Aty ndërmjet, nëse më teket, do të rrija ulur në një kabinë për të dëgjuar mëkatet e besimtarëve kriminelë dhe të pamoralshëm: për t’u falur kundërvajtjet, vjedhjet, brirët, tradhtitë e ndryshme, korrupsionin, por edhe do të kisha shëruar gratë nga steriliteti, mësyshi, magjitë, do të kisha shkruar e shitur hajmali dhe, do t‘ua kisha shpjeguar ëndrrat njerëzve.
Nëse më teket dhe sigurisht më teket, sepse atje nuk vdiset kurrë dhe me dy profesione jeta bëhet e mërzitshme, do t’isha bërë edhe rabin dhe, do të kisha punuar edhe të shtunën me hebrenj! Kështu, tri religjione, tre tituj, tri orë punë në javë, plus disa orë honorarë për ata që zoti ua nxjerr shpirtin me zor!
Tri libra, por tri doktorate! Edhe pse asnjë profet nuk ishte doktor, unë bëhem tri herë dhe nëse më teket, e shpall veten Kryeprofet dhe do të kisha bërë negociata bilaterale vetëm me kryezotin, për t’i korrigjuar disa gabime të zotit: si për shembull ndërtimin e njeriut prej balte, do ta kisha ndaluar shitjen dhe blerjen e skllevërve, martesën e vëllait me motrën, do ta kisha ndaluar diskriminimin e njeriut nga njeriu, do ta kisha ndaluar rreptësisht epërsinë e burrit ndaj gruas, do të kisha shkruar edhe datën kur nisi jeta dhe pas shumë korrigjimeve, do ta kisha firmosur librin e ri si:
„Dr. Dr. Dr. Mulla Prift Rabin Lis Bukuroca,
Kp. i Kr (Kryeprofet i Kryereligjionit)
Nëntitull: Kryebesim me kryefakte
Sepse në fillim nuk ishte Fjala, por Kryefjala!
2. Dialog me një koleg
Ok, unë po shkoj në shtëpi. Shihemi nesër në punë, i thashë.
Nuk është asgjë, gjëra që ndodhin…
Si nuk është asgjë? Po tallesh?
Me njërën këpucë apo me të dyja?
Me njërën!
Ah, paske pasur fat! Është shenjë e mirë…
Pse?
Sepse të do ende!
Pas atij poshtërimi para fqinjëve?!
Po! Sepse po të gjuante me dy, domethënë e kishte ndërmend të të dëbojë përgjithmonë nga jeta e saj. Herën tjetër nëse nuk dëshiron të kthehesh kurrë më, lute të të gjuajë edhe me të dytën. Ti nuk e ke kërkuar, ajo nuk e ka hedhur, domethënë ju duheni ende. Ndoshta sonte të gjuan me çorape…
Pse me çorape?
Ndoshta pajtoheni dhe ka dëshira tjera…
Hahaha, e nëse më gjuan në hyrje me këpucën tjetër?
Atëherë merri këpucët dhe gjeji vetes një zgjidhje!
3. Këtu pushon filani nga viti 1930, këtu pushon fisteku nga viti 1950, këtu pushon fistekja nga viti 2000. Çfarë jete e mërzitshme në parajsë! Pushime me dekada! Vetëm pushime, asnjë lëvizje. As gëk, as mëk!
4. Me nusen
Isha me bashkëshorten në shitore „Kaufland“ dhe kur dolëm, ia kishte nisur një shi litar, si në poezinë e Preverit „Barbara“! Një numër i madh i njerëzve, priste para dere. U ndalëm edhe ne disa minuta, por shiu nuk pushonte!
Më ra ndërmend se prapa në makinë kisha një çadër dhe u nisa.
„Ndalu..., ku po shkon, po bëhesh qull!“, tha bashkëshortja ime.
Unë si „trim“, eca nja 15 metra, pa nxituar, ngadalë e qetë nëpër shi dhe pas pak po kthehesha me çadrën e hapur.
Sapo hyri e buzëqeshur dhe duke tundur kokën nën çadër shoqja ime, një grua gjermane bërtiti:
„Ju jeni një xhentëlmen i vërtetë!“
U ktheva nga ajo turmë që priste, ngrita pak çadrën për ta parë zonjën nga erdhi zëri, fshiva fytyrën e lagur dhe thashë:
„Jo, zonjë, jo, nuk jam xhentëlmen, jam vetëm një shqiptar i vogël, i rëndomtë, që e kupton seriozisht detyrën e burrit...“, dhe ne vazhduam drejt makinës.
"Nëse nuk e shpëtoj gruan nga shiu, si mund ta shpëtoj nga breshëri", thashë vet me vete.
Dashuria ndaj gruas tregon shekullin, vitin dhe epokën në të cilën jetoj unë. Im atë do ta kishte dërguar bashkëshorten e vet, nënën time, për ta marrë çadrën dhe vet do të kishte qëndruar nën strehë. Nuk kishte faj. Ashtu e kishin mësuar. Ishte viktimë e viktimave.
Fëmijët dhe bashkëshortja ndihen krenarë me njeriun që kujdeset për familjen, që e ka krijuar vet! Në këtë jetë kemi tri mundësi: ose t'i duam dhe trajtojmë me dashuri ose t'i shpërfillim ose t'i keqtrajtojmë! Sidoqoftë, atë që mbjellim, do ta korrim! 13.09.2018

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen