Herë pas here dëgjohet se filani
është homoseksual, filani apo filania është biseksuale, tjetri aseksual e
kështu me radhë. Krejt ata cilësorë janë artikulim dhe përkufizim mizantropik. Kur
thuhet për dikë se ai është homoseksual, atëherë tkurret krejt personaliteti i
tij në një simbolikë. Çfarë domethënë kjo? Kjo domethënë ai bën dashuri me
njerëz të së njëjtës gjini. E ku bën ai dashuri? Në shtëpi të vet!
E si bëjnë
dashuri, ose çfarë dashurie bëjnë të tjerët, shtresa e heterove? Nuk dimë dhe
as që na intereson. Ndoshta janë perversë, ndoshta nuk bëjnë fare seks, ndoshta
e bëjnë tepër rrallë, ndoshta e bëjnë tepër shpesh, por as këta nuk meritojnë
të gjykohen ose stigmatizohen për mënyrën se si bëjnë apo si nuk bëjnë dashuri.
Vet nocionet homoseksual,
biseksual, aseksual janë nocione përjashtuese, stigmatizuese, fashiste dhe ligji
duhet të ndalojë rrënimin e dinjitetit të tyre me fjalë shkencore, poshtëruese.
Njeriu është një univers në vete. Identiteti i tij nuk mund të definohet vetëm
me një sjellje në jetë. Ai mund të jetë
profesor, nëpunës, murator, baba, vëlla, motër, dajë, hallë, sportist,
religjioz, shok, shoqe, lexues, teleshikues dhe mund të ketë dhjetëra role
tjera sociale, por ai është vetëm NJERI!
Kush duhet të turpërohet? Të skuqet
duhet ai që futë hundët në jetën e huaj! Ai vërtet ka probleme me perceptimin e
botës. Ai nuk kupton, nuk merr vesh, nuk ndjen se bota rreth tij nuk vepron siç
i pëlqen atij. Ai njeri ka vetëm një të drejtë: Të jetojë jetën e vet duke
pranuar dallimet jashtë. Ai njeri ka edhe një obligim kushtetues: Të respektojë
njeriun. Ky qëndrim është alfa dhe omega i demokracisë, qëndrimi tjetër është
fashist!
Ai nuk skuqet kur vritet një
njeri, ai nuk trishtohet, kur dhunohen më të dobëtit, gratë dhe fëmijët, ai
është shpërfillës dhe rrah edhe vet, prandaj ai nuk është në gjendje të kuptojë
pse dikush nuk vepron siç i pëlqen atij. Ai ka nënshtruar për tokë familjen e
vet dhe pret t’i nënshtrohet edhe rrethi. Ky njeri ka vërtetë probleme të mëdha
orientimi. Ky nuk ka kuptuar detyrën e vet në jetë në radhë të parë, ky nuk ka
kuptuar pse ka ardhur në këtë botë dhe cilat janë detyrat e tij. Detyra
kryesore e tij është të ushtrojë kujdestari ndaj atyre, ndaj të cilëve e
obligon ligji dhe normat sociale.
Homofobi, pra mizantropi, është
viktimë e edukatës primitive. Ai mendon se sa më shumë që mbahet në degë, aq më
burrë është. Ai nuk ka kuptuar se bota është lara-lara dhe se ka qenë gjithmonë
kështu dhe se do të mbetet. Disa studime thonë se deri në pesë për qind e çdo
popullsie, nuk ka orientim të kristalizuar seksual. Disa madje 15 për qind. Një
studim tjetër konstatonte se asnjë njeri nuk ka identitet kategorik, të qartë
të qind për qind seksual!
Pra, nuk është turp të mos
jetë dikush si unë, por është primitivizëm i theksuar ata njerëz të detyrohen
të martohen me gjininë, që ata nuk ndjehen të tërhequr. Nëse bëhet, fatkeqësia shfaqet
nesër në bashkëshortësi me dhunimin e familjes, ose me mungesën e kujdestarisë.
Burrin e
vërtetë nuk e pezmaton homoseksuali. Në fakt atij i zvogëlohet konkurrenca.
Burrin e pasigurt në orientim, e trishton. Ai tmerrohet! Ai ka frikë se
rrëshqet edhe vet në homoseksualizëm. Po ku merr ai atë të drejtë të vendosë
apo të deklarohet se kush me kënd duhet të bëjë dashuri në shtëpi të vet?
Heteroseksualët
askund nuk identifikohen me parapëlqimin e tyre seksual. Pra, nuk thuhet kurrë,
filani është ky, ose ai dhe hetero, por thirret me emër, ose profesion. Kjo
duhet të vlejë për njeriun tjetër, që sot stigmatizohen dhe reduktohet vetëm në
orientim seksual! Kur të kuptojmë dhe pranojmë diferencat në jetën e njerëzve,
kemi kuptuar një realitet të madh në jetë: Ne mund ta ndryshojmë vetëm veten,
por jo të tjerët! Duke e bërë çdo njëri prej nesh, rrisim lumturinë tonë dhe
të tjerëve!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen