22.04.2020

LDK dënon gjuhën denigrues të Kurtit

Zyra për Informim
“LDK dënon gjuhën denigruese, fyese dhe përçarëse të kryeministrit të shkarkuar, Albin Kurtit, kundër kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe partisë në përgjithësi. Ndryshimi i shpeshtë i qasjes ndaj LDK-së dhe kryetarit të saj, Isa Mustafa, tregojnë jo vetëm natyrën egoiste e inatçore të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, por manifestojnë edhe probleme personaliteti.”

Sipas Zyrës për Informim Albin Kurti qenka egoist, inatçor dhe paska probleme personaliteti, por atëherë  pse duhet t’i mohohen edhe Isa Mustafës ato tipare që i ka edhe ai: Egoizmi i tij njihet tashmë në katër rende shoqërore: në atë të Jugosllavisë, të Serbisë, Rugovës 89-99 dhe të Republikës. Isa Mustafa me egoizmin e tij të  theksuar ia doli të shquhet dhe të përfitojë nga çdo rend.  Kjo nuk bëhet me altruizëm, por vetëm me egoizëm!

Pas vdekjes së Rugovës u anëtarësua në LDK, diku 21 vjet pas themelimit të saj, dhe në vitin 2010, e sekuestroi LDK-në. Pas asaj fitore,  ai do të votohet si kandidat i vetëm me duartrokitje, si Josip Broz Tito, dhe këtë parti, e quajnë parti demokratike.

A ka psikologë dhe psikiatër në Zyrën e Informimit, nuk dihet, por dihet se një gjuhë e poshtëruese, nuk luftohet me një gjuhë tjetër poshtëruese.

Zyra për Informim
“Për dallim nga Vetëvendosje, në LDK vlerësohet dhe respektohet mendimi ndryshe…„ 

Me mendimi ndryshe nuk është edukuar Isa Mustafa. As ta respektojë jo. Ai hakmerret, siç veprohej në komunizmin jugosllav. Me mendimin ndryshe Zyra mburret, por nuk përmend ekskomunikimin e Vjosa Osmanin pikërisht pse kishte mendim ndryshe. 

Nuk mund në një anë të krenohet Zyra me mendimin ndryshe, në anën tjetër të shpërfillë sanksionet ndaj zonjës Vjosa Osmani, edhe pse të ulurit në atë tryezë, kishin arritur me kontributin e saj.
Qeveria do të sajohet, por Vjosa do të përjashtohet, sepse ata kanë frikë nga mendimi ndryshe, sepse ata i bashkon interesi dhe i trishton e vërteta, sinqeriteti.  LDK nuk njeh demokraci të brendshme, por përjashtime dhe linçime.
Sot,Krahina Socialiste Autonome e Kosovës përleshet me ardhmërinë e LDK-së së Rugovës. Këta do të luftojnë për pushtet deri në vdekje, do ta luftojnë brezin e ri intelektual brenda partisë, sepse ata janë zhytur dhe në një shtet juridik, nuk do t’ i shpëtonin burgut!!

Zyra vazhdon:
„Kur u duhet për arsye shëndetësore, njerëzit e LDK-së mbahen edhe për shkopi. Por, shkopin nuk e kemi përdorur dhe nuk do ta përdorin asnjëherë për ta goditur dikë …“

E vërtetë njerëzit e LDK-së nuk godasin me shkop, por sulmet ishin, citat nga gazetat:„me karrige, breshëri grushtesh e shuplakash!“ Ku? Në partinë paqësore, që asnjëherë nuk ka përdorur shkopin për të goditur dikë!

Çfarë i bëjnë sulmet LDK-së? “…na bëjnë më të fortë dhe konsistentë për të mbrojtur shtetin dhe interesat e qytetarëve”.

Meqenëse e bëjnë të fortë dhe të qëndrueshëm, atëherë pse Zyra për Informim nuk falënderohet për ndihmën? Si mundet Zyra në fillim të shpallë Kurtin me probleme personaliteti, në fund ta falënderoj për abuzimin dhe gjuhën denigruese? Pse ky falënderimi shprehet në mënyrë mazohiste?

Çfarë thotë Zyra për Informim në fund?
“Lidhja Demokratike ju bën thirrje gjithë qytetarëve që të mos bien pre e fushatave linçuese të orkestruara nga Vetëvendosje…“

Zyra e LDK-së  nuk është Kryeministria sa t’u bëjë thirrje qytetarëve, as Kryetar jo, por nga ajo zyrë mund t’u drejtohen vetëm anëtarëve dhe ithtarëve të LDK-së.

Zyra në fund:
„LDK-ja beson dhe punon për forcimin e institucioneve dhe mekanizmave të krijuara nga shteti i Kosovës, për të garantuar liritë qytetare, lirinë e fjalës dhe mendimin ndryshe.”

E si? Duke e rrëzuar Qeverinë, duke luftuar për pushtet gjersa bota lufton kundër vdekjes, që i kanosej edhe popullit të Kosovës. Dhe, besimi i fundit i LDK-së, është krijimi i Qeverisë së re me ndihmën e 10 deputetëve serb, të cilit drejtohen nga Vuçiqi dhe të cilët tok me Mustafën, do të luftojnë për të mos lejuar copëtimin e Kosovës që e kanë përgatitur Thaçi dhje Vuçiqi.

Deklarata e Albin Kurtit, që ka nxitur reagimin e Zyrës për Informim:

“Nëse do të kishte ndryshim në udhëheqjen e LDK-së, qoftë për nga kursi, qoftë për nga personalitetet, do të ishte e mundshme një gjë e tillë, mirëpo siç është tani, nuk mund të them se ka bashkëpunim nëse mbështetet presidenti. Nëse kryetari i LDK-së e përdor shkopin e tij më shumë për ta goditur zonjën Osmani sesa për të ecur me të”, ka thënë Kurti.

Reagimi i LDK-së: https://www.facebook.com/LDKzyrtare/posts/2456654457979149

Libra nga Lis Bukuroca:
Ngjyrat e dashurisë, roman erotik vetëm për lexues të moshës madhore
Hijedritat e jetës, poezi, 2010-2017
Letër burrave (1) mbi diskriminimin gjinor dhe pasojat për shoqërinë
Letër burrave (2) mbi diskriminimin gjinor dhe pasojat për shoqërinë 
Die Asylbewerber, (Refugjatët), komedi, gjermanisht

Keine Kommentare: