Të çliruar dhe mashtruar
grabitur dhe dërmuar
me biletë dhe shumë shpresë
askush atje nuk do të mbesë
Në një anë demarkacionin
n‘anën tjetër korrupsioni
në një anë politika me mafi
si shpërblim një autonomi
banditët me pushtet
Kosova shtrirë plot lezet!
Kuku, ç'u bë me atdhetarët,
me lot në sy kosovarët,
pranë thëngjillit të mërdhirë,
pranë energjisë n‘errësirë,
pranë xeheve në varfëri,
pranë pasurisë në arrati,
cullak e pa mundësi,
zhgënjyer plak, zhgënjyer i ri!
Dëbuam hajnat e Serbisë, brohori!
Kemi tanët edhe t' lirisë!
Kemi tanët edhe t' lirisë!
Se ç'na degdisën, na trullosën,
shanë e sakatosën,
tarafet në qeveri
dit' e natë dyfytyrësi!
Po bërtas i trishtuar,
nga mëmëdheu i dëbuar,
herë mërzitur, herë tronditur,
herë i shtrirë, herë i ngritur
herë gënjyer, herë zhgënjyer
herë përkëdhelur, herë urryer!
të përgjuar dhe cullak
të pafytyrët si halabak
të vetë-shitur, herë të blerë
brohori, vasalë dhe bejlerë!
Pak shenja, pak dritë,
nuk pushojnë as mëritë,
mileti tkurrur dhe pakësuar,
sedra jonë krejt dhunuar,
atje larg në Prishtinë
hidhet vallja për pasurinë,
atje larg, luhet shtet
dhe hidhet vallja për pushtet!
Rraskapitur, e dalldisur,
shumë krenar, por molisur,
nuk ëndërroj, pa shpresë mbeta,
zhvatësit bëjnë punët e veta.
Dhe profesorët i merr lumi,
kur studentët zgjohen nga gjumi,
se rinia kur bërtet,
dhe politikani ikën vet,
dhe e ënjtur pëlcet doktorata,
ku blihet dhe matura,
studenti më i dijshëm se profesori
ku me tituj qeraset horri,
ngrihuni dhe dëboni,
prangosni e arrestoni!
në rrugë nxënës dhe ju studentë,
ndryshe s' mbusheni kurrë me mend!
Po, pas dimrit vjen pranvera
bisht pas saj shfaqet dhe vera
hapi sytë, nuk vonon dhe vjeshta
nxiton dimri, mbulon kreshta!
Kosovë! Njerëzit tu me pushtet,
s' kanë ndërmend të bëjnë shtet
prandaj në këmbë dhe dëbo,
prangos e arresto,
nisja popull nga prokuroria,
nga gjykata dhe qeveria!
Brohori! Në qelitë e tyre gjendet Liria!
Brohori! Aty zhburgoset dhe drejtësia...
(Shtator 2014)
Nga përmbledhja me poezi "Hijedritat e jetës"
Porositja te lulu: Hijedritat e jetës, poezi 2010-2017
Botimi i dytë janar 2022
Vështrim mbi librin Hijedritat e jetës
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen