Pasi kryeministri i
Shqipërisë tregoi ngjarjen taze dhe më të rëndësishme për mbijetesën e Kosovës,
(ku Rexhep Erdogani me plot lezetëri duke kërcyer çyçek kishte përcjellë shpalljen
e pavarësisë së Kosovës), mediat turke raportuan lajmin në temiz hava shoqëruar
me një syret, ku Rama dhe Erdogani, përkëdhelnin dorën njëri-tjetrit mbi
kofshën e Erdos.
Lajmin shpërndanë të
gjitha mediat. Nga dhoma 787, u shfaq sulltani i Turqisë para njëmijë
gazetarëve dhe foli si Zaratustra: “Vilajetin
e Tiranës dhe të Prishtinës i kam xhan. Një ditë do ta bëjmë Aranautistanin
tamam! Edi Ramën e kam kardash insan! Sot kam marrë këtë vendim: Në qershor Edi
do të bëhet synet në Stamboll, aty ku është koka e Ali Pashë dhe krejt harxhin,
merr mbi vete qeveria jonë. Prej asaj dakike, ai nuk do të jetë më vetëm
kardash insan, as bajagi kardash, por bashkardash, ose tamamkardash! Shkurtimi
do të transmetohet live në krejtë dynjanë!”, përfundoi Rexhepi me një pamje
shumë të rëndë dhe hyri në dhomën 788!
BE reagoi e indinjuar! Mogherini
tha se Erdogani po përzihet shumë në punët e brendshme të Shqipërisë dhe në
fund shtoi këtë: „Nëse lejon kryeministri këtë intervenim gjenital, ai duhet të
harrojë Europën për gjithmonë! Ne do të pengojmë ndikimin turk në Shqipëri, por
nëse Rama nuk zbythet, me keqardhje do t’ ia kthejmë vizat popullit trim
shqiptar! Nëse vërtetë përmbarohet akti i përgjakshëm, që cenon të drejtat
elementare të Ramës dhe Shqipërisë, ne do të përkrahim Greqinë dhe do të
pajtohemi të zaptojë detin shqiptarë, ku ka shumë pak naftë!”
Ai lajm nuk la as Trumpin
indiferent. Ai në Twitter shkroi: „ Është e drejtë e Ramës ta këpusë krejt apo
ta shkurtojë! Ky akt nuk ndryshon qëndrimin tonë ndaj popullit vëlla shqiptar! Ne
akoma nuk kemi marrë vendim, por jemi duke shqyrtuar, pas Jerusalemit, a të
shpallim Nishin apo Janinë kryeqytet të Shteteve të Bashkuara Shqiptare,
mirëpo, në anën tjetër, politikanët shqiptarë, po punojnë për t’iu bashkuar miletit
vëlla turk!
Sidoqoftë, ata duhet të
vendosin: Ose me Ramën shkurtabiq, ose me Bashën impotent, ose me Saliun senil,
ose me mua Tarzan! Ne nuk harrojmë kryetarët amerikanë me origjinë shqiptare,
si Gjergj Bushatin, të Riun dhe Plakun, Xhevdet Korenicën (Jimmy Carter), Gjon
Kaçanikun(Kennedy) dhe Gjergj Vashën (Washingtonin) kryetarin tonë të parë. Fundi
i fundit, edhe unë jam pinjoll i një familje fisnike shqiptare, por nuk do ta
bëjë publike, derisa të bashkojmë të gjitha trojet tona shqiptare. Ne do të
vazhdojmë të punojmë për ju! Ju rrini në facebook, ose shkoni në plazh. Një ditë,
kur të zgjoheni nga gjumi, do të lexoni një status për kryeqytetin e ri
shqiptar dhe jini të sigurt, atë ditë, Hashimi dhe Rama, do të kërkojnë azil në
Turqi! Ne nuk harrojmë kurrë kontributin e populli trim shqiptar për ndërtimin
e Amerikës së madhe! Ne ju kemi shumë borxhe. Bondsteeli nuk është as një për
qind e asaj që ju meritoni!“
Merkel nuk u deklarua
akoma, por zëdhënësi i saj, tha se nëse Ramës në Stamboll i hiqet lëvozhga
poshtë, ne në Berlin, do t‘ia shkëpusim kokëzën me dorë.
Vendimin e Erdoganit përshëndeti
kryetari i Kosovës Hashim Thaçi me një status në facebook: “ Mirë se kthehesh
zoti Rama në sevda klubin tonë!” Kur gazetarët pyetën Ramushin, ai duke ecur tha
se nuk merret me lucat e jashtëm dhe se kjo është përgjegjësi e kryetarit të
Kosovës. “Na folmi nryshe, na jimi nryshe, ata janë shqiptar, na jimi kosovarë.
Nuk asht let me nreç komb t’ri, e merre me men autobus!”, foli ai duke hyrën në
tamafil.
Patriarku i Rusisë Kirili
i Dytë kritikoi ashpër Ramën duke e akuzuar se po përpiqet të imitojë Abrahamin!
Ai këtë ndërveprim quajti thikë pas shpine! Nëpër korridore kishtare flitej se
herën tjetër do të vizitojë vëllanë Janutallos me armatën e kuqe ruse! Në fund
u deklarua edhe Bexhet Pacolli. U mësua se ai do t’ i dhurojë Ramës një fustan
të kuq, nga mëndafshi, për javën e parë,
por një këshilltar i tij, tha se pantallonat, nuk do t’i duhen kurrë më, se ato
i ka Erdogani!
--------
Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen