15.01.2025

Në fillim ishte flija

Thonë që historia shkruhet nga fituesit, në kuzhinën shqiptare ajo është shkruar vetëm nga gratë! 

Dhe një nga kapitujt më të lavdishëm është pikërisht... flija! Epo, si filloi kjo histori? Në fillim, para 10.000 vjetësh, njerëzit mësuan të mbjellin grurë. Por flija? Ende s’ishte gatuar, sepse burrat nuk kishin zbuluar hekurin. E as saçin! S’kishte saç, s’kishte fli. Dhe kush mund ta bënte flinë pa saç? Askush, përveç ndonjë magjistareje që akoma s’e kemi gjetur.

Pastaj, më në fund ndodhi diçka! Diku mes viteve 5.000 dhe 3.000 Para Krishtit, sumerët në Egjipt zbuluan hekurin. Ishte një lajm i madh. 

Por burrave iu deshën edhe plot 3.000-4.000 vjet të tjera për të shpikur saçin. Me sa duket, prioritetet e tyre ishin diku tjetër (ndoshta shpikja e shtizës, shpatave ose diskutimi mbi mustaqet).

Kur saçi erdhi në shtëpi, gruaja shqiptare pa mundësinë dhe tha: “Eureka!” Në krahun e majtë mbante fëmijën pranë zemrës, ndërsa me të djathtën përziente miellin me ujë dhe kripë me një shkop, sepse burri nuk e kishte zbuluar ende lugën – nuk kishte kohë!

Pra, nga dashuria e madhe për familjen gatoi flinë – një kryevepër që ia zbardh faqen çdo tryeze dhe i vuri burrat në gjunjë (të paktën kur vinte ora e drekës apo e darkës).

Por mos mendoni se mbaroi me kaq! Flija, si një kryevepër e kuzhinës, i hapi rrugën byrekut, pasardhësit të saj modern. Kujtoj këtu Erdoganin që tha: “Byrekun e kanë shpikur shqiptarët!” Pa flinë, nuk mund të shpikej as byreku. 

Dhe tani, kthehemi te unë, protagonisti i ditës. Kjo në foto është flija ime e parë. Një premierë botërore për mua. Një gatim i grave tona që i bën ballë edhe historisë!

Keine Kommentare: