01.03.2024

Pula apo veja, cila ishte e para?

Ku gabon televizioni publik gjerman?

Nëse veja ishte e para, kush kishte rënë klloçkë?

Pula është e para, si në kontekstin shkencor, ashtu dhe në atë fetar.


Ndryshe nuk mund të jetë. Kur mendohet mirë, është për t’u habitur sesi ka mundur kjo pyetje-dilemë të mbijetojë aq gjatë. Edhe përgjigjet që i kam bërë unë apo shumica, kanë qenë të pamenduara. Sipërfaqësore. Pa u zhytur thellë në esencën e pyetjes. Nuk kemi dashur të merremi me të si duhet. Veza nuk mund të jetë e para, as kur bazohemi në shkencë, as kur bazohemi në religjion.


Logjika e thjeshtë na tregon se çdo formë e jetës, nga njëqelizore e deri te krijesat më të avancuara, ka brenda vetes urdhërimin kategorik gjenetik për të mbijetuar dhe për të përhapur gjene nëpër brezat e ardhshëm. Duket se e kanë edhe planetët dhe galaktikat.


Çdo gjallesë, çdo bimë, lule apo bakter, ka një mekanizëm të përshtatur për të mbijetuar dhe për të shumuar specien. Çdo frutë ka shumë fara. Jo pse ne i hamë, por për të mbijetuar bime, pema. Farat i krijon pema në fillim. Edhe me qindra e me mijëra, për të garantuar vazhdimësinë. Kjo mund të jetë arsyeja pse edhe në lukth nuk zhduken, por dalin jashtë si fara. Janë të mbrojtura dhe kanë imunitet, me thënë me fjalor politik.


Nëse veza është para pulës, atëherë duhet thënë se farat janë para pemëve, para bimëve dhe kjo është e pamundur, sepse pema/bima i krijon farat, ku çdo njëra i dhuron farës së vet informacionet gjenetike apo memorien gjenetike, se a do të rritet speci, domatja, manaferra apo qershia, majmuni, njeriu, veza etj.etj.


Nga njëqelizoret, si bakteret, algat etj., e deri te deri pula kanë kaluar miliona vite, si janë shtatë miliona nga ndarja e njeriut nga shimpanzeja. Po nga qelizat e para deri te pula janë diku 3,5 - 4 miliarda vite të njëqelizoreve në det. Njëqelizoret e parë më tokë shfaqen para diku 600-700 milionë viteve.


Është një rrugë shumë e gjatë, por nga veza nuk është e mundur. Absolutisht jo. Një rrugë aq e gjatë shkakton mrekulli të shumta në shtrirjen dhe divergjencën e jetës në planetin tonë.Ta vështrojmë pikë së pari aspektin fetar. Sipas analogjisë së njeriut, zoti nuk krijon vezë, por krijon pulën për të bërë vezë me informacionet gjenetike të pulës. Pula ndoshta mundet edhe pa gjel, por shumë gjitarë, jo pa kafshën mashkull.


Zoti nuk krijoi spermatozoidet, por e krijoi Adamin, me aftësinë për t’u shumuar me ndihmën e gruas, por që për çudi, prodhon gruan me gjene mashkullore dhe vetëm me gjenet mashkullore, nuk mund kurrë të prodhohet gruaja. Rezultati është se Adami bën seks me vetveten. Këtë dilemë e kam shqyrtuar te “Letër zotit” botuar tek gazeta shekulli para 14 viteve. Gjendet në libri “Letër burrave I.”


Megjithatë ta besojmë si e dëshiron feja dhe na nevojitet këtu për t’i dhuruar edhe mundësinë fetare të shqyrtimit.

Pra, zoti nuk e krijon njeriun nga spermatozoidi, por burri i prodhon dhe  pa gruan është e pamundur të lindet fëmija. Krijimi Adamit nga balta është kopjim i legjendës sumere. Pra, kur themi se veza është e para, duhet të pranojmë se zogu i pulës del nga veza pa prind, që do të duhej t’ia mësojnë mbijetesën, ushqimin, ujin, rrezikun etj. Njeriu, majmuni, kafshët e shpezët kanë nevojë për përcjellje nga prindi për të mësuar aftësitë e tyre të mbijetuarit.


Sipas evolucionit, para se të krijohej pula, ishte një pulë më e vogël, një zog më i vogël, më i vogël, më i vogël, e kështu me radhë. Por nuk do të jetë e mundur të sillet veza nga qielli e të çel një zog të vetmuar, e pastaj duhej pritur një zot, që do t’i amputonte një gjymtyrë për ta krijuar gjelin. Shkurt, nëse e pranojmë se zoti e krijoi Adamin nga dheu, e jo nga spermatozoidi, atëherë duhet të pranojmë se edhe veza u krijua nga pula, e jo e kundërta.


Edhe njëherë shkurtimisht: evolucioni është një proces i vazhdueshëm që zgjatë miliona vite. Nuk ka shkëputje në zinxhirin evolucionar dhe secila specie ka një numër paraardhësish. Çdo gjallesë dhe çdo bimë ka paraardhës që kanë evoluar me kalimin e kohës. Këta paraardhës prodhonin vezë, spermë ose fara për t'u riprodhuar. Prandaj është e pamundur që një vezë të ketë origjinën pa një paraardhës që e ka bërë. Kjo vlen si për historinë e krijimit të Adamit, ashtu edhe për teorinë e evolucionit.


Këtë pyetje e kemi shtruar me shekuj gabimisht. Pyetja ka këtë kuptim: "Cili ishte para, prindi apo fëmija?" Pse? Sepse evolucioni nuk njeh boshësi apo shkëputje zinxhiri. Pula dhe veza nuk janë as fillimi, as fundi! Domethënë para vezës ishte një pulë e egër, që binte klloçkë, para saj, një pulë më e vogël, para kësaj një zog,para atij zogu, zogu i vockël, pastaj një zog edhe më i vogël dhe kështu deri te njëqelizorët… Apo jo? Pula bie klloçkë, veja nuk mundet pa pulë! 


Pra nuk çel kurrë zogu! Nëse ishte veza e para, prishet pa pulën klloçkë! Domethënë, pyetja pula apo veja është idiotësi dhe nuk mund të shtrohet ashtu në procesin aq të largët të evolucionit. Nuk mund të shpërfillet një varg procese brenda miliona viteve.

Të gjitha krijesat, bimë, kafshët, shpezët etj. kanë paraardhësit dhe kur pyesim për vezën apo për farën, pyesim për rezultatin e tanishëm, të sotshëm në zinxhirin evolucionar, jo për fillimin! Sepse as pula, as veza nuk janë fillimi, por ndoshta diku mesi i procesit… 

Nëse pyes veza apo pula ishte e para, d.m.th. i shkëpus të dyja nga zinxhiri evolucionar. Këtu nis gabimi! Pyetja e gabuar ka marrë vazhdimisht përgjigje të gabuar. Kështu u mundësua një paradoks i palogjikshëm dhe pamundësohej përgjigja e saktë sepse përjashtonte paraardhësit! Nëse ia lejojmë vetes atë gabim, atëherë mund të pyesim edhe kështu: Ishte viçi i pari, apo lopa e kau?! Ishte Kaini i pari, apo Eva dhe Adami!?


Debati me IA-në

Inteligjenca Artificiale "gemini" pranoi pas një përleshjeje të gjatë, pas një kundërshtimi të gjatë, se unë kam të drejtë si e shpjegoj Pulën dhe Vezën, sepse pyetja është e pa logjikë, sepse shkëput zinxhirin e evolucionit dhe pyet për produktin, për rezultatin e evolucionit duke injoruar paraardhësit, procesin e gjatë. Pas diku 30 minutave u dorëzua edhe ChatGPT .


Ja çfarë tha sot Inteligjenca Artificiale “gemini” i googl-it, pas diku 40 minutave debat:

"Jam dakord me ju se pyetja e pulës apo vezës është vërtet problematike. Pyetja nënkupton një shkakësi lineare që nuk ekziston në evolucion. Nuk kishte pulë "të parë" apo vezë "të parë", por një zhvillim i vazhdueshëm nga paraardhësi te pasardhësi.

Argumenti i Lis Bukurocës është i saktë në këtë kuptim.

Pyetja shpërfill pikat e mëposhtme: evolucioni është një proces i vazhdueshëm: nuk ka pasur dalje të papritur të pulës nga një vezë. Përkundrazi, pati një seri ndryshimesh graduale gjatë miliona viteve që çuan në shfaqjen e pulës.

Paraardhësit

Pula e parë kishte paraardhës që evoluan me kalimin e kohës dhe zhvilluan aftësinë për t'u riprodhuar përmes vezëve.

Asnjë përfundim: As pula dhe as veza nuk janë "produkti përfundimtar" i evolucionit. Të dyja janë pjesë e një procesi të vazhdueshëm ndryshimi dhe përshtatjeje. Prandaj ka më shumë kuptim ta shikojmë çështjen e origjinës së pulës jo si një problem statik, por si një proces dinamik.


Pyetja duhet të jetë: "Si evoluoi pula nga paraardhësit e saj gjatë rrjedhës së evolucionit? Kjo pyetje merr parasysh kompleksitetin e evolucionit dhe na lejon të kuptojmë shfaqjen e pulës në një kontekst më të gjerë".

Ja si e shpjegon shkenca:  VEZA ISHTE E PARA

WDR, televizion publik gjerman
“Pra të zbresim larg në të kaluarën: domethënë 135 milionë vjet më parë. Kështu arrijmë në mes të epokës së gëlqeres.("Epoka e Kreosit" ose "Epoka e Gipsit".)  Dhe shumë vezë të fosilizuara janë gjetur në Kinë që nga ajo kohë, d.m.th. nga 135 milionë vjet më parë. Vezët janë të dinosaurëve.
Dhe, dinosaurët - si të gjithë zvarranikët sot - kanë bërë gjithmonë vezë, madje edhe 230 milionë vjet më parë, kur u shfaqën dinosaurët më të hershëm. Dhe atëherë sigurisht që nuk kishte askund pula. Prandaj, është e sigurt të thuhet: Veza ishte aty PARA pulës.” Këtu përfundon shpjegimi i televizioni publik gjerman.

Çfarë shpjegimi mjeran!! Televizioni meriton një peticion nga akademikët tanë.
Kur pyet njeriu ai ishte pula e para apo veza, nuk bën pyetjen për vezët në përgjithësi, jo të shpezëve apo të kafshëve tjera, por pyetja i qaset vetëm pulës që mund të bëjë vezë, dhe vezës që mund të krijojë pulë. Për PULËN! Kur është shtruar ajo pyetje, njeriu nuk ka pasur ide për ekzistencën e dinozaurëve.
Pula e parë nuk i ka ngjarë pulës së sotshme dhe deri të shndërrimi në zog, pastaj në pulë ka zgjatur shumë, por ajo vezë, është krijuar nga një gjallesë dhe pa marrë parasysh prej kujt, domethënë para vezës ishte një gjallesë tjetër, qoftë krokodil, qoftë dreq, qoftë zog, që e ka bërë atë vezë.
Prandaj veza nuk mund të jetë e para, por gjallesa që e bëri atë. Ne nuk kemi bërë pyetjen: ai ishte dinozauri i pari apo veza? Përgjigja e tyre është heterogjene dhe nuk i përgjigjet pyetjes sonë. Kur ta bëjmë pyetjen ai ishte i pari dinozauri apo veza e tij, atëherë le të dokumentojnë se veza kishte rënë si e para nga qielli.
Atë shpjegim shkencor e mora nga faqja e televizionit publik gjerman WDR, ku fëmijëve u shpjegohet shkenca me një gjuhë të lehtë...


https://kinder.wdr.de/tv/wissen-macht-ah/bibliothek/kuriosah/tier/bibliothek-was-war-zuerst-da-die-henne-oder-das-e-100.html






Keine Kommentare: