- “Po, unë isha, mirëpo pastaj në njëfarë mënyre më detyruan dhe ja ku jam.”
- “Pse e refuzuat?”
- “Nuk më është dashur kurrë „Ndihma e parë“ dhe në rast nevoje, më mirë alarmoj ndihmën e shpejtë sesa të bëj ndonjë gabim…”
- “E si do të reagonit nëse një njeri shembet befasisht para jush?”, më ndërpreu ajo.
- ”Do të iknit tutje, thua se nuk po ndodh gjë prej gjëje?”, shtoi pas një pushimi të vogël.
- “Jo, nuk do të largohesha…”
- “Do ta ndihmonit…”, më ndërpreu përsëri.
- “Jo, pikësëpari do ta kisha pyetur:
“Zotëri, i beson zotit?”
Ajo e solli kokën dhe u ndal para meje e habitur .
- “Çfarë rëndësie paska besimi në zot në atë çast dhe në atë gjendje ju lutem?”
- “Zonjë, nëse i beson zotit dhe ma bën me dije disi, me kokë apo me fjalë…
- “E nëse po, vallë nuk duhet ndihmuar?”, më ndërpreu prapë gati e shqetësuar.
Në klasë ishim rreth 30 veta dhe të gjithë po përcillnin me vëmendje dialogun tonë.
- “Pra zonjë, siç thashë, nëse ai njeri i beson zotit, atëherë do t’i kisha thënë:
“Zotëri, udhëtim të mbarë! Perëndisë i duhesh dhe po të merr pranë vete, aty ku ke besuar se do të shkosh….”, këtu ia plasën gazit të gjithë dhe fjalët e fundit nuk u dëgjuan. Pasi u qetësuan, njëri m’u lut të përsërisja fjalinë e fundit.
- “Po, do t’i kisha thënë: "Urime i dashur dhe fluturim të këndshëm. Bëni të fala zotit prej meje dhe thuaj të më lërë të qetë se unë e di vetë se kur duhet të shkoj tek ai. Nëse dua fare të shkoj tek ai…“
- “E dini zotëri se mosofrimi i ndihmës është vepër penale?”, pyeti ajo seriozisht, edhe pse unë po flisja me shpoti, por me shaka serioze.
- “Po, zonjë, po, e di, por a ka vepër penale më të madhe sesa të përzihem në punët e autoritetit absolut, të zotit dhe të pengojë marrjen e dikujt, i cili i duhet atij urgjentisht.”, thashë në fund. Edhe këtu ia plasën gazit…
”Sigurisht i mungon ndonjë punëtor si ai, përndryshe nuk do ta merrte pikërisht atë, që rrëzohet para meje atje t’i dhënë ndihmë sociale…E pastaj, zonjë e nderuar, dënimi këtu është i kufizuar, te zoti nuk merr fund kurrë…Çfarë e pafe, që qenka, mendova. “A ndërhyn njeriu në punët e zotit dhe pikërisht sot, unë duhet të mësojë si të anulohet dëshira dhe vullnet i tij…”
2.
Shumë e dashur zonjë Claudine Glorid Queem,
vlerësoj pafundësisht gatishmërinë tuaj për të më ndihmuar mua. Bota ka shumë nevojë për njerëz të mirë si ju. Gëzohem shumë që ju ekzistoni. Çfarë mrekullie. Çfarë fati për njerëzimin!
Megjithatë, unë nuk i dua ato lekë zonjë. Janë shumë dhe kam frikë se ato do të ndikojnë në karakterin tim dhe mund të prishem. Miqtë që i kam, më duan pse jam ashtu si jam.
Unë parapëlqej të mbetem tutje si besoj, i mirë, si mendoj unë, por njëkohësisht,
duke ju ndihmuar për ta kryer ju atë donacion prej 600.000 eurove aty ku ka nevojë, bëhem dy herë i mirë: njëherë pse mbetem modest si isha, herën e dytë se ju rekomandova se ku ndihet nevoja më e madhe dhe ku mund ta tregoni humanizmin tuaj fisnik.
Madje edhe shumë më fisnik sesa i hoxhës shqiptar, sepse ju nuk dëshironi të shfrytëzoni për martesë, por vetëm të mi falni lekët.
Ky akt madhështor, shumë e dashur zonjë, dëshmon për karakterin tuaj aristokratik dhe humanist.
Këtu keni emailin për ndihmën tuja në Shqipëri ndal.dhunes@drejtesia.gov.al dhe gjysmën tjetër dërgojeni në Kosovë. Ja numri i telefonit: “Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve” (QMGF) +383 (0) 38 545 476.
E dashur Claudine, gëzohem shumë se ju do të ndihmoni dhe duke ju falënderuar për humanizmin tuaj, mbetem me respektin më miqësor.
Ps. Ndihem shumë keq se një zonjë e mirë si ju, vuan nga kanceri. Tragjike.
E poshtër ajo sëmundje që nuk godet luftënxitësit si Putini e Vuçiqi, por juve, që nuk dëmtoni njeri. Më trishtoi ky lajm i keq e dashur Claudine. Madje, për ju ndihem edhe më keq, sepse kam një kolege nga Afrika që quhet mu si ju Claudine dhe e dua shumë.
Nëse vdisni, zonjë e dashur, më dërgoni një mesazh nga bota tjetër dhe më tregoni si jetohet atje, apo si vdiset… Duke uruar që ju të mos vdisni, ju uroj shëndet të mirë dhe vazhdimin e veprave humanitare. Mos vdisni ju lutem se ju na duheni shumë…
Përqafime të ngrohta me plot pasion Claudine e dashur...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen