Ne kemi
mendjen, por mendjen tonë përdorim për të zbatuar bindjet e huaja!
Ne kemi sy,
sy për të parë, por i përdorim, për të parë veten me sy të huaj!
Ne kemi
gjuhë, gjuhë për të ligjëruar, por e përdorim, shpesh për lëpirje!
Ne kemi
kurriz, por kurriz, shpesh për ngarkesë, ose shpesh, për shtrirje dhe rrallëherë,
për të qëndruar drejt!
Ne kemi
duar, duar për të mbajtur fatin tonë në duart tona, por i përdorim, për të
dorëzuar fatin tonë, në duar të huaja!
Ne kemi
këmbë, këmbë për të ecur para, por i përdorim, për të ikur prapa, ose, për t‘u
arratisur!
Ne kemi
sedër, por e flakim, e zhdukim për sedrën e huaj; për të urryer dhe përbuzur
veten, sa më bindshëm, sa më pakundërshtueshëm!
Ne kemi
frikë, por kemi edhe shumë guxim, për ta fshehur frikën e madhe!
Ne kemi
guxim, por kemi edhe shumë frikë, për të fshehur guximin e budallait!
Ne kemi
guxim t’i rrahim, edhe t’i vrasim, ata që duhet t’i duam, por jashtë, jemi
frika vet!
Ah, po..., ne
edhe dashurojmë, por kemi frikë t'i falim lirinë dashurisë, sepse ne kemi frikë, të dashurojmë
dashurinë dhe ne jemi trima, të vrasim dashurinë, por jo urrejtjen, sepse ne
kemi frikë nga dashuria, sepse kemi humbur çiltërinë dhe kultivojmë dyfytyrësinë,
sepse ne nuk guxojmë të jemi Vetja!
Ne kemi shumë
urrejtje, urrejtje për të urryer shumë, urrejtjen e huaj!
Ne kemi padituri,
shumë padituri, padituri për t’u marrë me padijen e huaj!
Ne kemi paragjykime,
shumë paragjykime dhe me ato, paragjykojmë paragjykimet e huaja!
Ne kemi të
meta, shumë të meta, por i sjellim vërdallë, të metat e huaja!
Ne,
përnjëmend, nuk kemi kohë të merremi me Vetveten, sepse ne vazhdimisht, merremi
me të tjerët!
Dhe ne, mbiçmojmë
flijimin dhe presim, të flijohen të tjerët për ne, sepse ne, nuk kemi kohë,
sepse ne nuk kemi nge, as të luftojmë diskriminimin në shtëpi!
Sepse ne nuk
jemi Vetja; ne sillemi e flasim, gjykojmë e paragjykojmë, marrim vendime e
veprojmë, si presin të tjerët! Sepse ne nuk jemi Ne, nuk guxojmë të bëhemi Ne, por
ne jemi dhe bëhemi ata, sepse nënshtrimi është më i lehtë, sesa kundërshtimi
dhe ja pse presim të na bien supeve! Vetëm të na bien supeve!
Oh, vërtetë
kemi shumëçka, që na duhet dhe gjithçka që s’na duhet; kemi dhe shëndet, por
vetëm kohë nuk kemi për asgjë: as për të qenë i drejtë brenda dhe jashtë, as
për të lexuar, as për të luftuar padrejtësitë e mëdha, sepse qeverisja e kohës,
kërkon urtësi dhe pjekuri, vrull e turr, çfarë ne gjithnjë e më pak e kemi, ose
fare nuk e kemi, sepse ne nuk jemi, por kemi guxim të mos jemi dhe të mburremi,
pse ne nuk jemi!
Dhe, derisa
ne nuk do të jemi Vetja, Vetja nuk do të dijë kush jemi, sepse edhe kur jemi,
jemi Ata, ose Ai, e jo Ne, jo Unë, prandaj gjithmonë, do të jemi pakëz Dikush
dhe tepër shumë Askush, sepse kemi frikë të jemi Ne, të jemi Unë, kështu, nesër
fajësojmë ata, sepse është më lehtë të nënshtrohesh, se sa të ngresh krye! Sepse
është më lehtë të jesh rob dhe lodër e huaj, sesa ndërtues i rrugëve të reja!
Sepse është
më lehtë të shtrihesh, sesa të ngrihesh!
Sepse është
më lehtë të lustrosh këpucë, sesa t’ i bësh ato!
Sepse ngritja
kërkon mençuri, kurse dorëzimi, pajtim me të qenit i kotë dhe pa dobi!
Dhe, mu kjo
është arsyeja, pse nuk do të vdesim si Dikush, por vetëm si Askush, prandaj guxo
të jesh vetja, sepse më mirë është të mbahesh mend për përpjekjet e dështuara,
sesa për përtypjet e suksesshme, sepse Ne, Ne nuk kemi ardhur në këtë botë për
dremitje, por për të ndërtuar, për të luftuar padrejtësitë dhe për të përmirësuar
jetën për fëmijët tanë!
Ti mundesh!
Guxo të
bëhesh Njeri i madh!
Nëse jo
jashtë, atëherë në shtëpi!
Guxo të
bëhesh Dikush!
Nëse jo
jashtë, atëherë në shtëpi!
Guxo të bëhesh i drejtë!
Jashtë dhe në shtëpi!
Guxo të
bëhesh Vetja!
Nëse jo
jashtë, atëherë në shtëpi!
Mos guxo të
mbetesh Asnjeri!
As jashtë,
as në shtëpi!
Mos guxo të
mbetesh Askush!
As jashtë,
as në shtëpi!
Sepse Ti mundesh
dhe Ti guxon!
Guxo!
Nga përmbledhja me poezi "Shtatë parimet e dashurisë"
- Shtatë parimet e dashurisë, poezi, TEK AMAZON
- Shtatë parimet e dashurisë te lulu