31.03.2024

Bir kurve

Sa herë lexoj mendime shoviniste për gratë, qoftë nga të gjallët, apo nga të vdekurit, por që i citojnë të gjallët, (disa prej tyre mendojnë për gratë si të vdekurit), për t’i poshtëruar të gjitha gratë me ndihmën e një personaliteti nga e kaluara, i bëj vetvetes këtë pyetje:



Çfarë zhgënjimi dhe trishtimi të madh ka përjetuar ky njeri me nënën e vet, me bashkëshorten e vet, me vajzat e veta apo me motrat e veta?


Si është e mundur që ky njeri poshtëron e përbuz të gjitha gratë, madje nuk përjashton së paku nënën e vet, bashkëshorten e vet, motrat dhe vajzat e veta, pra së paku gratë në rrethin e tij, që i njeh ai vetë?


Si është e mundur që së paku një grua në familjen e tij të ngushtë nuk paska lënë mbresa të mira tek ai, sa ai të mos i konsiderojë të gjitha gratë të liga, të pabesë, pa inteligjencë dhe kurva? 


Dhe, kur lexova atë citat: "Të gjitha gratë janë kurva, më fal nënë se edhe ti je grua!" thashë vet me vete: "A nuk po mendon o burri i dheut, o pellazg, se me atë citat absurd po e bën pikë së pari vetveten bir kurve, apo pikërisht ai fakt në shtëpi të nxitë për të besuar atë mendim antigrua, domethënë antinënë, antimotër e antivajzë?


Atë aforizëm mashkullor e gjeta pastaj te gazeta serbe kurir dhe ajo e citon si mendim të Njegoshit, duke shtuar se disa besojnë se e paska thënë Jesenini apo Napoleoni.


Cilido që ta ketë thënë, meqenëse nuk ka përjashtuar së paku një grua, ka qenë vetë bir kurve dhe është bazuar në gratë që ka njohur ai vetë; për të tjerat nuk ka mundur të krijojë mendim e bindje fikse. Jo aq përjashtuese dhe me aq shumë urrejtje. Në bazohemi në njohuritë tona, që kemi. 


Duke e kërkuar atë citat në rusisht, te një gazetë ruse gjeta këtë: “Ekziston një proverb italian i cili thotë: "Të gjitha gratë janë kurva, përveç nënës sime - ajo është një shenjtore”. Më tej, gazeta ruse e shpjegon citatin me kulturën fisnore në Italinë e Jugut, por nuk gjeta një citat se mund ta ketë thënë Jesenini.


Në italishte ai mendim nuk gjendet askund, por ky po: "Të gjitha gratë janë kurva, përveç nënës sime, motrës sime dhe (shpresoj) bashkëshortes sime!” Autori nuk dihet, por së paku ka disa përjashtime dhe një shpresë.


Në frëngjisht nuk e gjeta si citat të Napoelonit, por si mendim në podcast, ndoshta edhe parafrazim i shkrimtares franko-algjeriane, Sakinna Boukhedenna, e cila thotë: “Ata mendojnë: Të gjitha gratë janë kurva, përveç nënës sime!” 


Pra, kur themi “të gjitha gratë” janë të liga apo kurva, duhet të kemi kujdes sepse në rend të parë flasim për nënat tona, për motrat tona, për bashkëshortet dhe për vajzat tona. Gratë e huaja nuk i njohim dhe nuk mund të japim një mendim për ato që nuk dimë asgjë: as si duken, as si sillen, as kush janë.


Dhe, sa herë lexoj ato mendime antigrua, shoviniste, bëj vetes edhe këtë pyetje: "Si është e mundur që gruaja e paintelegjencë të lindë gjeni, trima, madje si është e mundur që gruaja kurvë të lindë burra që nuk janë kurva?!"


[1]https://stil.kurir.rs/lifestyle/zanimljivosti/29002/ovako-je-njegos-govorio-o-zenama-4-citata-najlepseg-crnogorca

[2]https://shraibman.livejournal.com/713977.html

[3]https://www.lacitta.eu/cronaca/3138-tutte-le-donne-sono-puttane-eccetto-mia-madre-mia-sorella-e-spero-mia-moglie-vocabolario-impertinente-ventiduesima-parte.html

[4]https://www.vivrefm.com/posts/2021/01/sakinna-boukhedenna-auteur-franco-algerienne-ils-pensent-toutes-les-femmes-sont-des-putes-sauf-ma-mere

Keine Kommentare: