e di që sot është një ditë e veçantë për ty dhe prandaj kam vendosur të të bëj një dhuratë, ose më saktë, dy: unë do të thyej heshtjen që ia kam imponuar vetes kur mora vesh për arrestimin tënd dhe do të përshkruaj me sinqeritet, atë që kam ndier gjatë gjithë kësaj kohe.
Në fund, duke pasur parasysh rezultatet dramatike, që po prodhonin ngjarjet, vendosa me këmbëngulje të marr rrugën e vetme, që ishte e mundur për të ecur para: të piqem përfundimisht duke marrë për sipër të gjitha përgjegjësitë dhe duke ia nisur punës. Edhe Fede, edhe pse me një rrugë tjetër, bëri të njëjtën gjë.
Kjo zgjedhje padyshim kërkonte vetëmohime të mëdha, por i mundësoi familjen sonë të bëhej e pavarur ekonomikisht dhe të liroi ty dhe mamin nga disa detyrime mbështetëse që kishit ndaj nesh.
Në këtë mënyrë, mendova me naivitet, babi do të duhet të punonte vetëm për vetveten dhe prandaj nuk do të duhet më të bënte kundërvajtje tjera për hir tonin.
Sa shumë kisha gabuar! E mbaj mend ende shumë mirë herën e fundit kur të pashë para arrestimit. Ishte fillimi i dhjetorit dhe unë me mamin patëm shkuar te mjeku i syve në „Via Pigna.“ Në shitoren e tezes ishe edhe ti për të „ndihmuar.“ Në çastin e largimit, një klient hyri brenda, - meqenëse Giuseppe (Xhuzepe) ishte i zënë me një zotëri kurse tezja e tij po na shoqëronte për në makinë,- duke më vështruar me krenari, fillove ta shërbesh atë.
Në atë moment u ndjeva vërtet i lumtur: mbase babai im kishte ndryshuar, mbase unë e kisha arritur qëllimin. Sa ëndërrimtar i gjorë kisha qenë! Pas disa ditësh pasoi dushi i ftohtë: erdhi lajmi i arrestimit për shumë motive. Çfarë zemërim! E ndiej edhe tani atë. Nuk u besoja veshëve të mi.
Kushdo që kryen krime të tilla, është e drejtë të paguajë, të paguajë shtrenjtë. Çfarë babi i ndershëm! Aty mora vesh se ishte e vërtetë thënia: “Ujku ndërron qimet, por jo vesin!“
Por për një gjë jam i sigurt: kësaj here nuk ishte faji ynë. Kështu që vendosa të mbyll çdo gjë brenda vetes dhe të harroj gjithçka. Disa herë gjatë këtyre viteve më është dashur t'i bëj vetes disa pyetje: „Si do të jetë tani? A thua si kalon gjithë atë kohë? Kur të shfaqet para meje, çfarë do t'i them? Çfarë do të bëjë? Dhe mbi të gjitha, a do të jetë mbushur mend?“
Asnjëherë nuk kam gjetur një përgjigje sepse menjëherë largoja mendimet nga ajo temë. Parapëlqeja të mos i kujtoja më dhe të shmangja rihapjen e një plage, e cila nuk qe shëruar kurrë plotësisht.
Siç e pa edhe ti, isha i tronditur kur të pashë përsëri: mu në ditën e Krishtlindjes, vizita jote! Ishte me të vërtetë një befasi, ta them të vërtetën hapur, jam shumë i brengosur!
Po kur të dalësh përgjithmonë çfarë do të bësh, pyesja veten. Edhe herën tjetër pata menduar se sinqerisht ishte penduar dhe pat premtuar se nuk do të përsëriste disa gabime. Megjithatë, rrëshqiti përsëri.
A do të jetë rritur Pinoku ynë përgjithmonë, apo ai do të ndjekë akoma shembullin e shëmtuar të shokut, maçokut dhe dhelprës? Sipas mendimit tim ke dy mundësi:
E para është më pak e mundshme, duke pasur parasysh moshën dhe biografinë tënde jo ambicioze, por më e sigurt nga pikëpamja ekzistenciale: gjetja e një vendi të punës.
E dyta është më tërheqëse dhe e arritshme, por edhe më e rrezikshme: hapja e një biznesi.
Fatkeqësisht, kam frikë, posaçërisht nëse gjërat nuk shkojnë menjëherë mirë, kjo zgjidhje mund të të çojë shpejt në rrugë të gabuar.
Në çdo rast, është thelbësore që kur të dalësh nga burgu, të jesh në gjendje të bësh atë që bëmë unë dhe vëllai im vite më parë: t’a nisësh punës!
Vetëm në këtë mënyrë mund të bësh një jetë të rregullt dhe të ndershme për të shmangur rrotullimin tjetër shpatit tatëpjetë. Kjo është arsyeja pse të këshilloj të mendosh për këtë qysh tani i qetës, por seriozisht. Kjo është ajo që desha të të them: kjo është dhurata ime!
Një këshillë: mos iu përgjigj kësaj letre, mbaje dhe rilexoje, rilexoje shpesh, sidomos pjesën e parë, mbi të gjitha në çaste të vështira. Do vijë koha edhe për përgjigje.
Para se të mbaroj, dua të shpreh një dëshirë ... një dëshirë që deri më sot nuk ke qenë në gjendje ta përmbushësh. Kur të dalësh, do të jesh përsëri i lirë. Për ty do të jetë sikur të rilindesh, do të jetë jeta jote e dytë. Vepro në atë mënyrë që unë të mund të ndihem krenar me këtë Enricon e ri. Bëje për mua, por veçanërisht për ty!
Gëzuar Ditëlindjen babi!
E morali i kësaj letre?
Një baba kriminel dhe si e përjeton fëmija atë.
Çdo fëmijë dëshiron të mburret me atin e vet: të trajtohet mirë, të ndiejë dashurinë dhe kujdestarin e tij. Në raste të tilla fëmijët turpërohen për prindin që nuk punon; për prindin që e kanë dhe për prindin në burg, apo për prindin rrugaç! Fëmijët ndihen fajtorë pse mungojnë gjërat elementare në shtëpi. Këtë ua bëjnë të ditur prindërit kur përlahen në mes vete.
Djali i jep këshillat të atit për jetën pas burgut. Domethënë menjëherë t’ia nisë punës, sepse nuk është normale njeriu i shëndoshë, të rrijë shtrirë në shtëpi dhe jetojë nga parat djalit, rrjedhimisht të nipave. Shtrirja nuk është virtyt, por puna! Djali këshillon të atin të punojë, sepse ai ka krijuar familje dhe është ekonomikisht i pavarur, por nuk e dëshiron babin ta ketë si fëmijë dhe se ai vet, nuk i kishte trajtuar dikur fëmijët si fëmijë!
Shpesh nuk u kërkohet puna etërve, sepse ata jetën e fëmijës e monetarizojnë dhe i thonë: „Unë nuk t’kam pjellë badihava!“ Duhet të paguash jetën, që ti nuk e kërkuar kurrë, por sepse ata kanë vendosur të kënaqen me njëri-tjetrin! E gjatë asaj kënaqësie, zotit i ishte tekur t’ua falë një fëmijë, jo se ata e kishin marrë vendimin!
Njeriu i shëndoshë që nuk punon dhe pret nga djali, nuk i do as nipat e as mbesat, e aq më pak djalin e vet. Ai e do vetëm vetveten! Domethënë dobësimi i ardhmërisë duke llastuar të kaluarën e shtrirë në divan!
Dhe, në vend se i ati të kujdeset që fëmija të bëhet i pavarur në jetë, në atë letër përjetojmë të kundërtën: fëmija përpiqet ta mësojë dhe ta bëjë të pavarur në jetën të atin!
Më shumë te lulu: KUPTIMI I JETËS
Tek amazon: KUPTIMI I JETËS
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen