20.12.2021

Mësuesi dhe pika e zezë*

Një mësues hyri në klasë dhe tha: "Sot kam një befasi për ju. Sot do të bëjmë një test!“ Nxënësit u shikuan në mes vete të hutuar. Pa i bërë përshtypje sjellja e tyre, ai shpërndau detyrën. Nxënësit mbetën të habitur kur panë fletën e bardhë vetëm me një pikë të zezë diku në mes të faqes, por pa asnjë pyetje.

Ai eci pastaj drejtë dërrasës së zezë, u ndal para tyre dhe tha: „Ju lutem shkruani në anën e pasme çfarë shihni në këtë fletë!“


Nxënësit ndoqën udhëzimin dhe ia nisën përshkrimit. Pas një çerek ore, mësuesi mblodhi të gjitha fletët dhe filloi t'i lexonte me zë të lartë. Shumica e nxënësve kishin përshkruar pikën e zezë - vendin e saj në mes të fletës, vendin e saj në hapësirë dhe madhësinë e saj në raport me letrën...


Pasi mbaroi, mësuesi buzëqeshi dhe tha: “Desha të ju jap një detyrë për të menduar thellë, për të përsiatur, por gati askush nuk paska shkruar asgjë për pjesën e bardhë të letrës. Të gjithë u përqendruat në pikën e zezë dhe, e njëjta gjë ndodh edhe në jetën tonë. Neve na jepet letra e bardhë për t'u përdorur dhe për të projektuar, por për fat të keq, ne përqendrohemi vetëm në pikat e errëta.“


Autori: i panjohur - i përkthyer nga gjermanishtja, por pakëz edhe i ndryshuar për ta bërë më të rrjedhshëm në shqip. Lis Bukuroca

* Në italisht thuhet se mësuesi ishte një mjeshtër i hinduizmit. 


Çka na tregon kjo rrëfenjë?

Nxënësit u fokusuan në pikën e zezë, sepse ajo u binte më shumë në sy. Përgjigjet e tyre dëshmojnë për mungesën e vëmendjes. Me vite ndoshta kalojmë përballë një rruge, por nuk dimë emrin e saj. Pse? Sepse nuk jemi të vëmendshëm! Sepse ecim apo veprojmë si me autopilot. Sepse jetojmë herë në të kaluarën, herë në të ardhmen dhe humbim të tashmen. Mësuesi u tregoi nxënësve se duhet vëmendje në jetë për të përkapur tërësinë, jo vetëm atë që bie në sy. Jo të besojnë se po shohin, por të mendojnë e rimendojnë. Besimi dëmton zhvillimin e trurit, përparimin dhe vështrimin e plotë.


Pse nuk e shohim faqen e bardhë që është shumë më e madhe se pika e zezë? Sepse kemi mendjen diku tjetër. Kemi dezertuar nga e tanishmja. Jeta mirëpo zhvillohet vetëm në të tashmen. Ngjarjet ndodhin vetëm aty. Kur merremi peng nga e kaluara ose nga e ardhmja, (brenga e madhe për ardhmërinë) atëherë e humbim jetën që po ndodh para nesh dhe nuk e përkapim faqen e madhe të bardhë, por vetëm pikën e zezë. 


Shikoni krejt faqen, kjo është jeta, jo vetëm  pika e zezë. Kemi qindra arsye për të qenë të lumtur, për të jetuar të lumtur, por nuk e shfrytëzojmë krejt aftësinë që kemi, sepse jemi të pushtuar nga një pikë e vogël e zezë dhe shpërfillim krejt faqen e bardhë. Vepro sot, sepse pika e zezë është vetëm fundi i jetës, pjesa tjetër është krejt  e bardhë: të dashurit tu, shkolla, puna, shokët, jeta jote… 


E zeza vjen në fund, por jo edhe një herë e bardha! Sa herë të gjendesh në gazep, kujto këtë thënie të Konfucit: „Nëse ekziston një zgjidhje pse të zemërohesh? E nëse nuk ekziston një zgjidhje pse të zemërohesh?“ Pra, neve na jepet kjo jetë si letra e bardhë për të krijuar diçka, jo për të besuar në pikën e zezë! Na jepet e zbrazët letra, mbushe me jetën dhe kontribuo ti. Ti je vetëm një origjinal në këtë botë! Nëse kopjon të tjerët, ekzekuton vetveten. Mëso nga të tjerët, por ndiq talentin tënd, arsyen pse ke ardhur në këtë jetë!


Nëse dëshiron të edukosh drejtë, të përmirësohesh vetë dhe të kuptosh më mirë jetën dhe njerëzit, atëherë blije librin me diku 130 rrëfenja me pedagogji praktike. Kuptimi i jetës: AMAZON.

Keine Kommentare: