03.12.2022

Ibrahim Rugova

Shpallja tradhtar e Rugovës është pasojë e të menduarit stalinist dhe titist. Vetëm stalinizmi dhe rendet tjera diktatoriale, shpallnin tradhti çdo ideologji, që ata nuk e kuptonin apo me të cilën nuk pajtoheshin. Duke e çnjerëzuar një njeri, ai bëhej i përshtatshëm për eliminim apo burgim.

Dikur ata me identitet vetjak quheshin disidentë, irredentistë, reaksionarë, mikroborgjezë dhe spiunë të vendeve të degjeneruara perëndimore. Sipas aftësive të tyre, bota ishte bardh e zi. Mik, ose armik! Patriot, ose tradhtar!


Rendet ndryshojnë shpesh më shpejt sesa mënyra e të gjykuarit, e të menduarit. Shumica mendojnë ashtu si janë mësuar dhe nuk i përkapin ndryshime iluministe.  Metodologjia e diskursit komunist, vërehet në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet! 


Demokracia nuk është vetëm liri, por edhe përgjegjësi. Nuk është debat pasdarke me çaj rusi, por rezultat i iluminizmit: i dijetarëve më të mëdhenj në Europë, SHBA dhe Kanada! 03.12.2016


Në një shoqëri postheroike, mund të kuptohet një intelektual si Rugova, një pacifist,  por kurrë jo në një shoqëri me mendësi fisnore, ku ekziston kulti i heroizmit, martirizimit dhe kulti i sakrificës. Aty jeta përbuzet, por idealizohet vdekja: me këngë, poezi e romane. Madje fisnikërohet edhe vetëvrasja, jo duke vrarë armikun, por duke ia vënë gjoksin topit para, duke vrarë vetveten...


Aty konsiderohej më i madh një njeri, që i shante nanën një polici, sesa një filozof i madh. Madje, i pari konsiderohej trim dhe patriot, i dyti tradhtar dhe tuc. Aty njohin vetëm dy mënyra ekstremiste arsyetimi dhe procedimi: sakrificë, ose tradhti!


Rugova ngriti çështjen e Kosovës në një problem të botës së qytetëruar, çfarë nuk e bënë dy akademi shqiptare. Edhe kurdët, edhe palestinezët, mendojnë se me kryengritje mund të çlirohen, por ja ku janë edhe sot, sepse u mungon njeriu i urtë, i cili do ta ngrinte çështjen e tyre në problem të ndërgjegjes njerëzore!


Nëse i shpallim të gjithë tradhtarë, atëherë duket se kemi humbur kontaktin me realitetin, sepse jemi komb i vetëm, ku tradhtarët me pasion angazhohen për lirinë e kombit! Shkurt çlirimin e Kosovës e mundësoi Rugova dhe UÇK me ndihmën e NATO-së, por pa harruar edhe mijëra sakrifica nga viti 1912 e këtej. 03.12.2016


Ne që jemi jashtë vendit, po pëlcasim nga zhgënjimi dhe dëshpërimi. Ata që janë brenda, po pëlcasin nga zemërimi dhe mashtrimi. Fundi i fundit, pjesa dërmuese po pëlcasim, ata brenda, ne jashtë. Fundi i një dhembje është i njëllojtë. Pakica po pëlcet nga kënaqësia.


Lexova një postim të një sociologu, profesor universiteti në Prishtinë dhe mbylla faqen nga trishtimi. Ai profesor nuk duhet lejuar të jetë mësues i shkollës fillore me gabimet që bën, por në Prishtinë është profesor fakulteti.


Meqenëse kemi profesorë të tillë, atëherë pëlcitja është pak. Nuk duhet të dalim në mal, siç rekomandon Tartufi i Viçidolit, por të trajtohemi nga psikolog e psikiatër, kështu na bëjnë më rezistent ndaj maskarallëkut dhe i shpëtojmë pëlcitjes...edhe pse, mund të thuhet se jemi bërë tashmë, pa trajtim… 03.12.2015


ATA që po shajnë Rugovën, atëherë le të tregojnë kush lidhi miqësinë me Francën, dikur mike e madhe serbe, me Anglinë, dikur mike e madhe serbe, me Italinë, dikur mike e madhe serbe dhe me SHBA-të?


E lidhin këtë miqësi që çoi tek Bondsteel Enver Hoxha, Hashimi Thaçi, Sali Berisha, Ramush Haradinaj, Jakup Krasniqi apo Rexhep Qosja? 


Njeriu duhet të jetë objektiv edhe kur flet për armikun, aq më tepër, kur flet për një kundërshtar politik... 03.12.2014

Keine Kommentare: