01.05.2023

Fajësimi i të tjerëve si arsyetim i mosveprimit

Kur vonohet shqiptari, atëherë thotë: “Më iku treni, autobusi, avioni”, etj., por ai nuk e pranon fajin e vet dhe nuk thotë "u vonova unë", por "më iki…” 

Ai nuk është fajtor, por shoferi apo piloti, që nuk e priti. Nuk i pëlqen të ndihet fajtor, por parapëlqen viktimën.

Kur nuk e kalon provimin sepse nuk kishte mësuar sa duhet, edhe atëherë nuk thotë: “Dështova në provim; nuk kisha mësuar sa duhej”, por ai thotë: “Më rrëzoi profesoresha apo profesori!”  Ai nuk është fajtor, por fajtor është ajo ose ai që nuk ia fali notën. Përsëri viktimë.


Kur ia hedh dikush, nuk thotë "u mashtrova", por "më mashtruan!" Përsëri! Nëse e pyet si je, të thotë se ndihet mirë, por pas pak çasteve, të tregon të vërtetën.


Ai vetë mund të jetë në gjendje të mjerë, por tërë ditën do të merret me telashet e huaja. Me të vetat jo, sepse me to do të merren fqinjët e tij.


Ai të thotë "Po", takohemi nesër në orën dhjetë, por poja e tij shpesh është në fakt jo, ose, nëse vjen, atëherë vjen me vonesë dhe fajet do t’i ketë dikush tjetër, jo ai. Ndoshta trafiku…


Tani më pak, por dikur të gjithë, nuk martoheshin vetë, por i martonte prindi. Ai prind thoshte: “E martova djalin apo vajzën!”, sepse ai vendoste se kush me kë martohej dhe zakonisht e financonte dasmën, prandaj shprehej ashtu. Si pasojë, djali nuk thoshte "u martova", por “më martuan!"


Nëse në atë bashkëshortësi nuk kishte lumturi, atëherë fajet i kishte prindi, jo nënshtrimi, jo moskundërshtimi tij apo i saj. Me rëndësi të ndihet viktimë. Dhe, kënaqej duke u shkarravitur në atë rol.


Ai, meqenëse është stërvitur të jetë viktimë, nëse vjen për ndejë nuk të tregon se po vjen, nuk të telefonon, sepse sipas tij, ti duhet të kesh kohë, nëse nuk ke, merre kohën sepse ai gjendet para derës dhe cingëron. Ti duhet të jesh i gatshëm të pranosh miqtë si kafeneja. Nëse ti nuk e hap derën, apo i thua se je i zënë, atëherë faji është i yti, jo i atij që erdhi pa u lajmëruar. Ai do të kthehet i lumtur megjithatë, sepse do të ndihet ashtu si i pëlqen: viktimë!


Derisa ai të mbetet objekt, jo subjekt, vegël, jo njeri veprues, jo autor i jetës dhe veprave, ai do ta kultivojë ndjenjën e viktimës dhe kështu, për copëtimin e vendit, fajtorë do të jenë gjithmonë pushtuesit, por jo dorëzimi i tij, jo inkuadrimi i tij në administratën e pushtuesit, jo pjesëmarrja e tij aktive në nënshtrimin e popullit të vet.


Meqenëse ai nuk është kurrë fajtor, atëherë ai nuk mëson kurrë dhe përmirësohet, tepër ngadalë dhe me shumë vështirësi, ose fare.


Duke vazhduar të fajësojë të tjerët, ai i heq vetes përgjegjësinë morale dhe domosdoshmërinë e veprimit. Dhe, për këtë arsye, nga përtacia e mësuar, ai do të përvetësojë shumë mirë krenarinë me veprat e huaja.


Duke u nënshtruar, duke parë botën nga një perspektivë horizontale, ai do të ndihet gjithmonë si viktimë. Nga ky rol social do të përfitojë licencimin e zhveshjes së vet nga përgjegjësia, edhe morale. Duke e vendosur fajin tek të tjerët dhe duke mos pranuar dështimin vetjak, ai do të mbetet gjithmonë vështrues i teatrit nga tribuna e largët, por jo aktor brenda tij. 


Ai më shumë do të mburret kur lavdërohet për zvarritjen e vet, sesa për veprat e veta.  Lavdërimet për zvarritje i rikujtojnë rolin social, profesional të viktimës.


Se na pëlqen të vegjetojmë në rolin e viktimës, e dëshmon Faik Konica: “Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku!” E ka shkruar ndoshta para një shekulli dhe vlen edhe sot.


Pra, në vend që të pranojë gabimet dhe të mësojë nga to, ai i heq vetes përgjegjësinë dhe fokusohet në fajësimin e të tjerëve. Kjo sjellje tregon mungesën e një qasjeje të përgjegjshme dhe produktive ndaj jetës dhe sfidave që vijnë me të.


Përfundimisht, duke e vënë fajin vazhdimisht tek të tjerët, ai do të humbasë mundësinë për të mësuar dhe për të ngritur vetëdijen. Ai që pranon të mbetet viktimë e përjetshme, nuk do të rritet kurrë. Nuk do të jetë kurrë protagonist i jetës, por vetëm simptomë e saj…

Keine Kommentare: