26.11.2023

Mesazhet e rrezikshme të Ben Blushit

Me katër janar 1960 po ngiste makinën Michel Gallimard, nip i botuesit të famshëm francez. Një gomë e pasme pëlcet dhe makina përplaset në një pemë djathtas. Albert Camus vdes në vendin e ngjarjes. Mund të ishin përplasur edhe me ndonjë makinë tjetër dhe mund të vdisnin edhe njerëz tjerë. Ose të mbeteshin tërë jetën invalidë.

Nëse një shkrimtar gjerman nget makinën 84 kilometrat në orë më shumë sesa lejohet dhe ajo furi merret vesh, jo vetëm se do t’ishte detyruar të kërkonte falje, por do t’i kishte rënë në mënyrë dramatike edhe numri i lexuesve. Ai do t’ishte kritikuar aq ashpër, sa do të kishte folur vet me vete.


Pse? Një personalitet publik mund të tundojë rininë, të cytë dhe motivojë kopjimin. Zakonisht ka të rinj që sillen, vishen apo veprojnë si idhujt e tyre. Ai personalitet, me atë sjellje, dërgon disa rekomandime se kur, si dhe ku duhet të shkelen ligjet.


Ben Blushi e ka fjalën, citat: “Isha me 144 km në orë. Shpejtësia e lejuar ishte 60 km. Më vunë gjobë. 300 mijë lekë. Të vjetra. (…) I vumë dhe atij. Kujt? Baton Haxhiut. Sa i vutë? 40 mijë. Të vjetra. Pse kaq pak? Na erdhi keq. 

(…)

Kalova Prizrenin. Më ndalojnë prapë. Policia e Kosovës. Kishin radar. Isha me 129 km në orë. Lejohej 110. Polici afrohet. Hapa xhamin. Më kërkoi patentën. (…) U kthye te unë. Më tha. Më jep një libër. (…) Mora dy libra. Romanin “KOMPLOTI”. Nënshkrova dy autografe.”


E para që kuptohet nga ai ‘deponim' publik është se ligjet nuk vlejnë për të të gjithë! 

Domethënë, nëse ke lekë, kundërvajtja e qëllimshme nuk perceptohet si krim në shoqëri, por si pushtet heroik mbi ligjet dhe shtetin, me të cilin njeriu mund edhe duhet të mburret publikisht.


E dyta, nëse ke shumë lekë, pranohet shkelja e ligjit!

Meqenëse je bërë i njohur ose i pasur, ke investuar shumë kohë për të qëndruar mbi ligjin, jo nën ligjin. E dëshmojnë dhjetëra milionerë në Kosovë, që e kanë vjedhur shtetin e Kosovës, por që nuk guxon njeri t’i burgosë.


Mesazhi i tretë që i dërgohet lexuesit është ky: Ligji ekziston për të varfrit, sepse prej tyre policët presin zbatimin dhe nuk ndiejnë për ta empati, siç ndodhi me Baton Haxhiun për shembull. 


I katërti: Nëse je i pasur ose i famshëm, para teje polici zvogëlohet, përulet dhe e zhbën shtetin e vet dhe vendos sipas inteligjencës  vetjake. Në Kosovë policët nuk e gjobisin shkrimtarin që pagoi 300.000 lekë të vjetra në Shqipëri dhe i cili nuk u bindet rregullave të komunikacionit, por ata pranojnë dy libra me autografë si shpërblim, si motivim, për ta zhbërë vetveten, detyrën e vet dhe shtetin e Kosovës.


Në një anë ai qëndrim duket simpatik, sepse policët e Kosovës qenkan lexues, edhe atë në një vend ku as arsimtarët nuk lexojnë romane, apo tepër pak. Por në anën tjetër, kjo sjellje dëshmon edhe për moskokëçarjen në mosrespektimin e ligjit nga vetë policia. 


Ben Blushi paguan 300.000 lekë, Baton Haxhiu paska paguar vetëm 40.000, i thonë policët shkrimtarit. Në fakt policët kanë konsumuar edhe një vepër penale duke cenuar privatësinë e Haxhiut. Sidoqoftë, gjobën e zvogëluar ndaj tij e përligjin policët me keqardhjen që kishin ndier për të. Pra, empati për njeriun për të cilin patën curruar lajme se fiton 15.000 euro në muaj, ndoshta aq sa fitojnë nga librat e tyre për një vit të gjithë shkrimtarët e Shqipërisë dhe të Kosovës së bashku. Këtë empati do ta përjetojë shkrimtari edhe në Kosovë. Do t’ia kthejë si karmë policia e Kosovës.


Aty ata i falin kundërvajtjen. Mund të pritej kjo. Kosova nuk ka as policë, as prokurorë, as gjykatës, të cilët mund të ndëshkojnë njerëzit e pasur apo personalitete publike. Para tyre shteti shpërbëhet deri në grimca të padukshme.


Çfarë ka bërë shkrimtari?

  1. Ai ka shpërfillur rregullat e komunikacionit rrugor dhe në këtë mënyrë ka rrezikuar sigurinë dhe jetën udhëtarëve tjerë. 
  2. Ai ka injoruar pasojat e mundshme të sjelljes së tij dhe duke e përsëritur veprën, dëshmon se nuk mëson nga gabimet.
  3. Ai mund të shërbejë si shembull, edhe negativ.
  4. Ai tallet me gjobën! Kjo dëshmon mungesë përgjegjësie.

Në fakt, ai do të duhej të kërkonte falje publike. Ose të shkruante një artikull për rreziqet dhe pasoja nga tejkalimi i shpejtësisë; për të vdekurit në aksidente komunikacioni ose për invalidët; për dëmet apo tragjeditë që mund t’u shkaktohen njerëzve të pafajshëm.


Nëse shkrimtari do të ndërmerrte një hap të tillë, ai mund të mbetej tutje një model i mirë i njeriut, i cili mëson nga gabimet: është vetëdijesuar vetë dhe ndërgjegjëson edhe të tjerët. Nuk mund të kërkohet, as të pritet shtet ligjor, gjersa personalitetet publike apo njerëzit e pasur, tallen me të dhe raportojnë për mënyrat se si sfidojnë ata shtetin. 


Njerëzit nuk emigrojnë vetëm kur u mungojnë vendet e punës, por më shumë ikin nga vendet e veta kur u mungon shteti i së drejtës. As që mund të imagjinohej se shkrimtari me aq lehtësi refuzon rregullat e komunikacionit dhe rrezikimin e jetës së udhëtarëve tjerë e përmbyll me tallje:


“U ktheva. (…)  Nuk kishte polici. Eca shpejt. Asnjë gjobë. Arrita në Tiranë. Qesha shumë.”


Shoferi mund të jetë shumë i mirë, por makina ka pjesë që mund t’i thyhen, edhe rrota, që mund t’i dalin apo t’i pëlcasin. Shpejtësia kufizohen për të vështirësuar aksidentet. 


Nëse në Gjermani tejkalohet për më shumë se 70 km në orë jashtë zonave urbane, gjoba është 738,50, dy pika në Flensburg dhe tërheqja e patentës për tre muaj. Pas tetë pikave në patentë humbet e drejta e vozitjes dhe gjashtë muaj më vonë, mund të rifitohet, por nëse kalohet provimi i të ashtuquajturit “Test i idiotëve!”


Ps.:

Disa herë mendova të mos shkruaj fare, por disa herë iu përgjigja vetes se kur heshtim të gjithë, atëherë do të sillemi të gjithë si policët, që dorëzohen para autoriteteve. Heshtëm kur Edi Rama shpalli diasporë shqiptarët e Luginës, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, dhe shqiptarët e Kosovës. Aty disa liderë të atyre krahinave shqiptare, morën pjesë si mërgimtarë nga Mal i Zi, nga Serbia, nga Maqedonia V. dhe nga Kosova. Me një fjalë si diaspora arbëreshe apo si ajo në Perëndim.


Në rastin e mësipërm policët e Shqipërisë dorëzohen pjesërisht, por policët e Kosovës tërësisht! Në të dy rastet shquhet e drejta zakonore, Kanuni: sjellja ndaj “mikut” në Shqipëri dhe sjellja ndaj mikut në Kosovë. Në vendet tona që synojnë të bëhen shtete ligjore policia zbaton ende parimet e veta fisnore, jo të shtetit që i paguan. 


Drini, bots sot, perqasje 

4 Kommentare:

THANAS JORGJI hat gesagt…

Një pamflet i shkëlqyer i shkrimtarit Lis Bukuroca!

Një pamflet që zbulon DYFYTYRËSINË dhe DOPJO STANDARTIN e këtyre personave me emër të cilët abuzojnë ME VETËDIJE duke shkelur rregullat e ligjet.

NJË PERSON QË SHKEL RREGULLAT E QARKULLIMIT, AI NUK E KA PROBLEM TË SHKELË EDHE LIGJET.

Ky është thelbi dhe mesazhi që na jep Lis Bukuroca në këtë pamflet-ese.

Personi që përmendet në shkrim me sa di, ka të paktën një dosje në SPAK për përvetësime të pronave publike në Korçë dhe prona të tjera në bregdet, duke shfrytëzuar postet qeveritare dhe partiake që mbante dikur.

Lis Bukuroca hat gesagt…
Dieser Kommentar wurde vom Autor entfernt.
Lis Bukuroca hat gesagt…

Të falënderoj shumë Thanas i dashur për këtë koment.

Jemi duke kultivuar ende të menduarit antishtet, madje disa prej tyre që gjoja duan shtet. Te ne shumë e duan shtetin si grazhd, por jo si ngrehinë që siguron mirëqenien e një populli. Pakkush shqetësohet kur vidhet shteti, kur shkilen ligjet, por ne vrasim njeri për një metër katror, mirëpo as nuk protestojmë ku vidhen miliona. Prandaj rendet tona janë më shumë pronokraci dhe idiokraci, sesa demokraci. SPAK është në rrugë të mirë dhe uroj të vazhdoj kështu...

Faleminderit dhe një herë mik i madh dhe uroj të jesh mirë dhe i lumtur...
LB

Lis Bukuroca hat gesagt…
Dieser Kommentar wurde vom Autor entfernt.