24.02.2024

Gjuha dhe peticioni

1. Nëse ndryshohet gjuha letrare,brenda javës do të shfaqet fraksioni tjetër, që do të kërkonte ndryshimin! Gjithmonë do të jetë dikush i pakënaqur, gjithmonë dikush do të ndihet i papërfaqësuar denjësisht. Pala e sotshme kundërshtuese do ta festonte fitoren, tjetra do të revoltohej për humbjen.
A ka zgjidhje?
Natyrisht! 
Çdo qytet e krijon gjuhën e vet letrare dhe alfabetin e vet!
A mund të ketë edhe në qytet pakënaqësi?
Nuk ka asnjë dyshim!
Nëse po, atëherë vazhdohet si tani nëpër tv e radio:
njëri e flet gjuhën e nânës,
tjetri të nonës, tjetri e bën kallamboq e thekër gjuhën letrare duke e përzier si di vetëm ai…
Domethënë e flet kalla-thekërishten. Një dialekt shumë të lashtë pellazg.
Këtë gjendje Noli do ta kishte quajtur ANARKI:
“Gjendje që krijohet në shoqëri, kur mungon pushteti shtetëror i organizuar dhe
kur nuk veprojnë ligjet e rregullat e detyrueshme për anëtarët e shoqërisë; mohim shtetit dhe i çfarëdo pushteti politik të organizuar…” FGJSSH
Aleluja kaos! Rrënimi është shumë i thjeshtë dhe për të nuk duhet shumë dije, por ndërtimi zgjat me dekada apo shekuj...

2. 
Tetë lutje ose propozim për pajtim mes “shkencëtarëve dhe pseudoshkencëtarëve”:
"Shkencëtarët e rremë", që po nervozojnë "shkencëtarët e vërtetë", të ftohen vetëm në radio dhe varrime, ndërsa ata të vërtetët, të njohur dhe të përkthyer në shumë gjuhë të botës, të ftohen në televizion dhe nëpër dasma.
Sidoqoftë, për t’i vënë fre kësaj gjendje shqetësuese nëpër fakultete, ne që i duam shkencëtarët kemi këto TETË kërkesa:
(a) Ministria e Arsimit të kontrollojë cilësinë e ligjëratave nëpër fakultet;
(b) Akademia, jo shteti, të njoftojë popullin kush është shkencëtar, kush pseudoshkencëtar.
(c) Profesorët e arsimtarët e gjuhës shqipe, që nuk e flasin e shkruajnë gjuhën shqipe si duhet, të përjashtohen.
(ç) Ministria e Arsimit t’i largojë nga fakultetet profesorët, që nuk kanë publikuar doktoratën.
(d) Shkolla fillore, shkolla e mesme dhe fakulteti, të kenë program për ngritjen e nivelit kulturor dhe gjuhësor të nxënësve e studentëve.
(d) T’i shpjegohet popullit pse Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës nga 22 akademikë, 10 i ka nga gjuha dhe letërsia shqipe; shumica prej tyre shkrimtarë.
(e)T’i tregohen popullit arsyet pse një nxënës edhe pas 12 vjetëve shkollë në gjuhën shqipe, nuk e di gjuhën shqipe.
(f)T’i shpjegohet popullit pse kur sharlatanët sulmojnë historinë shqiptare nuk shkruhen peticione…
Duke e luftuar sharlatanizmit nëpër shkolla, fakultete e akademi, fitohen dy beteja: ajo kundër sharlatanizmit brenda dhe beteja kundër sharlatanizmit jashtë.
Duke e luftuar vetëm jashtë, mund të krijohet përshtypja se pseudoshkencëtarë nuk ka nëpër fakultete. Dhe, kur e luftoni sharlatanizmin vetëm jashtë, ju nderon dhe ju poshtëron njëkohësisht: duket se shkaku po lufton pasojën!


Keine Kommentare: