Nuk di si ju tingëllojnë ato metafora për mjekët dhe policët, por sa herë i dëgjoj, më duken si poshtërim i njeriut dhe identifikim i tij me stofin! Njeriu ka dinjitet, jo pëlhura! Nëse qenka normale, atëherë duhet stolisur edhe profesionet tjera. Ja një shembull:
Sot lapsi hulumtues (gazetar që merret me investigime) publikoi librin „Si të bëhesh politikan milioner?“ dhe në panairin e librit, u takua me kravatën e Kosovës (Ramushin). Aty ishin të pranishëm edhe shumë vargje (poetë).
Xhepi i gjelbër (Hashimi) refuzoi të merrte pjesë sepse aty gjendej edhe këmisha kuqezi (Albini). Kur një xhaketë (pjesëtar i popullit për dy gjinitë) dogji një libër të Agron Tufës, (sipas tij kishte bërë sakrilegj duke baltosur figurën dhe personalitetin e Enver Hoxhës, profetin e ndritur të komunistëve ateistë), fustani i pranishëm, luti pantallonat pranë vetes, t’ ia jepnin një celular për të thirrur uniformat blu-verdha (zjarrfikësit).
Me ta së bashku erdhën edhe mantelet e bardhë dhe uniformat blu. Disa pampers u trishtuan dhe i plasën vajit. Infarkti (Saliu) akuzoi shallvaret e kuqe (Ramën) se ai kishte organizuar djegien e librit të lapsit hulumtues. Këtë e konfirmoi edhe këmisha blu (Luli).
Meqenëse përleshja dhe akuzat nuk pushonin, me avion erdhi mavi-tulla (Pacolli) dhe i qetësoi ca. Pas pak, erdhi fshesa (pastruesi) dhe fshiu ngjarjen. Ca minuta më vonë, u dha kumti se një grumbull xhaketash, po protestonin te unaza e shkurorëzimit. Uniformat blu nxituan atje ku lënduan dhe arrestuan shumë fustane dhe pantallona! Me trajtimin e të lënduarve, u morën mantel-bardhëzat (infermieret).
Në rrugë vështronin fletoret (nxënësit), provimet (studentët) syzet (profesorët) dhe mantel-zinjtë (prokurorët dhe gjykatësit).