Në një ditë dimri të acartë, prisja trenin në stacion në një sallë të
stërmbushur me njerëz. Në hyrje u krijua një tollovi e madhe,
prandaj gati askush nuk vuri re shtyrjen e një gruaje plakë nga një djalosh i
pakujdesshëm. Sikur unë të mos i hidhesha nën krahët zonjës, ajo do të rrëzohej
përtokë.
Zonja u ul përballë meje në vagon dhe shquhej mirënjohja e saj. Aty filluam
bisedën dhe e pyeta përsëri se a ndjehej mirë. “Rinia e sotme thjesht nuk është
ajo që ishte dikur”, kështu përfundova unë mendimin tim.
Kur kontrollori erdhi të kontrollojë biletat, zonja kuptoi e trishtuar se
kuletën i kishin vjedhur! Asaj i rrodhën lotët nëpër faqe dhe derisa i
dridheshin buzëz, tregoi se sapo kishte tërhequr nga banka pensionin e vet, të
cilin tanimë nuk e posedonte. Aty vagonin pllakosi një heshtje e madhe dhe
dukej se të gjithë udhëtarët bashkëndjenin fatkeqësinë e saj.
Disa çaste më vonë një djalë
filloi të bëjë muzikë argëtuese me një harmonikë të vogël para buzëve! Unë
i indinjuar, gati se po ngrihesha ta kap për fyti. Aty thash vet me
vete, sa e pak takt dhe e pa ndjeshmëri është rinia e sotshme, madje edhe
në këtë gjendje të mjerë, sillet në mënyrë hareshme.
Jo vetëm muzika, por vazhdoi edhe
më keq! Pas melodisë, djaloshi u ngrit, hoqi kapelën nga koka dhe eci
nëpër vagon për të mbledhur para. Dukej se me të vërtetë të gjithë udhëtarët i
jepnin, madje disa edhe kartëmonedha i hidhnin brenda. Krejt në fund, u ndalë
edhe para meje. Jo, unë nuk doja të ndihmoja një lypës, që kishte dy duar të
shëndosha për të punuar! Mu kjo ishte arsyeja pse mbylla sytë dhe u shtira se
po flija dhe për fat të mirë, ai nuk më foli fare.
Disa sekonda më vonë, ndodhi
diçka që më tronditi thellë. Muzikanti i harmonikës shkoi te zonja së cilës i
qe vjedhur kuleta dhe derdhi të gjitha paratë e mbledhura në prehrin e saj! Ai
i buzëqeshi asaj duke i thënë se të gjithë pasagjerët e vagonit, i kishin
dhuruar asaj disa lekë nga zemra.
I turpëruar kuptova gabimin tim
dhe kur më ra ndërmend të nxirrja portofolin, vura re se ishte tepër vonë.
Plaka kishte zbritur tashmë nga treni. E vështrova atë me sy të përlotur gjersa
ajo ecte ngadalë pranë xhamit të vagonit tonë. Zonja ngriti dorën në ajër
dhe falënderoi edhe njëherë udhëtarët zemërmirë!
Nga gjermanishtja Lis Bukuroca
Po morali nga kjo
ndodhi?
Paragjykimi! Rrallë dikush
që nuk është i dëmtuar nga paragjykimet. Ato shtrembërojnë perceptimin e
drejtë. Ne kemi jo vetëm të tilla ndaj banorëve të një lagjeje, qyteti, por
edhe ndaj kombeve të tëra. Paragjykimet pengojnë kërkimin dhe gjetjen e së
vërtetës, madje as nuk lodhemi për të menduar se çdo njeri dhe çdo ndodhi, mund
të jetë ndryshe nga tjetra dhe ne nuk mund të posedojmë për çdo gjë, për çdo
njeri dhe për çdo vepër dije dije në një sirtar. Ne, nga përtacia pranojmë
stereotipa dhe ato i përdorim për ngjarje apo njerëz pa i shqyrtuar, por vetëm
duke i besuar vet. Paragjykimi shndërrohet në bindje fikse dhe dëmton
poseduesin. Qëndrimi i tillë në psikologji njihet si shtrembërimi apo
devijim kognitiv, kur në bazë të premisave të rrejshme, sillen përfundime të
gabueshme.
Platoni
në dialogët e tij, te vepra “Shteti” tregon për metodën
sokratike. Sokrati ishte filozof i njohur në lashtësi, i cili dinte se nuk
dinte asgjë, prandaj ai edhe rrugës pyeste njerëzit se a ishte dija e tyre
vërtetë apo e rrejshme. Një ditë i drejtohet Kefalosit. Kefalos, çfarë është e
drejtë (drejtësia). E drejtë është të thuhet e vërteta dhe të kthehet borxhi,
përgjigjet ai.
Sokrati
mirëpo nuk ndalet aty dhe vazhdon. Dakord, thotë ai, po nëse ti ke marrë një
shpatë një njeriu, a duhet t’ia kthesh. Po, thotë, Kefalos. Po nëse ai njeri
ndërkohë është çmendur dhe me atë shpatën ka ndërmend të vrasë dikë. Aty
Kefalos kundërshton veten dhe kupton se ajo që kishte menduar se ishte e
drejtë, nuk vlente gjithmonë. Kështu Sokrati konstaton se gjithë atë që dinim
ishte e gabueshme. Pra, metoda sokratike, lufton bindjen fikse, iluzionin e
dijes dhe kërkohet e vërteta deri në fund.
Ja
disa shembuj nga një seminar i psikologjisë mbi “artin e të bindurit
dhe prezantimit”: Psikologjia tha se në kohën romake, njerëzit jetonin
mesatarisht 30 vite, kurse sot, gati 80. Ciceroni ka jetuar mbi 60
vjet, i thash. Horaci mbi 50! Çfarë domethënë kjo?, pyeti ajo.
Kjo
domethënë se është metodë e gabuar. Nuk mund të thuhet se njerëzit kanë jetuar
30 vite, sepse ai konstatim nuk i rezistonin asnjë shqyrtimi serioz. Gabimi qëndron
në metodikë: Nuk mund të merret një foshnje, që ka jetuar një javë dhe një
njeri që ka jetuar 60 vite dhe të nxirret një mesatare prej 30 viteve.
Në
këtë rast, foshnjës i dhurohet 30 vite, që nuk i ka jetuar, që nuk mund t’i
pranojë dhe i hiqen tjetrit 30, që i ka jetuar, që nuk mund t’i anulohen. Ai i
ka jetuar! As të parit nuk mund t’i shtohet, as të dytin t’i hiqen. Kështu ai
konstatim shembet si kështjellë rëre! Në këtë rast duhet folur për mesataren e
vdekshmërisë te foshnjat, por jo të bashkohet i vdekuri me disa ditë jetë, me
të gjallin me disa dekada. Ajo tha se duhet të vazhdojmë, por nuk shtoi asgjë,
e as nuk e kundërshtoi mendimin. Më shpërfilli!
Pas
diku tri orëve ligjërata nisi të flasë për gjuhën trupore, gjuhën e
trupit, gjermanisht “Körpersprache.” Para se të bënim
pushim, tha se mund të shtronim pyetje. I thash se togfjalëshi “gjuhë
trupore” është i gabueshëm shekncërisht dhe nuk qëndron. Ju tërë kohët
folët për mimikën, për gjestet e fytyrës apo lëvizjet e trupit. Këto i
quajtët gjuhë trupore. Këtu qëndron gabimi: Gjuha ka një fonetikë,
ka një sintaksë, një morfologji, një semantikë dhe po t’i hiqen ato, mund të
shndërrohet në lehje, ose mjaullimë.
Pra,
mimika dhe gjestet nuk mund të emërtohet gjuhë e trupit! Arsyeja
është e thjeshtë. Gjuha është shumë komplekse, mimika ka ekzistuar para gjuhës,
ato janë gjeste, lëvizje, por jo gjuhë! Më shpërfilli edhe këtu!
Tha
se duhej të dilnim dhe përsëri nuk shtoi asgjë, edhe pse në fillim të
ligjëratës na foli se në të gjitha anët, në të gjitha fushat, ne manipulohemi
dhe se detyra saj si psikologe, ishte të na mbronte neve nga rënia në
viktimizim. Ajo kishte të drejtë, ne manipulohemi, por në fakt, po na
manipulonte edhe ajo, sepse mbronte profesionin e saj për të na bindur se pa të
nuk mund të perceptojmë botën reale!
Pas
dite tregoi se Gjermania edhe pse është e pasur, (citoi një studim) ku çdo
qytetar gjerman trashëgonte mbi 300.000 euro dhe se pasuria e tërësishme, ishte
3.2 bilion. Edhe këtu e ndërpreva. Ishim mbi 30 veta brenda. Jam kureshtar i
thash të di se veta prej të pranishmëve trashëgojmë këtë shumë. Ajo u ndal dhe
më vështroi. Iu drejtova të pranishme. Disa tundën kokat se jo, disa e mohuan
me fjalë. Edhe këtu është metoda e gabuar i thash: Si Horacit që i merreshin
vitet, ashtu edhe paratë e të pasurit, teorikisht i ndahen të varfëritë, por
praktikisht i mban i pasuri! Ajo, për të dalë nga kriza e tretë tha se
dëshironte me këtë shembull vetëm të nënvizonte se gjermanët janë kampion në të
ankuar, edhe pse jetojnë mirë.
Aty
i shtova se evolucioni i ka imponuar njeriut moskënaqësinë, përndryshe nuk do
të përparonim kurrë. Dhe, ankesat ndikojnë në rritjen e kontakteve sociale dhe
bisedave se kështu përlaheshin vazhdimisht edhe në Athinë, por prodhuan
filozofi të cilën sot e studiojmë, e bën edhe gjermanët dhe prandaj keni
nxjerrë filozofin më të madh të botës, Immanuel Kantin! Popujt që nuk ankohen
dhe nuk bëjnë gjë për ta ndryshuar gjendjen, ata në aspektin psikologjik, janë
të vdekur, thash në fund.
Seminari
ishte i shkëlqyeshëm. Zonja ishte shumë kompetente, por shumë bindje në jetë, i
ngjajnë atyre të Kefalos, edhe pse ndonjëherë thuhen nga dijetarë të njohur.
Ashtu
edhe në tregim, zotëria duke qenë i bindur se dinte, se djaloshi që bënte
muzikë ishte i pafytyrë, me paragjykimin e vet, mbetet i turpëruar në vagon.
Fundi i fundit, si edhe Kefalos me bindjen e vet... Sokrati natyrisht se
vazhdonte me njerëzit tjerë, edhe duhet të vazhdojmë me shqyrtimin e
njohurive që mendojmë se janë dije, por janë thjeshtë mashtrime! Si edhe
mesatarja e pagave në Shqipëri dhe Kosovë!
Nëse dëshironi të lexoni
më shumë nga Lis Bukuroca, atëherë këtu mund të porosisni Letër
burrave, romanin: Ngjyrat e dashurisë me Kanunin Erotik, ose
përmbledhjen me poezi: Hijedritat e jetës.

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen