14.01.2018

Thaçi nuk dëshiron shfuqizimin e gjykatës, dritare, bota sot

1.
Pse mund të pohohet ashtu apo si mund të përligjet ai konstatim? E para se Thaçi duhej të dinte se si do të reagonin ata që i imponuan pikërisht atë gjykatë. E dyta, gjykatën mund ta rithemelojë edhe Këshilli i Sigurimit.

Po pse atëherë Thaçi deklaron se do ta nënshkruante shfuqizimin eventual? Apo pse ai thotë se nuk mund të kundërshtojë atë vendim, kur dihet se mund ta bëjë, ose kur dihet se ka aq pushtet, sa të ndalonte edhe procedimin e ligjit në Kuvend?

 Ka dhjetëra pyetje, por ato mundësojnë vetëm dy përgjigje. Vetëm dy konkluzione: Thaçi u përpoq të ushtrojë trysni tek amerikanët dhe europianët për të fituar imunitet për vete. Imuniteti, kjo mund të jetë ajo shpresa magjike, që  pat motivuar Thaçin kryekreje për të detyruar parlamentarët në legalizimin e asaj gjykate. Konkluzioni i dytë: Thaçi ka shpresuar se administrata e Trumpit do të shpërfillte zhbërjen e gjykatës, ose do të pajtohej!

Tani curron lajmi jashtë se Thaçi do të arrestohet i fundit, pra pasi t’i arrestonte shokët e vet. Dhe, natyrisht se ai organizon shfuqizimin, në anën tjetër, bashkësia ndërkombëtare duhet seriozisht të merret me gjendjen e krijuar, sepse arrestimet, do të destabilizonin shoqërinë ashtu-ashtu të brishtë.

Aprovimin dhe vendimin e Gjykatës së Posaçme sot Thaçi konsideron “padrejtësi historike!” Kur kryetari pranon se ka luftuar me mish e shpirt për ta shndërruar në ligj një padrejtësi historike ndaj vendit, atëherë ai duhej të kishte së paku dy gram dinjitet, dy gram njerëzi, dy gramë moral dhe të tërhiqej nga skena politike. Sepse me këmbënguljen e tij, me pajtimin e tij të dikurshëm, do të dërgohen dhjetëra veta në burg!

Neve nuk mund të na ndihmojë askush! Kosova gjendet para shembjes! Si të arrestohen të akuzuarit, nëse nuk do të ketë mbështetje institucionale?! Si të ruhet paqja në Kosovë, si të zbatohet urdhër arrestet, kur vëllai i kryeministrit kërcënohet me UÇK-në, më saktë, me veteranët?! Sindroma e Rozafës po na ndjek edhe në këtë shekull: Ndërto ditën dhe rrëno natën!

2.
Liderët shqiptarë? Liderë artificialë! Nuk kemi liderë apo me shumë pak përjashtime, ndonjë ndoshta në Shqipëri e Kosovës dhe asnjë në Maqedoni e Luginë. Pse jemi në këtë gjendje, ku liderë të vërtetë nuk arrijmë të nxjerrim pa kaluar së paku një shekull? Është patriotizmi jonë rural, verbal, folklorik, shtirja, shpifja, mungesa e sinqeritetit, jeta tribale në familje, që mjaftohet me pallavra, me këngë kreshnike, me rrahagjoksi, me burracakëri, ku i urti nuk respektohet më shumë se rrugaçi që ka guxim, i cili shan nga nëna e nga motra, i cili kërcënohet, i cili posedon apo shtie me një revole.

Pasurimi i bijës apo bijve të Berishës, i vjehrrit të Lulzim Bashës, vëllait apo vëllezërit e Hashim Thaçit, vëllai apo vëllezërit e Haradinajt, Kadri Veselit, djali i Isa Mustafës, dëshmojnë se kemi karaktere, njerëz, që luajnë role sociale politike me një identitet, që ne e kuptojmë, e pranojmë, nuk e gjykojmë (pos me dokrra), por në pozitën e tyre, do të kishim vjedhur mu si ata! Ne kemi respekt për hajdutët e pasuruar, pra kemi respekt ndaj kriminelëve dhe votojmë mafiozë duke kritikuar ndërkombëtarët pse pranojnë “liderët” që u kemi hedhur përpara shputave me votat tona.

Duke kërkuar gjithmonë gabimin jashtë vetes, shpallim veten popull të mitur, të paqytetëruar! Shoqëria shqiptare nuk është qelbur vetëm në politikë, por në vijë horizontal edhe vertikale që nga kopshti i fëmijëve, deri në akademi. Që nga pastruesi apo pastruesja e një institucioni, deri te drejtori. Që nga rojtarët e institucioneve, deri te ministrat, kryeministrat e kryetarët. Që nga polici, deri te gjykatat dhe ministrat e drejtësisë. Vendet tona kanë përjetuar një zhvendosje të madhe të shtresave sociale. Psikopatët i kemi me pushtet, njerëzit me dinjitet dhe dije, ose kanë ikur nga vendi, ose përpiqen disi të gjallojnë, ose janë futur në shërbim të tyre!

Ne kemi maskarenj në krye, mbi krye dhe rreth vetes, sepse ata kanë punësuar vetëm maskarenj, që nuk luftojnë maskarallëkun e shefave të vet. Ne gati në të gjitha funksionet udhëheqëse kemi njerëz hipokritë dhe të paarsimuar si duhet dhe sa duhet. Madje edhe në kulturë! Neve na mungon kultura e sinqeritetit dhe përgjegjësisë për shoqërinë. Ne njohim si legjitim vetëm egocentrizmin tonë!

Të gjithë ata politikanë që janë pasuruar me vjedhje, të gjithë ata janë kriminelë, mafiozë! Dhe, kur një popull voton ata arrivistë, atëherë ai popull nuk mund të ndihmohet, por një fakt do të jetë i sigurt:  Që nga çlirimi nga Kalifati Osman, kemi vendin e fundit në Evropë. Me liderë si këta që kemi sot, na garantohet vendi i fundit  edhe 100 vitet e ardhshme. Jo vetëm kjo, por do të përgjysmohet edhe popullsia dhe mirëqenia do të kërkohet në mërgim! Këtë dinë të gjithë ata që quajnë veten politikanë, por angazhim kryesor nuk kanë ekonominë e vendit, mirëpo vizat dhe mundësitë për emigrim!

3. Pushimet e kryeministrit të Kosovës, (ai shkon atje për t’i treguar zviceranëve se nuk është më rojtar në hyrje të një diskoteke, por kryeministër) arroganca gjatë shpjegimit, rritja e pagave një kaste zëvendësministrash, janë treguesit kryesor se këta kanë parasysh vetëm interesat e veta, por jo të popullit. Ata prodhojnë armatë veteranësh për vota! Ata lejojnë shkeljen e ligjit për vota! Ata shpërfillin ndërtimin e 350.000 objekteve pa leje, për vota! Ata lejojnë shitjen e diplomave, për vota! Ata falin borxhe ndaj shtetit për vota! Ata nuk hetojnë krimin, për vota! Ata nuk luftojnë korrupsionin, për vota! Ata nuk dëshirojnë të shqetësojnë votuesin, por lejojnë abuzimin me shtetin, për vota! Ata po stërvitin popullin si të vidhet dhe si të rrënohet shteti!

Tani kanë nisur edhe çarjet e para me akuza në mes vete për vetëgjyqësi dhe për atentate. Rehabilitimi i Serbisë po vazhdon, jo ndoshta aq shumë nga dëshira, por  më shumë nga injoranca proverbiale dhe lakmia e sëmurë për pushtet, për karrierë!

Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga LB, atëherë këtu mund të porosisni romanin: Ngjyrat e dashurisë ose përmbledhjen me poezi: Hiedritat e jetës.

Keine Kommentare: