29.01.2018

Epoka e arrivistëve, Dritare net

Evropa ia mbylli derën Kosovës nga jashtë, sepse politikanët shqiptarë ia mbyllën nga brenda. Tani ia helmuan edhe ajrin dhe pos vdekjes, (ose sëmundjes) nuk ka më gjë më të sigurt në Kosovë.

Nuk u shfaq së paku një politikan me dy gishta fytyrë të kundërshtojë rrogat e dyfishta pa përparim ekonomik! Kush ka mundur të marrë me mend se në Kosovë, nuk do të gjendet së paku një qeveritarë, që do të refuzonte rrogën, zhvatjen e shtetit. 
Dëgjoni shpjegimin e tyre! Ata nuk ia paskan rritur rrogën vetes, por posteve! Çfarë shpjegimi idiotesh dhe mafioz: "Nuk shesim drogën për përfitime, por nga mëshira për konsumuesit!", do të kishte thënë një bos i mafias! Çfarë mjerimi! Çfarë pafytyrësie arrogante!

Vetëshërbimi i pronto-politikës po vazhdon i papenguar! Kosova akoma shpreson të riçlirohet nga jashtë. Nuk i mjaftoi shteti si dhuratë, por presin që një gjykatë e jashtme t' i arrestojë ata, që kosovarët rregullisht i votojnë dhe i veshin me pushtet! 
Dikur kishte më shumë injorancë, ajo ishte më gjithëpërfshirëse, gjendeshin më shumë analfabetë, por atëherë kishte më tepër burrëri, më shumë moral, më tepër dinjitet, edhe fjalë me peshë, jo premtime boshe!

Sot ka vetëm mashtrime: Mashtrime, që kameleonët në shërbim të injorancës me pushtet, i qëndisin, i teletisin dhe besojnë se kështu merituan rrogën, se hipnotizuan popullin me retorikën e tyre makiaveliste, derisa vet shesin patriotizëm kafeneve të Prishtinës dhe japin mësime si duhet dashur atdheu! E si dëshmohet dashuria ndaj atdheut? Nëse i nënshtrohesh korrupsionit, krimit dhe kleptokracisë!

Përbuzja dhe manipulimi i popullit nga Serbia, krijoi kushtet për një lëvizje paqësore, pastaj edhe për një kryengritje. Çfarë prisni ju se mund të ndodhë gjersa me shpjegimet që bëni, trajtoni popullin si kope?

Pasurimi juaj i padrejtë ndikon që popullit t’i gëzohet sot Hagës më shumë se Serbia! Meritat e djeshme, nuk japin askujt licencë për ta vjedhur, ose për ta dëmtuar sot shtetin. E keni shndërruar në çajtore private! Në puf politikë! Si me shënjimin kufirit, si me Autonominë Speciale Serbe, si me Gjykatën Speciale, si me kultivimin e korrupsionit, si me tenderat, si me kontratat sekrete për ndërmarrjet publike. Madje nuk iu bën syri as tër dhe rrezikoni të prishni raportet me ata që na garantojnë mbijetesën dhe pa të cilët Kosova, brenda ditës do të ripushtohej!

Ku merrni atë të drejtë, ku merrni atë guxim të trajtoni Kosovën si puf tuajin?

(ARRIVIST m. libr.  Ai që lakmon e përpiqet të arrijë me çdo mjet një qëllim ose një vend më të lartë në jetë, ai që kërkon të çajë përpara e të bëjë karrierë me çdo mënyrë. Lufta kundër arrivistëve.) 

Më shumë nga Lis Bukuroca:

Keine Kommentare: