Përgatita këtë fasule epike,
një vepër që do të hyjë në histori!
Groshën e lashë që mbrëmë në ujë të ngrohtë – jo për ta zbutur, por për të mos e trishtuar me ujë të nxehtë. Grosha e trishtuar nuk zihet kurrë mirë! Sot, pas zierjes së parë, ia derdha ujin, nga frika mos më bëhej e pafytyrë dhe më sillte pasoja të padëshiruara… se për pasoja të fasules nuk ka sigurim shëndetësor!
Më vonë, për të mos i lënë vetëm krahët e pulës, i hodha pak qepë për debat filozofik, hudhër për mbrojtje nga energjitë negative, karota për estetikë, spec për stil dhe salsiç pule për t’i dhënë dramë dhe intriga gjellës. Një shfaqje e vërtetë teatrale në tenxhere! Atmosfera u bë aq harmonike, sa mendoj se një fasule e tillë mund të zgjidhte edhe konflikte ndërkombëtare.
Origjina e fasules?
Diku rreth 10.000 vjet para Krishtit, në Perunë e lashtë.
Kur burri zbuloi groshën, filloi ta hante si misrin – pa e zier fare! Dhe çfarë ndodhi më pas? Pasojat ishin eksplozive! Shpella u trondit nga zhurmat, aq sa gruaja mezi po e duronte më. Prapanica e burrit ishte kthyer në një traktor të papërmbajtshëm, që ndihej deri te shpella e fqinjit. Dhe ata ishin pellazgë të Perusë, ku, siç dihet, grosha u kultivua për herë të parë.
Gruaja, e dëshpëruar nga kjo situatë shpërthyese, iu lut zotit:
— “O zot, si të shpëtoj nga ky burrë traktor?!”
Zoti, për fat të saj, dërgoi ambasadorin e tij: Gjarprin.
Po, ai gjarpri legjendar, që dikur shiste molla në Eden! Por këtë herë, nuk kishte as mollë, as dardha. I dha diçka shumë më të vlefshme: recetën e fasules së përsosur, si përgaditej në parajsë, për të ulur presionin në shpellë.
Dhe gruaja, si çdo grua e zgjuar pellazge, e shkroi recetën në celular – sepse letër nuk kishte atëherë. Gjarpri, për të bërë bisedën më pikante, i tregoi edhe për specin djegës.
— “Ky vret bakteret e dëmshme… dhe burrin nervoz, duke e dërguar te kroi, sa më larg. Kur e tepron, hidhi shumë speca, se ai do bëhet më i qetë!”
Speci djegës përdorej që 7.000 vjet para Krishtit, në kuzhinën pellazge… në Meksikë! Pastaj, si çdo gjë e mirë, e sollën ilirët në Europë. Që atëherë, burrat agresivë u bënë më të menaxhueshëm, sepse, siç dihet, speci djeg dy herë…
Ah, mos harroni një detaj jetik:
Fasulja e mirë bëhet vetëm në një tenxhere të kuqe me kapak të zi. Sipas dardanëve të lashtë, “tenxherja e kuqe prodhon vetëm dashuri dhe… më pak efekte anësore!”
Tani, po e fik celularin, sepse më duhet të përqendrohem për të zbërthyer dy nga misteret më të mëdha të njerëzimit: universin e specit të kuq dhe groshën pellazge.
Dikush duhet ta bëjë edhe këtë punë… nëse nuk e bën Ton Gërrgurra!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen