetëm për një çast këtë: Serbia angazhon spiunin e vet për të kryer atentate. Çfarë bën më vonë Serbia? Ajo urdhëron Ibrahim Kelmendin të themelojë apo bashkëveprojë në LPK, ku do të bëhej publike aparteidi serb. LPK ishte atëherë ajo organizatë, ajo parti që përhapte në Perëndim diskriminimin dhe projektet fashiste antishqiptare serbe.

Të vazhdojmë rezonim sipas interesave: Meqenëse Ibrahim Kelmendi denoncon me sukses politikën serbe në kohën kur Jugosllavia ishte e dashura e Perëndimit, atëherë UDBA e impresionuar dhe kënaqur me suksesin e tij, urdhëron Ibrahim Kelmendin të merret edhe me themelimin e UÇK-ës, rrjedhimisht me organizimin e kryengritjes!!! Këtu përfundon gjykimi i drejtë njerëzor dhe shfaqet arsyetimi prej psikopati!

Sikur Ibrahim Kelmendi të ishte vrasës i tre dëshmorëve, atëherë na rezulton -  ndryshe nuk mund të gjykojë një mendje e shëndoshë, merreni me mend tani këtë, - se UDBA si përkushtim kryesor të vetin kishte organizimin e kryengritjes dhe themelimin e shtetit të Kosovës.  Akuzat kundër Ibrahim Kelmendit, meritat për krijimin e shtetit të Kosovës, ia kalojnë Serbisë!

Duket ky një përkufizim skizofrenik? Po, është i tillë dhe nuk mund të quhet ndryshe, sepse të konsiderohet ai vrasës, ose vetëm kur ngrihen dyshime, me veprimtarinë e tij që nuk mund të zhbëhet, e as të shpërfillet, do të rezultonte se Serbia ndihmoi në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Sa herë kur një vrasës nuk zbulohet, pas tij gjendet një shërbim sekret, që ka organizuar eliminimin deri në detaje më të vogla. Hetimet në raste të tilla nuk ndriçojnë krimin. Në kohën kur ndodhën vrasjet, shërbimi sekret jugosllav vriste në Gjermani edhe patriotë kroatë. Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, nuk mund të bënin përjashtim, sepse e përgënjeshtron koha dhe normat që ekzistonin.

Pra një fakt është i qartë: Pas vrasjes qëndron shërbimi sekret, por kush është vrasësi, një ditë do të merre vesh. Ajo çfarë mund të thuhet sot është kjo: Ngritja e akuzave kundër Ibrahim Kelmendit ka vetëm një qëllim: Të drejtojë dyshimet në drejtim të gabuar dhe të shpërblehet vrasësi i vërtetë, sepse ai, ose ata, janë akoma në shërbim të Serbisë. Në shumë drejtime  dhe në shumë fusha, opinioni publik kosovar vepron pikërisht ashtu si i konvenon Serbisë. As këtu nuk bëhet përjashtim!

Çdo njeri që beson versionin e përhapur për qëllime politike serbe, ndihmon Serbinë, ndihmon vrasësin dhe akuzon një atdhetar shqiptar i cili tërë jetën e vet i kushtoi kombit, jo për falënderime, jo për mirënjohje, por se vet ndjente obligim të japë kontributin  e vet për të mirën e përgjithshme shqiptare.

Nuk mund të thuhet kush është vrasësi, ose vrasësit, nuk e di as drejtësia gjermane, por mund të pohohet dhe konstatohet vetëm se kush nuk mund të jetë. Ai është Ibrahim Kelmendi, të cilit i detyrohet shumë ky popull, kjo liri dhe ajo Qeveri!

Libra nga Lis Bukuroca

Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër. Unë mund të vendos vetëm për çmimin te lulu, jo te botuesit tjerë.

Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore, Shtatë parimet e dashurisëHijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.

Keine Kommentare: