Edmond Shallvari, “Unë dhe MY Alter Ego”
“Absolutja takon
forcën e argumentit. Argumenti është një fazë fuqie, e pafuqishmërisë njerëzore
ndaj absolutes.”
Citat nga romani
Romani nis me
kremtimin e 50 vjetorit ku shfaqet dualizmi i parë filozofik, si pikëpamje
metafizike e një gjendjeje mes shpirtit dhe trupit për të kaluar te paradoksi,
te absurdi i jetës, te dualizmi dhe shpërputhja. Alter ego, Vetja, do të fitojë
një karakter dhe një identitet të vetin dhe do të shoqërojë autorin prej faqe
në faqe.
Nuk është një roman
siç njohim, me një shtjellim, me një ngjarje me personazhe dhe intriga, por
është një sprovë filozofike, psikologjike dhe psikoanalitike. Është një roman
ekzistencialist, një valcer emocional dhe racional në mes Unit dhe Vetes, që
shpesh shpien te deduksioni. Është një përleshje që di të kalojë edhe në
konflikt, ku debatohen një mori bindjesh, pikëpamjesh, vendimesh, qëndrime dhe
paradigma. Është jeta e njeriut, janë dyshimet dhe pastaj në vazhdim shkrihen
Uni dhe Vetja, duke vazhduar raportimin për të arritur te relativizmi.
Romani është një
udhëtim në universin e shpirtit, një analizë e botëkuptimit njerëzor, ku
mendimi shqyrton mendimin, nga rezulton meta-mendimi. Do të zhytet
teposhtë me dialogë duke nënvizuar kartezianizmin dhe cogito ergo sum të
qenies njerëzore, me rënien dhe ngritjen e saj. Me jetën që duhet jetuar, edhe pse është absurde, siç konstaton Camus.
Një përsiatje e
thelluar vazhdon në stilin e Platonit, për të gjetur se çfarë është dija,
arsyeja e shëndoshë dhe çfarë konkluzioni të nxirret. Cili kishte të drejtë,
Uni apo Vetja. Platoni thoshte se për të ditur diçka, njeriu duhet të
jetë i bindur, këtu kërkohet me kokëfortësi të fitohet ajo. E dyta,
gjithmonë sipas Platonit, ajo që dimë duhet të jetë e vërtetë dhe
e treta, bindja që është evërtetë, duhet edhe të jetë e
mundur të përligjet. Këto përpjekje platonike janë tipare
kryesore të atij ligjërimi. Dashuria ndaja të vërtetës, rekapitullimi i jetës
nëpërmjet dyshimit intelektual.
Herë duket se Uni
do të dalë fitues, herë befason Vetja dhe, siç është në natyrën njerëzore,
vazhdon me një fuzion. Është zhytje në nëndije dhe diskurs për t’i ndriçuar
skutat e jetës prej ditëlindje në ditë lindje. Absurdi i jetës,
ekzistencializmi, roman filozofik tej për tej, deri në rebelim, kryengritje
brenda universit vetjak, ndaj jetës dhe rrethanave.
Në lexim e sipër do
të përplaset lexuesi edhe te induksioni i David Humet, se atë që ka parë në të
kaluarën, do ta shohësh edhe në të ardhmen dhe jeta do të vazhdojë, shkrimtari
do të kthehet prapa për t’u shkërmoqur, do të udhëtojë në kohë dhe do të bëjë dialog
me Alter egon nga mosha 80, 82, me të riun, djaloshin krenar që ecën kokë lartë
e pastaj për të arritur dhe marrë në pyetje adoleshentin 17 vjeçar, i cili do
të përballet me një realitet tragjik: humbjen e atit. Shembja e botës dhe
kërkimi i një alternative dhe me kalimin e orës së dorës nga i ati, tek i biri,
pasqyrohet çasti dramatik, kur çdo njeri përballet me një të vërtetë absolute,
tragjike, por të pandryshueshme: humbjen e idolit! Tani e tuje vazhdon kaptina
tjetër e jetës.
Uni do të supozojë,
Vetja do të kundërshtojë dhe do të arrij kështu tek Karl Poper, “ se një teori,
ose hipotezë, nuk mund dëshmohet si e vërtetë, madje nuk duhen as tregues
induktiv. Ajo mund të kundërshtohet, nëse konstatohet se është e
gabueshme.” Dhe kundërshtime të tilla në një luftë të brendshme ndjekin autorin
me pyetje provokuese të Vetes. Herë njëri ngre kokë, herë tjetri.
Në ata dialogë
shtrohet pyetja, ekziston vullneti i lirë apo njeriu është një qenie jo
autonome, i cili mund të marrë vendime pa përsiatje, nga arrihet te
determinizmi filozofik, se edhe po të kthehet çdo gjë prapa, do të ketë përsëri
rrjedhën dhe përfundimin e njëjtë.
Romani ka plot
paradokse filozofike. Gjendje paradoksale, ku gjendet një dyluftim në mes dy
ndodhive të tensionuara, ku duken dy konstatimet të jenë të vërteta. Në atë
përleshje e sipër, të thellë, filozofike, ku ndizen e fiken qirinjtë jo vetëm
të moshës si konkluzion, por edhe identiteti personal deri tek epifenomalizmi,
pra raportin në mes shpirtit dhe trupit, ku të gjitha problemet psikike, janë
vetëm produkte anësore të shkëmbimeve fizike.
Do të gjendet
brenda edhe problemi kartezian në mes
psiqikës dhe trupit, si vetëdije, si shpirt, si mendim dhe si vullnet i lirë.
Dhe befasisht shfaqet e dashura e tij, të cilën e ngre në nivel engjëlli, nga
do të aterrojmë te Fraz Bretano dhe kuptojmë çfarë dallon shpirtërorja nga
fizikja.
Siç tregon edhe
titulli, romani është alternativ, eksperiment intelektual në kërkim të së vërtetës,
me dhjetëra paradokse filozofike si e Zenos me garën në mes Akilit dhe
Breshkës. Ose, edhe si anija e Tezeut. Po pikërisht kjo qëndron për thelbin e
romanit dhe diskursin e gjallë dhe filozofik. Ashtu si anijes së Tezeut që pasi
i zëvendësohen të gjitha pjesët, ajo vazhdon lundrimin në det, ashtu edhe
shkrimtari. i përkthyer edhe në greqisht, Edmond Shallvari, vazhdon në
eksplorimin e universit të dilemave
njerëzore, duke shpërbërë veten në ide dhe vendime. Ku qëndron tani paradoksi
filozofik? Një njeri merr ato pjesë të vjetra të anijes, që u ndërruan dhe
ndërton një tjetër. Tani, cila është anija e Tezeut, ajo që u krijua nga pjesët
e saj apo ajo që u krijua nga pjesët e reja? E tani, cili është Edmondi, Uni
apo Alter egoja? Cili ka të drejtë, Vetja djalosh apo Uni 82 vjeçar, cili është
Edmondi? Kjo dilemë filozofike vazhdon deri në faqen e fundit të romanit i cili
është i ndarë në 54 kapituj brenda 210 faqeve. Ato ndarje në aspektin
psikologjik lehtësojnë shumë leximin.
“Të
vogëlohesh duke u madhuar. Të madhohesh duke u vogëluar!”
Në fakt Uni dhe
Vetja janë bota e njeriut, por duke i dhënë fjalën dhe mundësuar artikulimin
edhe tjetrit, Vetja ngrihet në piedestalin, që ndihmon në krijimin e identiteti
të përbashkët filozofik dhe sipas Ciceronit, një mik i vërtetë, është
vetvetja e dytë. Miku i dytë pra këtu është Vetja, që gradualisht i
shtohet Uni i dytë.
Në roman
shtjellohet sfida njerëzore me hamendjet dhe në kërkim, si imponim intelektual
filozofik, me dashurinë e madhe ndaj të vërtetës, shoqëruar me dhembje,
shpresa, kënaqësi dhe zhgënjim. Nganjëherë dialogët kujtojnë Rousseuan me
fisnikun e egër, në gjendjen natyrore, kur nuk kishte organizim politik,
njeriun e pafajshëm, naiv, i cili ka një dinjitet natyror dhe është i patëkeq,
por që qytetërimi i ka prishur personalitetin dhe individualitetin.
Në lexim e sipër do
të gjenden asociacione me imperativin hipotetik të Kantit. Kjo len të kuptohet
nga diskutimi dinamik me Veten se çfarë duhet bërë për të arritur një qëllim.
Krejt ato dyshime, ato pyetje, ato kundërshtime, ato supozime, ato hamendje,
dëshmojnë rregullin e Aristotelit mbi të mirën, se për veprim të drejtë, të
mirë, nuk ka rregulla dhe se nga situata në situatë, duhen marrë vendime. Dhe,
se nuk ka rregulla morale që mund të mësohen përmendsh për të vepruar drejt, ku
edhe anti – Krishti do të jetë Uni i tij. Dhe, se njeriu është i moralshëm dhe
me virtyt, kur bën vepra të moralshme, jo kur mëson rregulla mbi moralin.
Do të ndeshemi edhe
me utilitarizmin e John Stuart Mill në kërkim të veprimeve të drejta që rrisin
lumturinë e njeriut dhe përsëri në ndërtimin e saj shfaqet bashkëshortja si
princeshë, duke kujtuar poezinë e parë kushtuar asaj:
E kush tha që 10
vjet
Kemi që vumë
kurorë?
Ne do mbetemi për
jetë
Bashkëshortë dhe
dashnorë.
Në roman, gjatë
asaj trajtese filozofike, hidhen aforizma të fuqishëm, të pakundërshtueshëm,
deri te hedonizmi, për të arritur tek materializmi historik i Marksit dhe
përpjekjet e mëdha për ta kuptuar atë, por edhe zhgënjimi me rendin, pa
urrejtje dhe me pamundësinë për të studiuar çfarë dëshironte. Duket se dëshiron
predikim të moralshëm, por është fanitje çasti, kur kalon pranë Thomas von
Aquin, për t’iu drejtuar David Humet.
Autori shpërbën
vetveten në atome si atomisti i parë Lukreci në poezinë epike, Mbi
natyrën e gjësendeve, për të cilin shpjegimi i mbinatyrores ishte
qesharak dhe naiv. Ai mendonte se atomet në hapësirë boshe krijojnë çdo gjë që
ekziston, ndërkaq, Shallvari kërkon atë brenda vetes, duke shkokëluar veten në
ide dhe shtresuar në një udhëtim kohor, herë prapa, herë pas, herë në
aktualitet.
Nëse Sokrati dinte
se çfarë nuk dinte, edhe autori i romanit do të persekutohet nga kureshtja për
të mësuar dhe sa “kapërcej një njohje, ndodhem para dhjetëra pragjeve
të tjerë të mosnjohjes.” Duke lexuar ato përsiatje mund të konstatohet
se njohja ishte vet dialogu i zhvilluar me një mjeshtëri filozofike.
Lexuesi do të
ndeshet edhe me dialektikën e Hegelit, se çdo fenomen, tezë, mund të prodhojë
aspekte kundërthënëse dhe pikërisht kjo është arsyeja pse përlahen Uni dhe
Vetja në kërkim këmbëngulës për t’i dhënë një përgjigje, një kuptim, një
justifikim jetës.
Aty ka shpresë,
zhgënjim, dyshime, familja, lumturia, djemtë, pra krejt ai univers emocional që
mbështjell qenien njerëzore.
Mplakja e trupit do
të arrihet dhe pason mosha 85, 90 dhe 100, sa nuk mund më të shuhen as
qirinjtë. Pastaj kujtimet e para të moshës 15 vjeçare dhe poezitë e para. Trupi
si pasojë e viteve, do të dobësohet, por shpirti i tij do të mbetet po ai. Sa
herë mungon rrugëdalja, do të shfaqet bashkëshortja, e cila do ta përcjellë që
nga dita e parë e dashurisë, deri në fund. Dashuria e tij, nuk është metaforë e
jetës, por vet jeta. Në fakt dashuria e madhe ndaj të shoqes, është Uni i
dytë, që arrin të këndellë Unin e parë dhe Veten skeptik të autorit.
Dashuria që e ka shtyrë t’i shkruaj vargje, ta rimojë dhe ta shndërrojë në tenor
kryesor të jetës, në melodi, në simfoni, sepse është shpjegimi i jetës me
pasardhësit e përbashkët, me kryeveprat. Dhe, në moshën 100 vjeçare, kur imazhi
i pasqyrës e tmerron, atëherë Vetja hesht:
- “Mblidh
veten!, i them vetes, por ajo nuk më përgjigjet. Mos është kjo jetë e
deritashme një ëndërr e një gjumi të gjatë? Apo më erdhi çasti të ik ? Ja,
kështu siç e kam dëshiruar, në gjumë mes ëndrrash, në ëndrra mes gjumit!
Dhe, në atë dilemë,
shfaqet përsëri perëndesha, bashkudhëtarja jetës, e dashura, shoqja, dashnorja,
zëri i së cilës tingëllon si para 50 viteve:
- Kush
ai, kush ajo, o burrë, përgjumshëm je, a si?
- Ja
ky, që kam qenë Unë, po s’është Unë tani, po dhe Ti aty, që ke qenë Ti, po s’je
Ti tani!
Dhe në këtë gjendje,
në këtë delir, e dashura do të nxitojë t’i sjellë një kafe për të mbledhur ai
ca veten.
Romani është një
lundrim filozofik në universin e njeriut. Ky vështrim ishte përshtypje
pas leximit, por një dekontruksion më i ngadalshëm, do të nxirrte edhe dhjetëra
përkufizime dhe vlerësime të tjera. Si konkluzion, për nga mbresat që të lë
romani, pa rënë kurrë në nihilizëm, mundëson një referencë me Sartrin se
“njeriu është qenie, që nuk është ajo që është, dhe është ajo, që nuk
është!”
--------------------------------
Kush është Edmond
Shallvari?
Edmond Shallvari
është lindur në Korçë në 30 korrik 1957. Pas mbarimit të gjimnazit “Raqi
Qirinxhi”, vazhdon dhe përfundon studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti
Ekonomik, në vitin 1982. Shfaq talentin e tij letrar qysh moshës 12-13 vjeçare
me vargëzimet e para dhe më pas me shkrimet e ndryshme prozaike, duke vazhduar
kohës së punës si ekonomist në Ndërmarrjen Ushqimore në Korçë, me shkrime të
ndryshme të karakterit ekonomik dhe letrar në shtypin e kohës.
Përkrah dhe
kontribuon në lëvizjen demokratike, duke qenë një nga të parët në qytetin e
Korçës që formon Sindikatën e Pavarur në Ndërmarrjen e re të Ushqimit për
Blegtori. Njihet për fjalimin e guximshëm, mbajtur në Konferencën e Partisë së
Punës në Korçë në vitin 1991, ku shfaq revoltën dhe idetë e tij demokratike në
përballje me grahmat e fundit të regjimit monist. Nuk pranon të angazhohet në
asnjë Parti të krijuar pas fitores së pluralizmit, por vazhdon të mbështetë me
vepra e shkrime në shtypin e kohës, frymën e re demokratike në të mirë të
përparimit dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit. I zhgënjyer dhe i
pashpresë nga anarkia dhe tragjedia e fillimvitit 1997, largohet po atë vit nga
Shqipëria për në Selanik të Greqisë, ku vazhdon të jetojë edhe sot e kësaj dite
me gruan e dy djemtë.
Fillon të
përmbledhë shkrimet e shkuara e njëkohësisht të shkruajë kujtimet, opinionet
dhe këndvështrimet e tij për jetën, ngjarje, njerëz, etj, të cilat i boton në
librin e tij të parë me shkrime e kujtime, “E megjithatë…jetojmë!” në vitin
2006. Libri pati mirëpritje brenda e jashtë Shqipërisë nga lexuesit dhe
njerëzit e fushës së letrave. Në vitin 2008 shfaqet në publik me dy librat e
tij me poezi, “Diku…Dikë…Dikush…” dhe “Ç’u bëmë kështu!” Në Selanik
anëtarësohet në Lidhjen e Shkrimtarëve “Dega e Blertë”, ku bashkë me poetë e
shkrimtarë emigrantë kryejnë takime, aktivitete e konkurse letrare. Në të
njëjtën kohë lidhet dhe me shtypin shqiptar në Greqi, përmes botimit të
shkrimeve e krijimtarisë poetike e prozaike. Anëtarësohet në Lidhjen e
Shkrimtareve “Klubi Drita” të Athinës dhe bashkëpunon me revistën e saj
letrare, “Pelegrini”. Paralel me punën nuk rresht së shkruari në vargje e
prozë, duke arritur në botimet e tjera viteve në vazhdim. Në vitin 2009 del
libri i tretë me poezi, “Mos e ndiqni hijen!”, i cili u vlerësua nga Shtëpia
Botuese “D.I.J.A.- Poradeci” si libri më i mirë i vitit. Nga Shtëpia
Botuese “GLOBUS R” botohet në vitin 2010 libri me poezi, “Më foli
heshtja”. Përveç botimeve poetike, në vitin 2012 del romani i tij i parë,
“Facebook-koobecaF”, nga Shtëpia Botuese “Fan Noli”, i cili po atë vit,
në konkursin vjetor të Klubit Drita, vlerësohet me Çmimin “KADARE”. Për vlerat
e veçanta të këtij libri pati shkrime dhe analiza vlerësuese nga lexues,
analistë e kritike të njohur të artit.
Në vitin 2014 del
para lexuesit me librin e ri poetik “Absurditet apo…”, botuar nga Shtëpia
Botuese “MUZGU”.Po këtë viti është fitues i vendit të parë në konkursin poetik
të organizuar nga Klubi DRITA me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të
vendit.
Do vazhdojë me
prozën e gjatë, duke botuar në vitin 2015 romanin e dytë, “Njëmbëdhjetë ditët e
rrëfimit, plus Një”. Po këtë viti i jepet Çmimi i njohur “Frang Bardhi”
si fitues i vendit të parë në konkursin e prozës së shkurtër, me tregimin
“Psikoanalitika e ecjes”.
Suksesi i romanit
të parë e inkurajon për ta paraqitur edhe para lexuesit grek, gjë që realizohet
pas përkthimit në gjuhën greke nga përkthyesi i njohur i Kadaresë, Blushit,
etj, Niko Anagnosti dhe pranimit për botim nga Botuesi grek “MOLIVI” në
Thessaloniki.
Ndërkohë mirëpriten
në faqet letrare greke të internetit, veçanërisht në faqen e njohur
tovivlio.net, shkrimet e krijimet e tij në vargje, prozë dhe esse. Një poezi e
tij e përkthyer në gjuhën greke, zgjidhet dhe botohet në Kalendarin Artistik të
vitit 2017, nga Botuesi grek “tovivlio”. Gjen dritën e botimit në vitin
2016, nga Botuesi “NACIONAL”, romani “Unaza e diamantë”, me temë jetën e
familjeve shqiptare e në veçanti atyre korçare, në shtrirje kohore nga viti
1947 deri në vitin 1991. Në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese
“MILOSAO”, doli nga botimi në qershor të vitit 2017 romani alternative, “Unë
dhe MY ALTER EGO”.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen