01.06.2018

Islamofobi? Ne e quajmë iluminizëm! Die Welt, bota sot, perqasje, flasshqip, fjalaelire

Artikulli është marrë nga gazeta "Die Welt"
Nuk është problem e ashtuquajtura islamofobi, por fjalitë si: "Kjo nuk ka të bëjë aspak me islamin!" Duke pasur parasysh atë që po ndodh tani për tani në emër të këtij religjioni, shqetësimet janë me vend.
Çdo gjë ka anët e saj të mira dhe të këqija. Një biftek vjenez është i shijshëm, por shton peshën. Me shpikjen e internetit, njerëzimi mori qasje të pakufizuar për informata, por për fat të keq, së bashku me të, erdhën edhe trollët* dhe cyber-mobingu. Rrjetet sociale hyjnë në punë për përhapjen e blogjeve të modës dhe ushqimit, ashtu siç janë edhe për përhapjen e propagandës politike. 
Religjioni nuk është përjashtuar nga ky fenomen. Në emër të zotit, po kryhen vepra të mira dhe më pak të mira. Duhet kujtuar vetëm pak biblën, që urdhëron dashurinë ndaj njerëzve, por që toleron skllavërinë. As Vatikani nuk duket ndryshe. Një papë u mor vesh disi me nacional- socializmin, kurse tjetri nxiti shembjen e komunizmit. Pra, ekzistojnë gjithmonë dy anë të një medaljeje, pavarësisht a quhet dikush Pius XII, ose Gjon Pali i II.

"Kjo nuk ka të bëjë me islamin"
Terrori ekzistonte dhe ekziston në një formë apo tjetër, pothuajse te të gjitha religjionet. Në kohën e kryqëzatave ka pasur terror të krishterë. Ka pasur terror hebraik, si ai i organizatës ilegale “Irgun”, gjatë ndërtimit të shtetit izraelit. Vështirë se mund të besohet, por ka edhe terror budist në Mianmar, kundër pakicës islame, dhe ka terror hindus, siç ishte vrasja në masë e myslimanëve në Gujarat të Indisë, në vitin 2002. Por, ekziston vetëm një religjion i cili – nëse u besohet apologjetëve të tij - nuk ka anë tjetër të medaljes: Islami.

Pak kohë më parë, isha i ftuar nga Sandra Maischberger në një debat televiziv të ARD-esë. Tema ishte "Frika nga luftëtarët e zotit - a po na kërcënon ky islam edhe ne?" Pranë meje ishte e ulur Khola Maryam Hübsch, një myslimane gjermane dhe autore e njohur e disa librave. Përballë meje, në divan, qe ulur Aiman Mazyek, kryetari i “Këshillit Qendror të Myslimanëve.” U deshën vetëm disa minuta për të futur në përdorim praktik njërën nga hilet e gatshme, më të parapëlqyera dhe më retorike, që bëhen gjatë debateve për islamin. Khola Hübsch tha: "Kur shikoj Isis-in, atëherë vërej se kjo ideologji fanatike, nuk ka të bëjë aspak me islamin."

 "Islamofobia": Një mburojë e mirëseardhur 

Edhe pse Aiman Mazyek në këtë debat shmangu frazën e tij standarde, "kjo nuk ka të bëjë me Islamin", fjali, e cila mund të përdoret për çdo fenomen të përditshëm dhe për çdo situatë në botë, si një përfaqësues tipik i islamit në Gjermani, hodhi poshtë çdo përgjegjësi nga vetvetja. I pyetur për radikalizmin e të rinjve dhe se a nuk ishte detyrë e bashkësive përkatëse për t'i penguar ata që të mos zhyteshin në fundamentalizëm, Mazyek u përgjigj, se kjo detyrë, është e autoriteteve të sigurisë dhe të policisë. Më lehtë, njeriu nuk mund t’ ikte çështjes.

Moderatorja Kristiane Backer, e cila ishte larguar nga MTV dhe është konvertuar në islam, në fjalinë e tretë të raundit te Maischberger, e bëri gjithashtu të qartë: "Çfarë IS bën, nuk ka asgjë të bëjë me islamin." Njeriu nuk i mbetet gjë tjetër, pos të pyes, pse myslimanët marrin pjesë vazhdimisht në debate të tilla, kur e gjithë kjo, nuk ka lidhje me fenë e tyre.

"Kjo nuk ka të bëjë fare me Islamin." Çfarë mburoje e mirëseardhur! Është ky një refleks për të larguar çdo përgjegjësi nga vetja dhe bën të pamundur një diskutim racional për rreziqet, që dalin nga islami***. Në vend të kësaj, atyre që kritikojnë atë pjellë të keqe konservatore dhe radikale të islamit, u certifikohet një formë e rëndë e vuajtjes nga  "islamofobia."

Nëse çdo ditë, diku në botë, rrëzohet një avion pasagjerësh, do t’ ishte krejtësisht normale, njeriut të ketë frikë nga fluturimi. Fakti se shumica e avionëve aterrojnë të sigurt, do të ishte krejtësisht e parëndësishme dhe nuk do të qetësonte seriozisht njeri. Sepse, sa herë që dikush do të gjendej si pasagjer mbi re, frika nga rënia, do ta shoqëronte vazhdimisht. Një aeroplan në ditë! Njeriu do të brengosej, se kjo mund të ndodhë kudo dhe në çdo kohë. Por, kjo është vetëm një lojë mendimesh.

Në fakt, me islamin sjellja është e tillë. Nuk mund të thuhet, kur dhe ku do të krisë herën tjetër. Deri para disa javëve, ne mendonim se vendet si Australia dhe Kanadaja, janë të sigurta nga terrori islam, deri kur na dhanë një mësim më të saktë. Ndërkohë, çdo qytet evropian, ka skenën e vet salafiste.

A është vërtetë islamofobike, t' i kritikosh këto raste, pa iu qasur çdo herë shumicës paqësore të myslimaneve? Nuk duhet lavdëruar kompanitë e fluturimeve, se ia dalin t’ i mbajnë avionët e tyre lart në qiell. As nuk duhet të duartrokasësh myslimanët, që respektojnë Ligjin Themeltar. Është thjesht një çështje, që kuptohet vetvetiu.

A ishin Voltaire dhe Freud "krishterofobë"?
Në një shoqëri moderne duhet të jetë e lejueshme për të konsideruar një ide dhe ideologji të keqe, ose për ta kritikuar pa ndonjë kufizim, edhe atë, pa marrë parasysh a është fjala për komunizmin apo kapitalizmin, vegjetarianizmin apo feminizmin, krishterimin apo qoftë edhe islamin. Për qindra vjet, paraardhësit tanë me nam, në kuptimin e plotë të fjalës, kaluan nëpër ferr, në mënyrë që ne sot, të gëzojmë këtë të drejtë të mendimit të lirë. Dhe, tani, duhet ta rishikojmë atë, sepse myslimanët ndjehen të ofenduar?

Duke pasur parasysh, se këtyre ditëve, kritikat e vërteta dhe serioze vijnë vetëm nga ata që vazhdimisht stigmatizohen si "islamofobë", atëherë njeriu duhet të jetë absolutisht islamofobik. Nëse kritikët shterues qenkan islamofobë, siç u mvishet me kënaqësi, sociologut Hamed Abdel-Samad, sociologes Necla Kelek, politikanit Ayaan Hirsi Ali, neurologut Sam Harris, atëherë iluministët, si Voltaire, Bertrand Russell dhe Sigmund Freud, ishin të gjithë "krishterofobë."

Shumë myslimanë janë të bindur se islami në vetvete është i përsosur, por se vetëm disa myslimanë, nganjëherë nuk janë të tillë. Nëse fenomenet negative, siç janë sulmet terroriste, vrasjet e nderit, gjymtimet gjenitale,(syneti grave) martesat me dhunë dhe kalifati i IS-it, nuk kanë të bëjnë me islamin e përsosur, atëherë çdo humbje e skuadrës së futbollit të Pep Guardiolas, nuk ka fare të bëjë me klubin e përsosur të futbollit: “Bayern München”

Nëse tërheqim një vijë artificiale ndarëse mes islamit dhe islamizmit, ku çdo gjë që është e keqe, "nuk ka të bëjë me islamin", atëherë do të gjenim rezultate shumë interesante. Atëherë “ngrohja globale” nuk do të kishte asgjë me ndryshimet klimatike, kriza ekonomike, nuk do të kishte të bëjë me kapitalizmin dhe e majta gjermane, nuk ka fare të bëjë me partinë (SED) të Gjermanisë Lindore.

Kur Ayatollah Khomeini i quajti gratë e zbuluara "islamofobe" (zed-e eslam, persisht: kundër islamit), atëherë një humanist i ndriçuar, tash dhe sot, duhet të jetë si ato. Po, çdo aktiviste e të drejtave të grave, çdo kritik i totalitarizmit dhe antifashist, duhet të jetë i tillë. Çdo aktivist i të drejtave të njeriut dhe apostull i paqes, gjithashtu!

Të thuhet se islami i mirë do të thotë paqe, por diçka si islami i keq, nuk ekziston, atëherë përfaqësuesit e islamit dhe njohësit e islamit demaskohen si verbues dhe manipulatorë. Për aq kohë, sa bota islame është e pavendosur, e paqartë dhe vështruese e tendencave radikale, për sa kohë që nuk dëshiron të pranojë se islami ka gjithashtu një anë luftarake-politike, deri atëherë, do të mbetet një problem gjithë-islam. Deri atëherë, do të jetë e lejueshme të përziejmë islamin dhe islamizmin. Ose, ta them me fjalët e Aiman Mazyek: Kjo nuk ka asgjë të bëjë me "islamofobinë." Ne e quajmë iluminizëm!

Nga gjermanishtja për lexuesit e blogut Lis Bukuroca

 *”Troll” në zhargonin e internetit në gjermanisht quhet personi, që komunikimin e vet e kufizon në provokimin e emocioneve të lexuesit, si me tituj për shembull: “E tmerroi...”, “Befasi e madhe...”, “ E kalli...”, “ Çfarë i tha filani, filanit...”, “E çmendi...” “ E padurueshme shikoni...”, kurse në krye të herës, në mitologjinë nordike, “Troll” kishte kuptimin e shpirtit të keq, xhindit, demonit.)
**Cyber-mobingu, ose Cyber-Stalking quhen format  të ndryshme të shpifjeve, bezdive, kërcënimeve, sharjve, ngacmimeve, poshtërimeve, detyrimi me dhunë ndaj njerëzve ose ndërmarrjeve nëpërmjet mjeteve të komunikimi në internet.  
*** Herë pas here islamin e shkruajnë me germë të madhe, por sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si krishterim, po ashtu edhe islami, shkruhen me të vogël. Me shkronjë të madhe shkruhet emri “Islam.”

Artikulli në gjermanisht: Islamophobie? Wir nennen es Aufklärung!

Libra nga Lis Bukuroca

Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër.

Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu

Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore, 

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore, 

Shtatë parimet e dashurisëHijedritat e jetësDie Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.


Keine Kommentare: