Ashtu
si në kllapi dëgjova një trokitje në derë, e cila mund të vlerësohej edhe si
bukur nervoze. Pak më vonë, u dëgjuan dhe trokitje të njëpasnjëshme. Pas disa
çasteve, goditje ca më të rënda me grushte. Në fund mosdurimit iu shtuan edhe shqelmat.
U
ktheva në anën tjetër, duke menduar se isha në ankth të rëndë nga alkooli i
tepruar dhe mbylla përsëri sytë duke mbuluar kokën daulle me nënkresë. Një
grimë më vonë, dëgjova përplasjen e derës në murin e korridorit të ngushtë, nga
u hodhën furishëm në dhomën e fjetjes një tollovi hijesh të çrregullta. Kujtova
se u shemb hoteli dhe u rrotullova ngadalë dhe plot mundim. Duke hapur e
mbyllur kapakët e syve me shpejtësi, përpi-qesha të qartësoj përvijimet e tyre,
por vështrimi i skicave njerëzore, më turbullohej dhe përzihej, aq, sa më dukeshin
se nga një njeri, shkëputeshin hije, krijesa, që silleshin e mbështilleshin,
duke u ngritur drejt tavanit për t' u kthyer përsëri dhe trupëzuar nga ai që
qenë shkëlfitur apo shkafanjitur. Ishin dhjetë apo tridhjetë veta, nuk kuptoja.
Aq sa më shumë përpëlitja qepallat, aq më shumë përfitonin formë revolet në
duart e tyre. Pikat e shiut stërvec përplaseshin në dritare, nga përthyenin
shkërpica blu të njëpasnjëshme të makinave të policisë në rrugë. Ato
përziheshin si në piktura abstrakte me ngjyra në një shkrirje të vazhdueshëm
dhe trajta në shlyerje e sipër, duke ofruar një imazh të kapshëm, por që fanitej orë e çast. Paska ndodhur
diçka, mendova dhe u përpoqa të mbledh veten.
Suita
e hotelit ishte aristokratike dhe me orendi në stilin e barokut; një sallon i
madh, një banjë e madhe me një vaskë, ku mund të laheshin dy gra, dy gra dhe
një burrë, ose dy tre burra, ose dy burra dhe një grua. Në mes të sallonit
gjendej një tavolinë e ulët, një divan mbështetur në mur për tri veta, një
majtas në krye për dy dhe përballë tij, një kolltuk për një vetë. Në mes të tij
derdhej një llambadar me qindra kristale varur, nga përthyheshin qindra xixa
dhe shkëlqarnin në përflakje të llojllojshme.
Në
zyrë gjendej një tryezë e madhe shkrimi, mbi të cilën rrinte pezull llamba, ku
hapur e mbyllur, qëndronin shtrirë disa libra të mi. Dhoma e fjetjes ndahej nga
një korridor i ngushtë dhe ngrihej përball dhomës së ndejës. Në mes të saj
gjendej krevati. Aty ku përfundonte ai, një hap më larg, mbështetej në mur
dollapi nga druri i qershisë me tri kanata dhe nën to, tre sirtarë. Në mur
zvarritej një pikturë e madhe e perëndeshës së Hënës, Luna.
Një
njeri, i gjatë si skërfyell, lavrak dhe i shkordhur, mbante një letër në dorë.
Ndoshta nuk ishte dy metra i gjatë, por stërzgjatej para krevatit sikur të
ishte katër; diku dyzetë vjeçar, me flokë bionde, me një vështrim shpues dhe me
një pamje të ashpër, që më përkujtoi përshkrimet e Tacitit. Ai bëri një hap
drejt krevatit, ktheu kokën nga kolegët e tij me një shikim të ftohtë, të pjerrët
dhe urdhëroi nëpunësitë e policisë:
-
Gjeni armën!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen