08.05.2018

Mos e doni më atdheun! Bota Sot, perqasje, fjalaelire,flasshqip,dritare


Për atdheun po punon Thaçi, po punon dhe Haradinaj. Kështu u shpreh ai, por edhe pse ata duan atdheun, gjendja e popullit vazhdimisht përkeqësohet, por përmirësohet vazhdimisht gjendja e tyre ekonomike. Zakonisht ata që duan shumë atdheun, në politikë i shkaktojnë dëme më të mëdha.

Mos e doni! Jini vetëm të drejtë ndaj tij! Atdheu nuk ndien nevojë për dashuri, por për drejtësi vetëm!
E deshi Hitleri, Musolini, Millosheviqi dhe dëmtuan vendet e tyre më shumë sesa do ta kishte bërë një pushtues! Ndihmën e parë që mund t’ i jepni atdheut, është, të mos e doni fare, por vetëm ta nderoni me përulësi! Asgjë më shumë nuk pret atdheu prej jush! As populli, jo! Ju po e doni atdheun si gruan e nënshtruar dhe po abuzoni me të si ju pëlqen juve; po e shndërroni në pronë, po e shfrytëzoni si laviren dhe e keni bërë trampolinë për realizimin e epsheve tuaja.

Të gjitha akuzat që ju bëhen, nga haraçi, deri te korrupsioni, nga vrasjet, deri rehatimi i të afërmeve, nga pasurimi i padrejtë, deri te zaptimi i shtetit, mund t’i konsiderojmë si shpifje të shërbimit sekret serb. T’ i marrim si të tilla, pra sajesa, për një çast sepse ju që dje ishit të gatshëm të vdisni për Kosovën, moralisht dhe njerëzisht, nuk do të duhej t’ ishit në gjendje të dëmtoni Kosovën sot, në paqe.

Po, atëherë si është e mundur që Kosova po dëmtohet, nga kush? Apo si është e mundur që Thaçi nënshkroi vijën kufitare, ku edhe ti Ramush besoje se po dëmtohej Kosova. Si ishte e mundur që një Thaç, që dje ishte i gatshëm të vdesë për Kosovën, të nënshkruaj një autonomi për serbet, me të drejta ekzekutive, që pastaj gjykata e rrëzoi? Dhe, si është e mundur që ky Thaç, përsëri është kryefjala e negociatave me Serbinë? Si është e mundur që ky njeri që firmosi Gjykatën e Posaçme, të mbetet kryetar, gjersa arreston bashkëluftëtarët e vet?

Meqenëse ju jeni atdhetarë dhe punoni për atdhe, ku gjendet atëherë problemi? Kush po dëmton? Po dëmton mosdija juaj! Ju vërtet dashuroni atdheun, por në mënyrë folklorike dhe jo racionale, sepse nuk vëreni se me praninë tuaj, jeni duke penguar përparimin e Kosovës!

Guximi për luftë është një emocion patriotik, një ideal, udhëheqja e shtetit nuk bëhet me emocione, por vetëm me dije për realizim praktik! Juve ajo ju mungon! Se kanë dështuar me ndërtimin e shtetit kryengritësit, kanë dëshmuar vendet komuniste dhe ju për nga niveli intelektual dhe politik, për fat të keq dhe të Kosovës, jeni disa shkallë pas tyre! Atdhedashuri nuk është të ruash pushtetin politik derisa t’ i dalë shpirti popullit apo derisa të arratisen të gjithë!

Meqenëse ju ishit atdhetarë të mëdhenj, atëherë ju nuk do të duhej të lejoni punësimi nëpër pozita të rëndësishme njerëz me integritet të pistë, ose me dinjitet të damkosur. Po si të zbatohej ai parim, kur ju vet pas luftës jeni ndotur?

Njerëzi me parime nuk kanë mundësi t’ i afrohen pushtetit, sepse i njollosuri moralisht dhe i akuzuar, nuk mund të durojë njerëz dinjitarë në rrethin e vet. Këtu arrijmë te një fakt, se krejt vendet udhëheqëse, janë zaptuar me njerëz që pranojnë autoritetin e komandantit, por jo dijen e pushtetarit, sepse nuk e posedoni. Ju me breroren e djeshme, përpiqeni të ndriçoni njëzet vite pas fikjes së qiriut! Nuk po e bëni!

Se ju nuk po ndërtoni shtet, tregon izolimi, që ju ka bërë bota dhe në biseda ju pranojnë, vetëm kur është e domosdoshme. Ftesa mund të merrni vetëm nga Erdogani dhe nga dy tre vende të Ballkanit! Pse? Sepse Perëndimi dhe shërbimet e tij  sekrete, dinë më shumë sesa ju pëlqen juve dhe sesa dinë qytetarët e Kosovës. Njohuritë që posedojnë ata për ju, janë shkatërruese për imazhin e vendit. Kjo është arsyeja pse me vizat ngurrojnë, sepse nuk dëshirojnë juve komandantëve të ju shpërblejnë! Juve që shndërruat Kosovën në vilajet të Erdoganit dhe për vendin e të cilit, plotësoni të gjitha kushtet për perandori imagjinare!

Nëse ju vërtetë jeni ata që keni sakrifikuar për atdheun, ju sot, me një dorëheqje, do të nderonit atdheun dhe do të shpëtoni imazhin e saj. Do të dëshmonit burrëri, por jo duk i dorëzuar Serbisë fatin e qeverisë së Kosovës.

Nuk keni aftësi intelektuale për të ndërtuar politika zhvillimi dhe për të sjellë  investime, pos nga despotët e korruptuar! Me ju në krye, Kosova brenda një dekade, do të përgjysmohet. Është e kotë të ftohen gjermanët për investime. Asnjë ndërmarrës serioz nuk vjen aty, kur nuk dihet se kush mbetet jashtë, e kush burgoset nesër.

A ju shkon mendja ndonjëherë se si do të duken tituj nëpër media, nëse nesër arrestohen ministra e politikanë të nivelit të lartë? A nuk kuptoni se pozitat që keni, nuk ju dëmtojnë juve, por institucionet që udhëhiqni, shtetin e Kosovës? A nuk kuptoni se ju nuk keni atë të drejtë pronësie për të dëmtuar interesin nacional në përpjekje për të shpëtuar lëkurën tuaj?!

Jo vetëm ajo, por Kosova nuk ka as gjykata, as prokurori! Kosova ka improvizim institucional, sepse ju si komandantë, nuk keni duruar pranë vete njerëz të dijshëm dhe me dinjitet, por keni tubuar vetëm ata që pranojnë zvarritjen!

Njeriu që punojnë për atdhe, nuk i rrit rrogën pikë së pari vetes, sepse siç e dini, atdhetari i jep atdheut, por nuk i merr! Sidoqoftë, nëse vërtetë dëshironi të punoni për atdhe, atëherë largohuni dhe lini pas vete njerëz me dinjitet, të cilët do t‘ i pranonte dhe bota. Jo njerëz të pistë, por të dëlirë moralisht dhe, kryesisht, njerëz me parime, që nuk ndjejnë nevojë për tutori të jashtme!

Thaçi si kryetar ka më shumë kompetenca se sa krejt qeveria. Këto përgjegjësi, që ka sot, kishte kur ishte kryeministër, kur ishte ministër dhe tani kur është kryetar. Kjo Republikë nuk është e Kosovës, por e Hashimit! Dyqan privat i Hashim Thaçit!

Se është dyqan, shihet nga punësimet, që keni bërë dhe të afërmit, që keni rehatuar! Ju po trajtoni shtetin si në shekullin XVII, si në feudalizëm, sepse nuk shihen ndarjet e pushteteve, por çdo gjë drejtohet nga lartë, nga despoti, në mënyrë klandestine! Ju keni krijuar një klasë sunduese injorantësh dhe në anën tjetër, është mizëria, populli, raja, që pret ta nxirrni nga mjerimi gjersa ju pasuroni vetveten dhe realizoni ëndrrat tuaja karrieriste!  

Ju duroni në mënyrë stoike përqeshjet, përgojimet dhe kështu jeni shndërruar në personazhe barsoletash si ato të Hasës dhe Husës në Bosnje apo të Pjerinos në Itali! Ju, jo vetëm se dëmtoni imazhin e Kosovës, por bëtë edhe sakrilegj: Ju dëmtuat edhe kryengritjen, edhe imazhin e UÇK-ës dhe për ta korruptuar popullin e varfër, zmadhuat armatën për gati pesë herë në paqe. Nuk ka asnjë dyshim se me këtë akt, bletë votat! Ju jeni bërë si Xhavit Nimani e Iljaz Kurteshi, që ishin figura simbolike injorante, por që i duheshin komunizmit jugosllav për duartrokitje!

Juve nuk ju mungon vetëm dija themelore, por edhe kultura. Ju nga heronj u shndërruat në pjesëtarë kryesorë të një subkulturës rurale dekadente. Ju jeni përfaqësues të një shoqërie feudale, që për karrierë, është në gjendje të shesë edhe shpirtin, edhe nderin! Nga krenaria jonë, u shndërruat në ankth dhe në turp për vendin!

Një njeri i lirë, që vërtetë don atdheun, nuk mund të pajtohet me këtë injorancë emblematike, kolosale. Ju nuk punoni për atdhe, ju nuk i shërbeni Kosovës, por Kosova dhe populli i saj po ju shërbejnë juve. Ju shërben juve për të realizuar  fiksimet tuaja, madje duke u shërbyer edhe me diskurse antishqiptare, sa Ramushi të deklarojë për gazetën gjermane “se ndërtimi i kombit të ri është i vështirë.”

Ramush, një apo dy gazetarë, nuk mund të krijojnë identitet nacional! Ushtarët e UÇK-ës, që kanë vdekur, nuk kanë flijuar jetën për të krijuar ti komb kosovar me një etnonim serb!

Dallimet gjuhësore nuk krijojnë komb të ri. Shpërfille suflerin që të cicëron se jemi ndryshe. Ai në vitin 92 pat kërkuar të bëhemi komb islamik! Kjo do të mjaftonte për të kuptuar integritetin dhe intelektin e një njeriu. Siqelianët, venetët, napolitanët flasin italishten me më shumë dallim se ne shqipen, por nuk dëshirojnë të ndërtojnë komb të ri. Identiteti i ri është vetëm në favor të Serbisë! Kjo është mënyra më e përkryer për të defaktorizuar kombin shqiptar. Gjersa serbet përpiqen të rrisin numrin e tyre duke përfshirë brenda vetes edhe gjysmën e Bosnjës, ju dilni me ide për komb të ri! Për zvogëlim! Për fragmentim! Turp!

Kontributin tuaj për lirinë nuk mund të shpërfillë askush, as historia, por as ndërtimin e shtetit fisnor dhe të korruptuar, jo! Brenda dy apo tri viteve, do të çlirohet shteti dhe tribalizmi juaj, por dhe veteranë, do të mbeten 13.500, sa ishin e jo 60.000, sa i keni blerë!

Tragjike nuk janë akuzat që ju bëhen, tmerr është se populli i gëzohet arrestimit, ose largimit tuaj nga skena politike!



Keine Kommentare: