29.10.2017

Skenat gjysmëlakuriqe në televizor

Morali i dyfishtë, ose mungesa absolute e tij. Shqiptari masakroi gruan me çekiç, asnjë ndjeshmëri, asnjë histeri, rrejdhimisht, asnjë i skandalizuar...

Shumica e shqiptarëve shkon në det, ose ka dëshirë të shkojë. Ka prej atyre që do t’ua ndalonin grave edhe bregdetin. Këta nuk kanë kuptuar sistemin në të cilin jetojnë  dhe refuzojnë atë, ose do të dëshironin ta shembnin. Jetojnë të palumtur sepse nuk durojnë epokën në të cilën gjallojnë. Obligimi qytetar është të mbrohet ligjshmëria. Në Evropë ato skena që u krijuan mundësi disa vetave t’i quajnë ato vajza “lopë”, nuk do t’i kishte kritikuar askush. Skena si ato, ka çdo ditë diku. Dhe, mos të flasim tani se sa për qind e shqiptarëve shikojnë filma pornografikë. E shpallën edhe trupin e gruas, hiç më pak se të shenjtë, e ku? Aty ku dy të tretat e grave rrihen! Trupi i shenjtë nuk dhunohet, ai adhurohet!

Pse shqiptari nuk kupton se liria e tjetrit duhet respektuar? Pse ai nuk kupton se në demokraci duke mbrojtur rendin kushtetues, mbrohet liria vetjake, gjersa në diktaturë, duke mbrojtur kushtetutën, mbrohet kufizimi i saj? Pse ai akoma nuk merr vesh se ka një telekomandë dhe se programet televizive, qoftë komerciale, qoftë serioze, nuk bëhen sipas vullnetit të tij, por ka njerëz që paguhen për realizimin e tyre?

Si është e mundur që shqiptari ndihet i skandalizuar, kur sheh vajza në televizor, që janë shumë më të veshura se në plazh? Pse ato skena ngjallin neveri thua se jemi në Arabinë Saudite apo në Iran? Si është e mundur që një popull gati kolektivisht dëshiron integrim në Evropë, ku nuk janë të ndaluara as plazhet nudiste, por lufton për ta ndaluar liritë dhe të drejtat e njeriut?

Ato skena mund të shikohen, ose shpërfillen, por në një rend demokratik, nuk mund të kërkohet ndalimi i tyre, sepse shfaqet nesër tjetri, që kërkon ndalimin e kritikës. Demokracia nuk është rend i cili angazhohet për të anuluar liri, por për t’i garantuar ato. Pse shqiptari nuk është në gjendje të kuptojë rendin që ka skalitur në Kushtetutë?

Mediat ofrojnë pikërisht atë që dëshiron shikuesi apo lexuesi, ose përpiqen të ofrojnë. Mundësia e konsumatorit është evitimi, ose konsumimi i tyre. Natyrisht se ata në demokraci kanë të drejtë edhe të llapojnë, por nuk kanë të drejtë t’i shajnë ato vajza. Sharjen ndalon ligji në demokraci! Nuk është aspak me rëndësi a më pëlqejnë mua ato skena apo jo, për një qytetar me rëndësi duhej të jeto vetëm a bie në kundërshtim me ligjin, nëse po, atëherë histeria e madhe duhet përshëndetur.

Pse këta njerëz nuk janë në gjendje të kuptojnë se është një sfidë e madhe të jetohet, kuptohet dhe shfrytëzohet liria dhe pse nuk kapin me shqisa vitin 2017 dhe pse nuk bëjnë asnjë dallim nga dëshirat e tyre të një rendi diktatorial apo teokratik? Pse ata nuk kuptojnë se duke ngulur këmbë për të kufizuar liria e një njeriu, thërrasin për shtet diktatorial apo fetar?

Pikërisht në çastin kur pranon atë që nuk është sipas shijes Tënde, pikërisht atëherë është çasti kur kuptohet demokracia. Natyrisht se nuk është rend i përkryer, por është më i miri që kemi pasur ndonjëherë.

Pyetja logjike që mund të shtrohet në fund është kjo: Pse nuk kërkoni të mbahet një referendum dhe të shfuqizoni kushtetutën evropiane të cilën nuk e doni, nuk e pranoni, e luftoni në të gjitha mënyrat e mundshme dhe nuk e zbatoni? Ku keni ndërmend të integroheni?

Keine Kommentare: