Për çfarë bëhet fjalë në libër? Aty rishqyrtohen krimet, që kishte kryer ushtria serbe, por që u atribuoheshin irredentistëve shqiptarë. Aty ndriçohet deri në imtësi një industri serbe, e cila është marrë me prodhimin e propagandës për të dëshmuar, se UÇK ishte terroriste, pastaj se ishte marksiste leniniste dhe kur ato nuk sillnin rezultatet e pritura, i shtohej edhe islamizmi dhe mafia. Në fund, të zhgënjyer dhe në ankth, zbuluan tregtinë me organe, të cilën në libër e përgënjeshtrojnë kardiologët serb.
Vrasjet mizore të qytetarëve të vet, që para dhe gjatë luftës ishin përcjellë me plot trishtim, shoqëruar edhe me protesta, revolta nga serbet, janë dokumentuar në mënyrë akribike si vepra të Qeverisë serbe. Akuzat serbe autori i nxjerr si prolog para çdo teme, që trajton. Ai raporton “fakte serbe” me gjakftohtësi eruditi, shqyrton ato dhe në fund, e përmbyll me një epilog, jo me një përgënjeshtrim shqiptar, por me një apo disa nga gjykata serbe, nga politikanë serb, apo ekspertët serb.
Dramatik në ndërtim, stil mahnitës, tronditës në shpjegime dhe në fund, thirret lexuesi të mos ndikohet nga përsiatje e tij, por të vendos vet, se cilës së vërtetë serbe duhet t’i besojë: asaj të prodhuar nga politika dhe shërbimi sekret serb, apo përgënjeshtrimit nga gjykata serbe, ose ekspertët serb.
Libri dokumenton, se si Qeveria serbe vriste adoleshentë serb për të bërë UÇK-në të papranueshme në botë. Aty gjendet ndodhitë kryesore, që kishin si synim sipëror stigmatizimin e kryengritjes shqiptare.
Nëse libri i Rexhep Qosjes, në vitet e nëntëdhjeta, mund të konsiderohet ndër librat më shpjegues, apo më i miri për çështjen shqiptare dhe historinë, libri i Bardhyl Mahmutit, pa asnjë dyshim, është më i miri nga librat e botuar pas luftës. Ky libër, deri në detaje më të vogla, ka zbërthyer nacionalizmin e shtetit serb, shërbimin sekret serb, racizmin dhe dokumenton gjenocidin e pandëshkuar ndaj shqiptarëve, por edhe për pozitat, që kanë fituar kriminelët e djeshëm.
Gjatë leximit të këtij libri, që i ngjan shqyrtimit të provave nga një gjykatë gjermane, ku në imtësi, shqyrtohet çdo akuzë e ngritur, çdo mendim, çdo fjalë peshohet duke vazhduar me një urtësi të jashtëzakonshme, shprehur me kulturë dhe distancë emocionale, pa krijuar dyshime për hakmarrje, pa lënë pas vete as edhe dyshimin më të vogël për urrejtje ose mosdurimin ndaj Serbisë, madje as hije të smirës, kuptohet lufta politike e Serbisë, tani në fushë tjetër: t’i imponohen botës gënjeshtrat, që i kanë prodhuar në zyrat e Milosheviqit dhe që i kanë lexuar, që i kanë përhapur aq shumë, me ndihmën ruse dhe disa shërbëtorë të saj në Perëndim, sa sot i besojnë edhe vet.
Aty kuptohet defensiva shqiptare dhe si erdhi deri dëmtimi i imazhit të UÇK-ës në opinionin publik dhe me cilat metoda lufton shteti, shërbimi sekret serb, Carla del Ponte, Dick Marty dhe Oliver Jens Schmitt.
Aty kanë zënë vend të meritueshëm, jo vetëm vrasjet, që kishte kryer shteti serb me qëllim që ta dëmtojë UÇK-në, që më vonë kundërshtohen nga qeveritarë serb, gazetarë serb hulumtues, por aty mësohet edhe nga morën informata dy zviceranë, pse i morën dhe ku mësuan aq shumë të “vërteta”, edhe pse jetonin në Zvicër.
Aty dëshmohen provat nga “Libri i bardhë” i qeverisë serbe, që pas ribotimeve, ndryshon: publikohen lista të policëve të vrarë serb, të cilët në ribotim, pas luftës, nuk do të jenë më policë, por civilë të vrarë nga UÇK. Aty do të shihet se njerëzit kanë vetëm emra, ose vetëm mbiemra, ose nuk kanë asnjë konotacion identiteti, por shënohen vetëm me një numër. Materiale të tilla, pa fakte, me përkushtimin e Carla del Pontes dhe Dick Martyt ndikuan në themelimin e Gjykatës së Posaçme. Atë që nuk arriti ta impononte Qeveria e Millosheviqit, e realizoi Carla del Ponte dhe Dick Marty, sa manipuluan edhe Kuvendin e BE-së.
Ky libër dokumenton vazhdimësinë e politikës së Millosheviqit, që me stoicizëm, zbatojnë qeveritë serbe pas luftës. Aty lexohet antiamerikanizmi subtil i Carla del Pontes, i Dick Martyt, i Oliver Jens Schmitit, si manipuluan ata vetveten dhe si i shërbyen një qeverie fashiste dhe si ndikuan në rehabilitimin e saj, apo në gati rehabilitimin, sa të merret si partnere serioze. Aty bëhet fjalë edhe për racizmin Paul Léautaud. Flitet edhe për Ramush Haradinajn dhe Carla del Ponten, për Limajn, Thaçin, për Drashkoviqin, Vuçiqin...
Libri është dramë në vete dhe si asnjë deri më sot, zhvesh shtetin serb nga brerorja e mbështjellë e pafajësisë. Libri shfaq lakuriq edhe shërbimin sekret serb, Carla del Ponten, Dick Martyn edhe atë, me pyetje shumë logjike, shumë racionale dhe me konstatime të marra nga demantimet serbe. Libri me fakte dëshmon se gjenocidi ndaj shqiptarëve, tok me dhunimet, nuk janë ndjekur nga drejtësia dhe nënvizon burimet nga u shërbye Dick Mathy, Carla del Ponte, por edhe Oliver Jens Schmitt.
Asnjë libër deri sot nuk ka dokumentuar në këtë mënyrë luftën e drejtë të UÇK-ës, pastrimin etnik, gjenocidin serb, dhunimet serbe, plaçkitjen serbe dhe në bazë të atyre fakteve, sot, mund të ngrihet një akuzë për shpifje dhe manipulim, denigrim të qëllimshëm, madje edhe për racizëm, kundër Carla del Pontes dhe Dick Martyt.
Ata do të duhej të rrëfehen para një gjykate, pse u shndërruan në ekzekutorë të politikës së Millosheviqit dhe pse përdorën materiale, që në fund janë demantuar edhe në Serbi. Qeveria e Kosovës, Qeveria e Shqipërisë, ambasadat, duhet të ndihmojnë në shpërndarjen e librit kudo, ku njerëzit merren me politikë, me Kosovën dhe Serbinë.
Ky libër dëshmon, sa e domosdoshme ishte ndërhyrja e NATO-s, por ky libër është edhe apel politikës shqiptare të merret seriozisht me imazhin e dëmtuar. Ky libër i duhet edhe Gjykatës së Posaçme për të parë se si Millosheviqi pas vdekjes, arriti një fitore dhe ndikoi në krijimin e asaj gjykate.
Libri bën të qartë fuqinë e shërbimit sekret serb dhe vazhdimin e politikës së Millosheviqit, që edhe sot, shërbehet me materialet e tij.
Në 588 faqe nxirret në dritë krejt makineria e politikës serbe, i cili qysh nga krijimi, ka dëmtuar kombin shqiptar. Maqedonia, Mali Zi, nuk do të kishin mundur kurrë të pushtojnë troje shqiptare. Trauma kolektive, është e ndikuar dhe planifikuar nga pushteti serb dhe akoma ndikohemi nga propaganda e saj, në shumë sfera të jetës.
Ne kemi fituar luftën, por jemi tërhequr dhe Serbia vazhdon me përkrahësit dhe propagandën e vet. Këtë betejë jemi duke e humbur, sepse jemi duke u marrë tepër me vetveten, me karrierë dhe sekuestrime të meritave për çlirimin.
Libri duhet përkthyer në gjuhën serbe, ose si libër elektronik, të publikohet në internet, madje edhe dy versionet tjera, i frëngjishtes dhe anglishtes, që tashmë janë publikuar. Libri duhet lexuar nga shqiptar për të kuptuar peshën dhe pasionin e politikës serbe për të dëmtuar jo vetëm UÇK-në, por kombin shqiptar në tërësi. Serbia nuk është dorëzuar, nuk ka kuptuar, nuk ka përpunuar fashizmin e vet. Ajo gjendet në ofensivë si në vitet e 90, vetëm strategjinë i ka përshtatur kohës.
Libri do të mbetet në histori si fakt i pakundërshtueshëm i përpjekjes së popullit shqiptar për liri, por ai është edhe regjistër i ndërgjegjes politike serbe, i cili nesër do të ndihmojë ata, për të kuptuar abuzimin nga fashizmin i vet.
PS.
Miku im, Vasil Qesari, fotograf profesional, i cili më herë punonte për televizionin francez, këtë muaj ka qëndruar disa ditë në Beograd dhe më dërgoi këto fotografi me pyetjen, se a ekzistojnë afishime të tilla në Kosovë. I thash se më herët kanë qenë, por se nuk dija, a janë aty akoma. Pyeta mikun tjetër Erald Selca, a janë të ekspozuara publikisht veprat nga gjenocidi serb, ai më shkroi: “ Jo, nuk ka! Madje, asnjë! Kanë frikë se lëndojnë minoritet vëlla!”
Në ato fotografi, shihet se Serbia vazhdon me luftën e vet propagandistike, çfarë katërçipërisht dokumenton libri, mu edhe si në kohën e Millosheviqit, ku çdo vizitori të qytet, i dhurohet një imazh për UÇK-në dhe NATO-në.
Fotografitë flasin për kultivimin e tutjeshëm të armiqësisë ndaj shqiptarëve, por edhe për kontinuitetin e politikës serbe, qysh nga themelimi i këtij shteti.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen