23.04.2024

Ju flet Lucius Anneus Seneca (II)

"Mos ki frikë nga dhimbja: ose merr fund ajo ose të jep fund.”
“Kush kërkon me droje, i mëson tjetrit refuzimin.”

“Në tri kohë ndahet jeta: në të tashmen, në të kaluarën dhe në të ardhmen. Prej tyre, e tashmja është shumë e shkurtër; e ardhmja, e dyshimtë: e kaluara, e sigurt.

“Do të të tregoj një ilaç dashurie pa helme dhe barishte, pa formula magjike: nëse do të të dashurojnë, dashuro!”

“Ai që mohon ndihmën e marrë është mosmirënjohës;

mosmirënjohës është ai që e mban të fshehtë atë;

më mosmirënjohës është ai që nuk e kthen;

më mosmirënjohësi nga të gjithë, ai që e harron.”


"Zemërimi: një acid që mund të shkaktojë më shumë dëme në enën që e mban atë, sesa çdo gjë tjetër mbi të cilën derdhet.”

“Fillo të jetosh menjëherë dhe trajtoje çdo ditë si një jetë në vete.”

"Njeriu përtac është një pengesë për vetveten."

"Dhimbjet e lehta e lejojnë njeriun të flasë; dhimbjet e mëdha e bëjnë memec.”


“I madh është ai që di të jetë i varfër në pasuri.”

“”I kemi para syve tanë veset e të tjerëve, ndërkaq tanët qëndrojnë pas nesh.”

“Fati nuk ekziston: ekziston çasti në të cilin talenti takon mundësinë.”

"Nuk ka erë të favorshme për marinarin, i cili nuk di ku të shkojë.” 


“Nëse do të më jepej urtësia me kushtin ekskluziv që ta mbaj të mbyllur brenda meje dhe të mos mund ta shpreh, do ta refuzoja: pa mik, asnjë pasuri nuk është një posedim i këndshëm.”

“Po përdoret koha pa kursim, thua se nuk kushton fare.”

"E vetmja gjë që na takon neve është koha."


“Ne vdesim çdo ditë. Në fakt, ditë pas dite na hiqet një pjesë e jetës dhe edhe kur rritemi, jeta zvogëlohet. Kemi humbur fëmijërinë e hershme, pastaj adoleshencën, pastaj rininë. Deri dje krejt koha që ka kaluar është humbur; edhe këtë ditë, që po jetojmë sot, e ndajmë me vdekjen”.


“Epo, çfarë është më absurde sesa të mos duash të mësosh atë që nuk ke mësuar për një kohë të gjatë? (…)Duhet të mësosh derisa të zgjasë injoranca jote; madje, nëse i besojmë fjalës së urtë, sa të rrosh”.

“Ashtu si zhvillohet një shfaqje teatri, ashtu rrjedh jeta: nuk është me rëndësi gjatësia, por cilësia e shfaqjes.”

“Çfarë i duhen atij njeriu tetëdhjetë vjet jetë pa bërë asgjë? Ky njeri nuk jetoi, por është vonuar në jetë; as nuk vdiq vonë, por iu desh shumë kohë për të vdekur.”


Biografia e shkurtër e Senekës

Lucius Anneus Seneca (4-65 pas Krishtit), me origjinë nga Kordoba (në atë kohë kryeqyteti i Hispania Baetica, një provincë e rëndësishme romake), u rrit në Romë, ku mori një edukim retorik dhe letrar të shkallës së parë (me urdhër të babait të tij Seneka Plaku ).


I prekur tashmë si fëmijë nga problemet shëndetësore që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës së tij (astma dhe të fikët), Seneka ishte një intelektual shumë i shquar në jetën publike romake: ai ishte një orator shumë i famshëm dhe fillimisht u bë kuestor dhe më pas senator. Në vitin 41 pas Krishtit Perandori Klaudi e dënoi atë me internim (në Korsikë) ku qëndroi deri në vitin 49, vit në të cilin Agrippina arriti ta detyronte të kthehej për t'u bërë kujdestar i djalit të saj Neronit.


Seneka e shoqëron Neronin gjatë ngritjes së tij në fron dhe 5 viteve të para të sundimit të Neronit (nuk është rastësi që historianët i konsiderojnë këto vite si një fazë pozitive të principatës). Më pas, marrëdhëniet me Neronin u përkeqësuan dhe Seneka u tërhoq në jetën private. 

Neroni, pasi vrau nënën e vet, gjeti një pretekst për të dënuar me vdekje Senekën, i cili në moshën 65-vjeçare detyrohet të bëjë vetëvrasje. Seneka e përballon dënimin me vdekje me shumë dinjitet dhe vendosmëri, besnik ndaj mësimeve të stoicizmit.


Nga italishtja Lis Bukuroca

Keine Kommentare: