Michael Jackson në shumë koncerte i kapte vezët e veta dhe askush nuk alarmohej. Atëherë nuk kishte polici morali.
Dikur shëmbëlltyra tona ishin dijetarët e mëdhenj, sot janë gjysmakët e mëdhenj, që me fjalor agresiv, të dhunshëm, sharje e poshtërime, dalin në sipërfaqe dhe pastaj, media i shndërron në protagonistë duke i shpërblyer edhe me ftesa nëpër debate.
Ato personazhe shfaqen aty si guru dhe ndihen ekspertë të llastuar. Ata pyeten për çdo gjë dhe për çdo fushë shkencore. Të gjorët edhe përgjigjen.
Shpesh brenda një paneli mediokritetesh, gjendet një intelektual i vërtetë, që ata e kundërshtojnë dhe tallen me gjuhën e tyre të thjeshtë, por shumë të kapshme për turmën e keqarsimuar.
Ata ose ato provokojnë emocionet e asaj mase, e cila i ka ngritur aty ku gjenden sot: ata i pëlqejnë mendimet e tyre dhe kështu i shpërblejnë; ata i komentojnë dhe kështu i shpërblejnë, ata ose ato i ndjekin dhe kështu i shpërblejnë mediokritetet e mëdha dhe pastaj, ata besojnë se janë dijetarë universalë! Edhe pse, sapo të hapin gojën, e tregojnë subkulturën: me arsimin dhe edukatën në përputhje të plotë me vlerësimin e PISA-së! Për fat të keq!
Ata ose ato provokojnë dhe përbuzin duke shkëputur akte nga një ngjarje, apo fragmente nga një mendim, sepse e dinë mirë, se vetëm me gjykime tendencioze, me paragjykime, me poshtërim publik, mund të vihen në qendër të vëmendjes, të bëjnë bujë, ta ndezin atmosferën dhe të flitet e shkruhet për ta.
Pra, aty ku ka pak zjarr, ata i fryjnë! Dhe, për këtë shpërblehen nga masa, e cila është e nivelit të tyre. Nëse nuk u mjafton zjarri, përplasen përsëri në qendër të vëmendjes por tani si viktima.
Dhe, kur turma i kërcënon, shfaqen me avokat si të rrezikuar, si shumë të rëndësishëm. Thua se avokati mund të mbrojë dikë nga kërcënimet. Avokati i duhet në gjykatë, jo jashtë saj.
Pas shantazhimeve njeriu mbrohet nga policia, jo nga juristi, prandaj deponohet një kallëzim penal në polici dhe prokuroria nis hetimet, sepse ekziston interesi publik për të proceduar kërcënimet...
Ata ose ato shajnë për bujë, shfaqen me avokatë për bujë! Ata ose ato qajnë publikisht për bujë dhe bëjnë bujë për manipulim të turmës! Nëse kanë llogari, bëhen viktima publikisht, nëse jo, tregohen trima publikisht.
Ashtu si dikush që vuan sepse varet nga kokaina, ata vuajnë nga varësia për të qenë në qendër të vëmendjes. Nëse nuk janë, shfaqin simptome nervozizmi dhe depresioni! Mendjemadhësia e tyre është aq e madhe, sa ndihen pronarë të së vërtetës, të dijes dhe moralit.
Njerëz të tillë kanë vetëm një qëllim: jo të ndriçojnë diçka, jo të sqarojnë një fenomen, por të imponohen me vulgarizime! Ata nuk kanë faj me sjellje e tyre, fajtorë janë ata që i ndjekin, që i zmadhojnë apo u krijojnë iluzione se janë intelektualët kryesorë dhe shëmbëlltyra të kombit: me llomotitje dhe përgojime!
Shëmbëlltyra tona dje ishin: Demaçi, Kadare, Qosja, Rugova, Agolli, Hoti, etj.etj. Tuat janë ata ose ato që Ti i ndjek, ata ose ato që Ti i lexon dhe komenton dhe, shpesh janë njerëz pa substancë intelektuale, pa dije elementare, sharlatanë me ndriçim të rrejshëm, të cilët ndjekja Jote po i bën të besojnë se janë më të mëdhenj sesa të gjitha shëmbëlltyrat e përmendura më lartë.
Traktori dëgjohet shumë më larg sesa Sokrati! Kjo shihet te numri i ndjekësve të njerëzve pa asnjë kontribut! Sokrati nuk bën zhurmë si e sa një traktor, por flet qetë dhe përsiat, e as nuk pëllet.
E turma që kërcënon? Është ajo masë që ndjek ata që tallen me emocionet e tyre dhe që ndizet nga mediokriteti i famshëm, si traktor!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen