Shkruan: Vjollca Hajdari, autore e ftuar
Asnjë politikan nuk i ka mbrojtur më shumë se politikani
shqiptaro-zviceran, Arber Bullakaj, futbollistët Granit Xhaka dhe Xherdan
Shaqirin në debatin e shumëpërfolur të shqiponjës dykrenare. Të gjithëve na
kujtohet ai momenti gjatë kampionatit botëror në lojën Zvicër- Serbi, kur të
provokuar nga tifozët serbë që brohorisnin "vrisni shqiptarët, dy lojtarët
e përfaqësueses së Zvicrës, Xhaka dhe Shaqiri, e bënë me duar shqiponjen
dykrërëshe. Gjesti kishte dy mesazhe: të krenoheshin me identitetin e tyre dhe
t'i gëzoheshin fitores që ata i dhuruan Zvicrës.
Përmes lojës së shkëlqyeshme të futbollistëve tanë, Zvicra u katapultua në
rangun e vendeve më të suksesshme në kampionatin botëror. Por në vend se të
shkëlqente nën rrezet e yjeve zvicerane të futbollit, Zvicra vuri nën hije këtë
fitore, duke demonizuar një gjest paqësor siç ishte ai i shqiponjës. A u ndikua
Zvicra nga fushata propagandiste e serbëve? Po. Por a bënte Zvicra edhe vet
pjesë në këtë faj? Edhe kjo është e vërtetë. "Përderisa lojtarët tonë
shënojnë gola, ata janë heronjtë e Zvicrës. Por në rast se nuk sjellin
rezultatet e pritura, atëherë ata janë të huaj per zviceranët", thotë
Arber Bullakaj.
RA KY SPORT E U PAMË
Por çfarë mund të bëhej në këtë situatë dhe çfarë na mëson kjo përvojë? Se
shqiptarët ishin të papërgatitur përt'u mbrojtur dhe për të reaguar në mënyrë
të organizuar e institucionale. Ditë me radhë - përpos ca qëndrimeve të pakta
pozitive - lojtarët Xhaka dhe Shaqiri, u bënë cak i sulmeve mediale të shtypit
dhe shoqërisë zvicerane. "Para së gjithash ata nuk ishin të mbrojtur
politikisht" shprehet Bullakaj. Kjo lojë na tregon se sporti është edhe
politikë. "Xhaka, Shaqiri dhe futbollistet e tjerë, ishin ata që e sollën
Zvicrën në piedestalin ndërkombëtar të sportit. Por ajo që na mungon, është
fuqizimi politik. Prandaj si në sport, njashtu edhe në politikë na nevojiten
zërat e fuqishëm. Sportistët janë golashënuesit, ndërkaq politikanët janë
portierët", thotë politikani që ka kandiduar përt'u zgjedhur në
Parlamentin Nacional të Kantonit të Sankt Gallenit.
ÇFARË E KARAKTERIZON ARBER BULLAKAJN?
33 vjeçari që jeton në Zvicër, mishëron tipin e ri të politikanit evropian. Ai
është modern, kozmopolit, inovativ, aktivist shumëdimensional në politikë,
dinamik, i guximshëm dhe luftëtar i denjë i të drejtave të njeriut e sidomos
atyre të emigrantëve - të huaj e shqiptarë. Simpati të shumta, ai ka fituar nga
gjysma tjetër e shoqërisë: gratë dhe vajzat, për të drejtat e së cilave ai
angazhohet në mënyrë aktive. "Unë jam baba i një vajze të vogël trevjeçare.
Si prind i një fëmijë të botës femërore, dua që nesër bija ime dhe të gjitha
vajzat, që janë bijat e dikujt apo gratë që janë nëna e motra, të jenë të
barabarta në çdo sferë të jetës, shprehet ai. Ca ditë më parë, ai i shoqëroi
protestat e grave në Zvicër, për të cilat raportuan edhe mediat ndërkombëtare,
ndër to, „The New York Times". Por jo vetëm kjo, është çështja që e
preokupon politikanin shqiptaro-zviceran. Nënshtetësia zvicerane, qëndrimi i
tij social-kritik ndaj diskriminimit të të huajve, luftimi i paragjykimeve, por
edhe krijimi më i ngushtë i komunikimit mes popullit zviceran dhe emigrantëve, janë
objektivat që ai ka.
PËRSE DUHET ZGJEDHUR ARBER BULLAKAJN?
Me zgjedhjen e politikanit shqiptaro-zviceran ne Parlamentin Nacional të
Kantonit të Sankt Gallen-it, Zvicra do të pasurohet me një politikan të një
fryme të re. "Unë kandidoj për në Parlamentin Nacional, sepse dua të
përfaqësoj një Zvicër, në të cilën nuk ka rëndësi se prej nga vjen, kë dashuron
apo çfarë ngjyre të lëkurës ke", thotë kandidati shqiptar. Pllakatet me
këtë moto janë të shpërndara kudo në kanton. Arberi është i njohur dhe i
etabluar në shoqërinë e politikën zvicerane, por ai shpreson sidomos në
mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë aty. Me zgjedhjen e tij më 20 tetor të
këtij viti, shqiptarët do të kishin një zë të fuqishëm që do t'i përfaqësonte
ata politikisht, por edhe komunitetet tjera që përbëjnë shumëllojshmërinë e
Zvicrës. Para së gjithash Arberi do të shërbente si urë lidhëse mes Zvicrës dhe
kulturave të tjera, si promotor i të drejtave të grave dhe si fuqizues politik
i faktorit shqiptar. Ai do të ishte politikani i parë shqiptar, zemra e së
cilit rrah për të dy vendet: atë të Zvicrës dhe Kosovës. Arber Bullakaj do të
ishte shqiponja me dy zemra.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen