Një shtet është funksional, vetëm nëse ka administratë të pa korruptuar. Nëse nuk është, investitorë seriozë nuk vijnë kurrë, por vetëm kriminelë ose korruptues. Shtetet tona janë improvizime, sepse lidhjet fisnore brenda tyre, krijojnë një rrjet klanor me lidhje gjaku, farefisi dhe miqësie.
Në Kosovë, në orarin e punës, shumë nëpunës gjenden në facebook. Për një veprim të tillë, në Gjermani, njeriu përjashtohet nga puna. Në Kosovë nuk mund të bëhet se vendi i punës, ose është paguar, ose i "njofshmi", që ka punësuar atë, është më i "madh" se shefi i bredhësit nëpër internet.
Ai njeri që nuk mbron shtetin nga keqpërdoruesit, ai është ose oportunist, ose në shërbim të Serbisë!
Në Gjermani respektimi i ligjeve mësohet në shtëpi dhe shkollë. Te ne mësohet mosrespektimi nëse kemi përfitime.
Për shërim, nuk duhet luftuar patologjitë te fqinji, por tek i sëmuri. Ne vazhdimisht merremi me simptomat e imagjinuara te dikush tjetër, por nuk kuptojmë se mendja jonë, qëndrimi jonë, ka nevojë për rikrijim, për dije, për terapi. Ne vazhdimisht vizatojmë veten si viktimë, por nuk kapim me shqisa, se merremi me meta-viktimizmin, pra në rolin e viktimës duke trajtuar, duke shqyrtuar dhe argumentuar viktimizimin!
Pse e bëjmë këtë?
Sepse mospranimi fajit na garanton mosangazhim, mosveprim dhe është shumë më i lehtë, se sa të mësuarit, të korrigjuarit!
Të mësuarit është proces i përhershëm, të besuarit është mos-lëvizje para!
Po faktet?
Kemi mizogjini më të lartë në Europë!
Kemi gjinofobi më të madhe në Europë!
Kemi arsimin e ulët dhe universitar më katastrofal në Europë!
Kemi administratë më të korruptuar në Europë!
Kemi politikanë që ndiqen nga drejtësi, apo që janë të dënuar, si askund në Europë.
Kemi Akademi ndër më të korruptuarat në Europë!
Kemi akademikë pa asnjë vepër shkencore ose me artikuj gazetash!
Jemi popull ku nuk lexohen as 100 libra në vit mbi edukatën!
Viktimizimin po e bëjmë religjion të dytë, por nuk shohim se traumatizojmë fëmijët duke i dresuar me shkop si kafshët në cirk (30% e grave në Kosovë, rrahjen ndaj vetes dhe fëmijëve e konsiderojnë edukatë në emër të dashurisë.)
Traumatizojmë ata duke ua përbuzur nënat,
duke ua rrahur,
madje edhe duke i vrarë pse darka nuk ishte gati apo pse bëri seks të mirë! „Ku mësove?“
„Kush të mësoi?“ e pyet krimineli dhe e vret!
Të kuptosh se nuk je i mirë sa duhet, është mençuri e madhe sepse aty kuptohet edhe nevoja për ndryshim të domosdoshëm. Transferimi i fajit është vegjetimi, përtaci mos-përparim; ndryshimi i parë duhet të ndodhë në kokën e despotit të sëmurë, i cili gruan dhe fëmijët, i konsideron vegla, jo njerëz me dinjitet. Despoti jeton për të tjerët dhe sipas pritshmërisë së tjerëve. Ai përpiqet të ruajë fytyrën e pafytyrë për ta lavdëruar rrethi!
Kudo në botë i arsimuari sillet ndryshe nga i paarsimuari. Te ne i arsimuari ka frikë të dëshmojë se është i formuar dhe si pasojë, fjalori dhe sjellja e tij, nuk ndryshon aspak nga ai i atyre me katër vjet shkollë! E pse të ndryshojë populli, kur ia del të asimilojë intelektualët me vulgarizimet rurale!?
Europa nuk po na diskriminon, por ne diskriminojmë më shumë dhe më brutalisht të dashuritë tanë, se sa çdo armik apo pushtues! Njerëzit e rritur pa dashuri, nuk dinë as të edukojnë, as të dashurojnë, as të ndërtojnë shtet! Ata i lejojnë vetes të alarmohen pse dy veta të së njëjtës gjini, të moshës madhore, me vendimet e tyre, dashurojnë njëri-tjetrin. Dashurinë e huaj e interpretojnë si perversion, dhunimin në familje, si normalitet, si kujdestari, si dashuri!
Kur të dëgjojmë atin duke i thënë bashkëshortes në prani të prindërve të vet dhe të fëmijëve "TË DUA", ose gruaja burrit në prani të prindërve të vet dhe fëmijëve, ose babai edhe fëmijëve të rritur (jo vetëm, "kur po çon pare?"), atëherë kemi zbritur në epokën tonë! Atëherë kemi kuptuar se dashuria nuk është turp, por emocion sublim, domosdoshmëri brenda familjes dhe se bija, duhet të ketë po atë liri dhe barazi, si dhe djali!
Kur burri të mbrojë bashkëshorten para sulmeve të vjehrrit, vjehrrës, kunatit e kunatave, atëherë ai ka kuptuar se është rritur dhe se ka ndërtuar një fole të veten! Aty mësohet edhe si ndërtohet shteti juridik!|
Kur ta kuptojmë se pa barazi dhe pa drejtësi në shtëpi, nuk ndërtohet kurrë shtet ligjor, dhe kur të besojmë se njeriu ka dinjitet, jo vetëm burri, atëherë jemi qytetarë të kohës tonë, jo robër të parimeve të njerëzve të vdekur!
Ku gjendet, mirëpo, orientimi? Ai gjendet shumë lehtë sot: në Kushtetutë!
A jemi të gjithë në atë derexhe? Jo! Kemi edhe shumë njerëz të ndritur, por ata janë përjashtuar nga rrangallat, nga mizantropët, nga kriminelët, nga makiavelistët, nga ata me komplekse dhe nga maskarenjtë, që kanë zaptuar vendet udhëheqëse!
E zgjidhja? Lufta padrejtësisë në shtëpi! Lufta patriarkalizmit, sepse familja prodhon të korruptueshëm, kriminelë, maskarenj, tradhtarë, mizogjinë, mizofobë dhe makiavelistë!
Shtetet tona nuk janë asgjë tjetër pos pasqyrë e familjes shqiptare! Çdo padrejtësi që ndodhë në administratë shtetërore, përjetohet pikë së pari në shtëpi! Të gjitha, si diskriminimi, ashtu edhe korrupsioni!
Patriarku nuk fal dashuri. Atë e shet! Aty dashuria paguhet! Dhuna dhe diskriminimi janë falas! Pra, të keqen dhe padrejtësinë mund ta çrrënjosim, kur ta zhdukim atë brenda familjes dhe zëvendësojmë me dashuri dhe barazi gjinore.
Tani, ashtu si sillemi, mjekojmë vetëm simptomat e huaja, jo tonat!
- Letër burrave (I)
- Letër burrave (II)
- Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen