26.08.2023

Pesë shtyllat e IKIGAI-t - udhëzime praktike


1. Filloni nga e vogla                                                                                                                                                     
Çdo gjë fillon gjithmonë me hapin e parë, pavarësisht a bëhet fjalë për realizimin e vizionit të madh të jetës apo për krijimin e një skuadre për shitje të mallrave. Të nisesh nga e vogla në kuptimin e IKIGAI-t do të thotë të shprehësh një frymë të pakonsumuar rinore dhe të freskët. Gjatë kësaj ecurie, hapi i parë ka gjithmonë po atë vlerë, sa edhe ai i fundit. Ata që jetojnë IKIGAI-t e vet janë gjithmonë të vetëdijshëm për këtë fakt dhe e përjetojnë çdo hap si të barasvlershëm.


2. Mëso të heqësh dorë

Në lidhje me IKIGAI-n, me kuptimin e jetës, mënyra më e mirë për të praktikuar largimin, është të mësuarit për të hequr dorë (distancimi, lënien) nga vlerësimi ose gjykimi.  (Domethënë të mos gjykohen dhe vlerësohen veprat, ngjarjet.) Nuk është e thënë të bëhet diçka domosdoshmërisht dhe veçanërisht mirë, por ajo që bëhet, duhet të bëhet me përkushtim. Kjo na ndihmon të mos mendojmë gjithmonë për rezultatin e punës, por të qëndrojmë më shumë në të qenurit (në ekzistencë), në mënyrë që të arrihet përfundimisht gjendja e FLOW-it,(gjendja e përqendrimit më të lartë dhe zhytja e plotë në një aktivitet).

 

3. Të përjetohet harmonia dhe qëndrueshmëria, (vijueshmëria)

Ndjenja japoneze për shoqërinë është e dukshme në këtë shtyllë. Këtu bëhet fjalë për qëndrueshmërinë në kuptimin e të qenit i integruar në botë. Prandaj, egoizmi rrallë mund të bëjë njeriun vërtet të lumtur. Në të njëjtën kohë, njeriu ndihet i tërhequr dhe i magjepsur nga harmonia. Shumë arte japoneze, të tilla si piktura në porcelan, vizatimi kaligrafik ose kompozimi i luleve (IKEBANA) janë shprehje të përjetimeve të harmonisë.

 

4. Gëzimi për gjëra të vogla

Sa më shumë që arrijmë t'u kushtojmë vëmendje gjërave të vogla në jetë, aq më shumë ndërgjegjësohemi për veçantinë e çdo çasti. "Kur vëren njeriu gjërat e vogla, asgjë nuk përsëritet." (Ken Mogi).

 

5. Të jesh këtu dhe tani (të jetosh në kohën e tashme, pa u humbur në të kaluarën apo brengosur në të ardhmen, përjetimi i çastit)

Kjo shtyllë rezulton pothuajse automatikisht si një përfundim pothuajse logjik nga katër të parat dhe për këtë arsye pothuajse mund të konsiderohet si shpirti i IKIGAI. 


Këshillë praktike

Merre një fletë shumë të madhe letre, mundësisht në madhësinë e atyre që varen në dërrasat e bardha (Whiteboard-Flipchart) dhe shumë letra ngjitës të vogla me ngjyra të ndryshme.

Vizatoje nga një rreth të madh për secilën nga katër pyetjet. Në fund, të gjithë rrathët kryqëzohen, duke formuar një lloj luleje. Jepi vetes kohë të mjaftueshme për procesin e mëposhtëm.


Zgjidh një ngjyrë letre për secilën pyetje; shkruaje mendimin në një letër të veçantë dhe vendose në rrethin përkatës. Mos harro, ka të bëjë edhe me "gjërat e vogla" të supozuara në jetë. Mundohu të heqësh dorë nga çdo gjykim dhe shkruaj gjithçka që të vjen në mendje. Është dëshmuar si shumë i dobishëm meditimi. Ai ndihmon për të vështrua në nënvetëdijen dhe për të pasur akses edhe më të mirë në nënndërgjegjeje, prandaj rekomandohet aty ndërmjet të meditohet.


Këtu janë disa pyetje që mund të ndihmojnë:


ÇFARË DUA UNË

Çfarë të ka pëlqyer shumë si fëmijë? 

Çfarë mund të bësh për një kohë shumë të gjatë pa u ndier i lodhur?  

Te cilat aktivitete ndihesh i lumtur? Kur mund të harrosh kohën?

Për çfarë të pëlqen të flasësh më së shumti? 

Cilat janë hobit tu?


KU JAM UNË I MIRË

Për çfarë të lavdërojnë? 

Çfarë formimi profesional ke ? 

Çfarë ke mësuar? 

Ku ke një thesar me përvojë të madhe? 

Çfarë aftësish (të pazakonta) ke? 

Për çfarë je i talentuar?

 

PËR ÇFARË PAGUHEM UNË  

Çfarë profesioni ke? 

Nga vijnë të ardhurat tua?

Për çfarë shpërblehesh në formën e parave apo dhuratave?

 

ÇFARË I NEVOJITET BOTËS 

Çfarë do të mbetet kur ti nuk do të jesh më? 

Çfarë kontributi jep për shoqërinë?

Çfarë mungon kur ti nuk je më aty? 

Cilën vlerë ia shton shoqërisë?

Cilat nga aktivitetet tua janë kuptimplote ose korrespondojnë me vlera më të larta?

 

Gjej ngjashmëritë e IKIGAI-t: parapëlqimet e përbashkëta

Tani largohu një hap prapa nga dërrasa dhe shih se ku takohen mendimet. Tani mund t'i lëvizni letrat ngjitëse për t'i vendosur në kryqëzimet e duhura. Kryqëzimet ofrojnë informacione për pasionin (pasionin), punën (profesionin), talentin, dhuntinë (vokacionin) dhe detyrën (misionin) tënd më të madh. IKIGAI yt - kuptimi i jetës - tani të shfaqet në mes të lules si në një pjatë argjendi. Ndoshta është një konfirmim i asaj që ke menduar ose ndier gjithmonë. Procesi ndoshta do të hapë gjithashtu njohuri dhe shtigje krejtësisht të reja për ty. Provoje!

 

Meqenëse ra fjala:

Njohja e ikigait dhe mënyra e jetesës sipas tij mund të ndikojë në zgjatjen e jetës. Një studim nga Universiteti i Ohsaki në Japoni zbuloi se ka korrelacione të rëndësishme midis IKIGAI dhe përfitimeve shëndetësore. Ndoshta kjo është arsyeja pse rrënjët e konceptit IKIGAI supozohet të jenë në Okinava. Ishulli është i njohur për numrin jashtëzakonisht të lartë të njëqindvjeçarëve të shëndetshëm.


Nga gjermanishtja Lis Bukuroca


Ps. E përktheva edhe këtë shtojcë, me sqarime plotësuese, sepse m’u bënë disa pyetje me mesazhe private. Shpresoj se tani është më e qartë sesi mund të zbulojë çdonjëri ikigain e vet...


Keine Kommentare: