29.06.2019

E përmalluara Dede, gazetaexpress, botasot


Roman nga Thanas Jorgji

Maria kalon tërë jetën e veshur me të zeza pa mundur të takohet me të dashurin e saj në anën tjetër të kufirit dhe mbetet e pamartuar, kurse Dede, vjen këndej kufirit dhe nuk mund më të dalë në anën tjetër. Kjo ishte diktatura çnjerëzore e Enver Hoxhës, si ajo sot në Korenë Veriore.

Çdo njeri që ka pasur një gjyshe kupton dhe përjeton ato çaste të hareshme fëmijërore, kur ajo është fole e ngrohtësisë, e mbrojtjes, e udhëzimeve, e edukimit dhe socializimit primar. Nipi përcjell me keqardhje dhe habi brishtësinë në rritje, zvogëlimin e saj dhe rritjen e vetes, më vonë pafuqinë për t’i përmbushur dëshirën e fundit, tok me zhgënjimin me rendin politik, por me shpresën e madhe deri në frymëmarrjen e fundit të gjyshes Dede.
 Kalimet në periudhat e ndryshme jetësore, prej fëmijërisë së hershme në shkollë, pastaj në ushtri si kufitar, më vonë në punë, ndodhin aq natyrshëm, sa mezi vërehen. Ose më qartë, lexuesi rritet me nipin dhe mplaket me gjyshen! Në lexim e sipër përjetohen dy ecuritë e jetës, fillimi dhe mbarimi.

Rrjedha vazhdon si një lumë dhe aq natyrshëm për t’u derdhur në fund në një ngjarje, në një dramë me plot dhembje. Sa herë përfundoja një ndarje nga 73 sa i ka romani (këto lehtësojnë shumë leximin) thosha me vete, o zot, çfarë telenovele madhështore do të dilte!

Tani autori gjendet në kufi, në kufirin që dikur gjyshja i shpjegonte fëmijës  
si një rrethojë me tela dhe e gjemba, me qen të egër që të shqyejnë. Me kalimin e kohës, kur Dedja mplaket dhe humb gjykimin, është nipi ai që ia shpjegon çfarë është kufiri.

Dialogu në kufi për vajzën që zhvishet, që dëgjon muzikë jashtë dhe që shoku i shkrimtarit e pagëzon Helena, flet për botën e pa liri, që vështron dhe merr me mend lirinë jashtë, por që ka për detyrë të mbrojnë burgun e vet, nga liria njeriut të lirë. Aty raportohet për një botë që ka frikë nga liria dhe që me armë në dorë, ruan robërinë vetjake! Pastaj sadizmi dhe kafshëria e kapterit Vullnet, ekstremisht i indoktrinuar cili vret njerëz thjesht për të shkuar një javë me leje në shtëpi dhe për ta mbajtur kapter në kufi. i cili garon me atë kufitarin tjetër tre posta kufitare më larg, cili do vrasë më shumë njerëz që tentojnë të kalojnë kufirin.

Në ato skena sa të çuditshme për ne sot, aq edhe tragjike, ndërfutet një humor i hollë si në mënyrë subversive, sikur dëshiron t’i thuhet lexuesit: ji i qetë, buzëqeshu, përsiat, jetë është kjo, qeshu pak megjithatë dhe shiko se çfarë epoke të bishave mbijetuam, sepse të ligën që nuk e mënjanojmë, e kultivojmë. Dhe, e bëmë me dekada.

Dedeja është viktimë dhe qortuese fisnike e një rendi çnjerëzor. Ajo vuan dhe flijohet gjersa nipi përkap ato emocione, ato zhgënjime, atë durim, për t’i hedhur në letër pas vdekjes së saj dhe për t’i ngritur gjyshes një monument letrar! Cila gjyshe nuk do t’ ishte krenare për rezultatin e vet?

Ajo duke i rrëfyer përralla nipit, kishte vënë themelet e një ngrehine letrare! Nipi ia kthen borxhin me 41 romane dhe e përjetëson jo vetëm atë, por edhe mënyrën e martesave, rolet sociale në familje: atin, nënën, gjyshen dhe maçokun Beqo, që duhet të ruajë shtëpinë nga minjtë, siç e ka për detyrë ushtari në kufi të mos lejojë “minjtë“ për të braktisur vrimën e madhe, të zezë, kafazin e madh. Nipi i kthen borxhin gjyshes. Ky është altruizimi gjenetik dhe reciprok! Pa gjyshen Dede, Thanasi nuk do t’ishte ai që është dhe pa Thanasin, Gjyshja do të mbetej gjyshe e përvuajtur anonime siç i kemi me mijëra dhe pa mundësi për të rrëfyer sakrificat e veta!

Gjyshja është fisnike. Ajo i beson të mirës, dashurisë, jetës së përjetshme. Ajo është një gjyshe si e përrallave, një grua shumë e këndshme, e cila qysh nga fillimi është krye personazhi, pastaj largohet një çikë për t’i lënë hapësirë të birit dhe Maces. Po e shkruaj Macen me të madhe, sepse edhe ajo është një personazhe e mrekullueshëm dhe me përshkrime fantastike si dhe interpretimi e gjestikës së saj, gjuhës trupore siç e quajnë psikologët; vështrimin e shtëpisë së lindjes nga oborri me të vegjlit e vet, deri te largimi i saj dinjitoz: tmerr dhe shtangie! Trishtim! Edhe pse ftohet, ajo nuk futet më në shtëpi! Ajo ikën! Lexuesi  nuk mund të mos dënesë për fatin e Maces.

Përfundon koha e ushtrisë dhe lexuesi mendon se gjyshja Dede nuk do të shfaqet më, por ajo del përsëri në skenë, e mplakur, tanimë e kërrusur, e thatë, e pafuqi dhe ndërron rolet me nipin: tani është ai që bartë atë dhe ai përkulet para saj duke i ofruar shpinën! Ajo që duhet ndihmuar dhe jo që mund të ndihmojë. Ajo që dëgjon shpjegimet dhe nuk rrëfen më shumë. Edhe pyetjet e saja shkurtohen, si edhe trupi!

Para Dedes shfaqet pushteti me krejt mizorinë e të Madhit, i cili nuk njeh njerëzinë, njerëzoren, por kujdeset të "mos futen në parajsë, e as të mos braktiset parajsa!", që ekzistonte vetëm në kokat e një aparati shtetëror apatik dhe mizor, që lirinë e ruante rrethuar me mure dhe burgje, me bunkerë. Nuk kam lexuar kurrë një roman kështu me paralele madhështore të një jete deri në vdekje, me krahasimi të roleve sociale jo vetëm të njerëzve, por edhe të kafshëve si bashkudhëtarë tanë.

Në roman shtjellohet fati i njeriut, pasojat e jetës, barbaria e pushtetit dhe mungesa e humanizmit. Me këtë roman Dedeja mbijeton atë pushtet dhe mbetet gjithmonë njerëzorja, e cila dëshmon për frymën e një diktatori, të një Kaligule shqiptar. Dede me fatin e imponuar, godet çdo rend, që vihet mbi lirinë, mbi dinjitetin e njeriut! Dhe vlen për çdo diktaturë në botë, ato të djeshme, ose ato të sotshme!

Kur lexoja fatin e maces Grizë, mendoja, sa fantastike do t'ishte të lexohej para nxënësve, të ishte lekturë nëpër shkolla fillore për të mësuar të rinjtë se edhe kafsha është një gjallesë që meriton jetën, e jo të vriten qentë endacakë.  Sepse aty ku jeta e kafshës nuk ka vlerë, nuk ka as e njeriut! Jo vetëm ajo, por shumë etër mund të shohin se si traumatizohet fëmija dhe pse duhet të ulen dhe të flasin me të sy më sy, jo nga lartë poshtë! Jo të zvogëlohet vogëlushja ose vogëlushi me trysni, por të rritet: të merret parasysh bota e tyre, ndjenjat e tyre! Këtu shpaloset ana didaktike e romanit, që thërret për trajtimin e fëmijës me empati dhe inteligjencë emocionale.

Romani ngërthen një jetë të tërë të Dedes, nga martesa e deri në vdekjen e saj me të gjitha telashet, që mund t' i linden njeriut brenda atij gjallërimi të shndërruar në peshë, në mynxyrë, në fatkeqësi!

Romani është një kryevepër! Gjuha shumë e bukur, fjalori i zgjedhur, fjalitë e lidhura për mrekulli, skenat, ngjarjet, rrëfimi pa urrejtje dhe pa asnjë fjalë të tepërt, shkruar me mjeshtëri dhe ndjeshmëri si në rolin e fëmijës, që mrekullohet me përrallat e gjyshes dhe që i kacavaret, si me pyetjet naive, por më vonë edhe me ato që ngucnin Deden për Zotin dhe besimin.

Shtëpia e Dedes gjendet afër dhe nga bregu e vështron me nipin, por ajo gjysmë e verbuar nga pleqëria nuk mund ta shquajë më dhe rropatet ta perceptojë kontaktin me fshatin nëpërmjet një shqise shtesë: thithjes me anë të poreve të lëkurës, nëpërmjet erës që vjen nga fshati i saj.

Me shkrimin e letrës, ruajtjen e ftoit vit pas viti për postierin, i cili duhej ta sillte lejen e shumëpritur për të udhëtuar, për të parë gjyshja edhe një herë shtëpinë e lindjes, siç pati fatin ta bënte Griza me të vegjlit e vetë. Jo, jo, letra nuk do të arrijë kurrë, kurse nipi do të detyrohet t’ia lëshojë në dorën e saj të thatë një pusullë, që e kishte pritur me vite dhe tani me të, t’i dërgonte mesazhin se ajo megjithatë erdhi dhe se gjyshja e ëmbël, më në fund, do të nisej për t’u çmallur me të afërmit e saj. Ajo edhe do të niset, por jo drejt shtëpisë së lindjes, por drejt amshimit!

Plaka niset dhe braktis jetën që ishte më shumë mundim se sa kënaqësi, gjersa rendit politik po i afrohej fundi i turpshëm. Ajo priti më shumë se sa jetoi, në një vend ku leku dhe i Madhi shkaktonin ankthe dhe telashe pa pra. Dede i ngjan Sizifit dhe sa herë që mendonte se kishte arritur në majë, nipi duhej ta ngushëllonte se megjithatë, duhej të ngjiteshin përsëri.

Me të ndjerë letrën në dorën e vet, Dede çjeton, çjeton sepse ajo me romanin është shndërruar në një gjyshe të pavdekshme, me të cilin nipi ia kthen të gjitha të mirat dhe anulon vdekjen e saj duke e lënë si personazhe, e cila do t’i dhurojë iluminizëm çdo rendi diktatorial. Dede nuk vdes kurrë! Ajo është përmendore reflektimi, që godet një zezone, një gjoja jetë, një shtirje dhe improvizim. Ajo është personazhe që përjeton dramën e një diktature, të cilën autori e shndërron në një heroinë  sublime, e cila vizaton karikaturën e një klase politike egërshane, shtazarake: një shtresë mediokritetesh me më pak dinjitet se maçoku Beqo dhe macja Grizë!

Në roman kemi ecurinë e diktaturës të përjetuar nga një gjyshe: pasojat e saj dhe shpresat që nuk bëhen kurrë realitet.

Dedeja do t'u rrëfej brezave të ardhshme vuajtjen e saj dhe do t'u bëjë të qartë shkaktarët e asaj dhembjeje. Dedeja e përmalluar, ikën me mall dhe duron me stoicizëm gozhdimin e shpresave, por një bindje nuk mund t’i hiqet: dashuria dhe shpresa te Zoti! Ajo nuk i besoi vetëm Krishtit, por edhe rilindjes, në fakt, ajo është rilindur me romanin, që i kushton nipi. Ajo me përrallat e veta, mund të merrte me mend, se po ndërtonte një personalitet të ri, një shkrimtar!

Romani “E përmalluara Dede” është i mrekullueshëm dhe thërret për humanizëm, për kuptimin e jetës, fundin e saj dhe përkohshmërinë tonë, pa harruar edhe rekomandimin për të trajtuar edhe kafshët me dashuri, që duket si ngjarje anësore, por duke nënvizuar me takt pashpirtësinë e njeriut në përgjithësi!

Kur përfundohet një roman kaq i mrekullueshëm, gjithmonë mbetem me një ndjenjë të dyzuar: i kënaqur që pata mundësinë ta lexojë dhe i dëshpëruar pse përfundoi! Me këto pak rreshta nuk është thënë në tërësi mendimi për këtë vepër, por vetëm përshtypja e çastit pas leximit.

E përmalluara Dede është botuar në vitin 1992 në Shqipëri dhe në vitin 2018 është përkthyer në italisht.

Lis Bukuroca




Keine Kommentare: