02.11.2020

Pse shohim qimen e jo trarin?

Një çift i sapomartuar u shpërngul në një zonë shumë të qetë të qytetit. Një mëngjes, gjersa ishin duke pirë kafe, gruaja duke vështruar nga dritarja, pa se një fqinje po varte  rrobat e lara në litarin e rrobave.

"Shiko sa janë të ndyrë çarçafët e fqinjës! Ndoshta ka nevojë për një lloj tjetër detergjenti… Ndoshta një ditë do t’i tregoj si lahen çarçafët!“ 

Burri e shikoi bashkëshorten, por nuk tha asgjë.

E njëjta skenë dhe i njëjti koment u përsëritën, sa herë fqinja varte rrobat në oborr ku tereshin nga dielli dhe era.


Pas një muaji, gruaja u habit kur pa se fqinja e saj po i varte çarçafët e saj shumë të pastër dhe i tha burrit e trazuar:

"Shiko, fqinja jonë paska mësuar si lahen rrobat! Kush vallë i paska treguar?!“

"Askush nuk i ka treguar; sot në mëngjes, unë u ngrita më herët dhe, gjersa ti lyeje fytyrën dhe buzët me të bardhë e të kuq, unë i pastrova xhamat e dritares sonë!“, - u përgjigj burri i saj.


Nga italishtja Lis Bukuroca


E morali?

Nuk ka njeri që nuk bën gabime të tilla. Shpesh shohim të metat te tjetri, por i shpërfillim te vetja. Deri diku është normale, por kur të metat e të huajve na bëhen si brengë kryesore, atëherë kemi braktisur vetveten dhe merremi me problemet e të tjerëve. Pse e bëjmë këtë?Thjeshtë për të ikur, për t’i mos vështruar problemet tona. Përballimi me to, kërkon angazhim! Ky është një lloj dezertimi dhe rezignacioni. Krejt gjallëria, krejt pasioni që tregohet për të vënë gishtin në plagën e huaj, është largim i dorës nga plaga jonë.


Nëse jemi prind, qendra jonë e gravitacionit duhet të jetë familja, të cilën e kemi krijuar dhe, pa asnjë dyshim, të pastrohen syzet, apo xhamat para se të krijojmë bindjet për të tjerët dhe para se t’i përkufizojmë si të paaftë!


Për atë qëndrim në gjuhë shqipe kemi fjalën e urtë: „Shikon (sheh) qimen në syrin e tjetrit e nuk shikon (nuk sheh) trarin në syrin e vet!“  Fjala e urtë japoneze tregon si të reagohet në raste të tilla: „Shiko gabimet e të tjerëve, por korrigjoi tuat!“ Në fakt pas një kohe burri i saj vepron në këtë mënyrë. 


Pra për të gjykuar drejtë, duhet të kemi një tejvështrim të qartë dhe të drejtë! Para se të kritikojmë të tjerët, duhet t’i pastrojmë syzet tona: ndoshta jemi duke parë vetëm të metat tona, vetëm llumin tonë! Apo, shpesh shohim e besojmë atë që na pëlqen, jo vërtetë atë që është. Jo gjendjen faktike, por gjendjen e dëshiruar. Për t’i mënjanuar gabimet e tilla, duhet t’i bëjmë një analizë të sinqertë qëndrimeve tona para se të gjykojmë për të tjerët! 


Ne shohim shpesh qimen e jo trarin sepse vështrimin e kemi të mjegulluar, të papastër!


I nderuar lexues, herë pas here më kërkohet një lidhje bankare për të shprehur mirënjohjen me një kafe për punën në këtë blog. Nëse je njëri prej tyre dhe dëshiron të tregosh falënderim, atëherë mund ta bësh duke blerë librat tek amazon. Nga çdo libër i shitur, mbetet për autorin nga 1, 45  deri në  1, 75 €, varet prej çmimit të librit.  

  Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë

Keine Kommentare: