03.10.2020

Gjykata e Posaçme e Kosovës, me dosje të Serbisë, Gazetaexpress

Merreni me mend këtë ju lutem: liderët me ambicie të sëmurë për pushtet, miratojnë kërkesën për Gjykatë të Posaçme të Kosovës, e cila do të bazohet në hetimet e prokurorisë serbe dhe shërbimit sekret serb!

Merreni me mend edhe këtë: Gjykata e Posaçme e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, jo vetëm se do të lejojë dosjet e Serbisë, por do të pajtohen liderë e deputet me ndjekjen kryesisht të shqiptarëve. Jo edhe për vrasjet e shtetit serb së paku nga fillimi i viteve të 90, por vetëm kur kishte rezistencë aktive dhe një vit pas, kur Serbia nuk kishte pushtet legal, por shumë udbashë të infiltruar nëpër parti shqiptare!

E tani më thoni  ju lutem, cili është dallimi në mes Gjykatës së Posaçme dhe gjykatave të Serbisë në kohën e Millosheviqit? Nëse mendoni se nuk ka dallime, atëherë pyesni veten në cilin vend të botës ka ndodhur që dosjet e pushtuesit, të përdoren për të ngritur akuza kundër atyre, që organizuan kryengritjen dhe çlirimin?


Dhe tani shtroni një pyetje vetes: a keni dëgjuar në jetë se Prokuroria thërret njerëz të dyshuar apo dëshmitarë me telefon? Organi i akuzës organizon takime si njerëzit takimet me të dashurat apo dashnoret!!! Kjo mund të ndodhë vetëm në Gjykatën e Posaçme të Kosovës të themeluar nga Serbia për Kosovën dhe Metohinë dhe e firmosur nga Thaçi e Mustafa.


E pastaj, merreni me mend edhe këtë ju lutem: Gjykata e Posaçme, edhe pse e posaçme, nuk ka mundësi të ruajë dosjet e veta, kështu ato aktakuza dhe dëshmi, i dërgohen me kamion mu atyre të cilët akuzohen!!! Merreni me mend ju lutem dhe imagjinoni se cili shërbim sekret qëndron pas atij aksioni dhe pse!!!


Tani merreni me mend se ishin 4000 dosje dhe ato i shkarkon një agjent dhe ky shkarkim zgjat disa orë. Dhe merreni mend tani sikur Kosova të kishte polici, shërbim sekret, apo Kryeministër e Ministër të Punëve të Brendshme! Çfarë do të kishte ndodhur sikur t’i kishte përnjëmend ato institucione? Do t’ishte arrestuar agjenti, do t’ishte sekuestruar kamioni dhe do t’ishte kuptuar operacioni dhe qëllimi! Tash dimë më pak se Burdushi dhe më pak se një magjistare!


Mirëpo kemi arsye edhe të ndihemi të lumtur: ai agjent me atë kamion të zbrazur, ka mundur të rrëmbejë edhe Kryetarin e shtetit dhe Kryeministrin, madje edhe pronarin dhe tutorin e  të LDK-së, Mustafën, pastaj Ministrin e Punëve të Brendshme, por nuk e ka bërë dhe duket se shpëtoi këtë herë Republika!


E me çfarë duhet të merremi pas këtij dështimi tragjik-komik të Qeverisë së Dullës? Tani është me rëndësi të madhe të dimë se çfarë ka hëngër Kryeministri e Ministri i Punëve të Brendshme, por edhe shefi i AKI-së, ose çfarë hanin e çfarë pinin  ata gjersa shkarkoheshin dosjen e Gjykatës së Kosovës? 


Kjo është me rëndësi për kanalizimin e Kosovës dhe për ardhmërinë e vendit! Tmerr! 


Tani mos merrni asgjë më mend, sepse nuk ka asnjë kuptim. Fakti se Thaçi e Mustafa e kanë nënshkruar, dëshmon epshin e pakontrolluar të tyre për t’u shfaqur politikanë sa më konstruktiv dhe sa më të përdorshëm.


Tash pra mos merrni asgjë me mend, sepse nuk ka asnjë kuptim! Derisa Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, por edhe të tjerët, të mos akuzohen për tradhti, jo për tradhti të qëllimtë, por të shkaktuar nga egocentrizmi kronik, nga megalomania, nga shpërfillja e Kushtetutës dhe nga trajtimi i Kosovës si pronë private, deri atëherë Kosova do të jetë improvizojë shtetin, por shtet  real nuk do të jetë!


Ata që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje, nuk mund ta ndryshojnë më. Ata duhet të arrestohen, ose së paku të detyrohen të tërhiqen. Dëmi i shkaktuar do të jetë i madh. Këta aktorë, sot apo nesër do të ndërtojë autonominë serbe duke harruar Luginën! 

Koha e komandantëve dhe politikanëve të Jugosllavisë duhet të marrë fund!


Thaçi dhe akuzat, Gazeta Sot, Gazeta Express 2010
Tribunali 2014, Gazeta Dita


Keine Kommentare: