01.01.2025

I nderuar kërcënues dhe ofendues

Ti më shave dhe kërcënove sepse nuk di të mendoj dhe të shkruaj ashtu si di ti dhe sa di ti. Për fatin tënd të keq, unë di të mendoj vetëm ashtu si di unë dhe sa di unë: Si më pëlqen mua, jo si të pëlqen ty. Kjo, me sa duket, të paska nervozuar.

Unë i besoj Kushtetutës të epokës sime dhe lirisë së mendimit. I lexoj me kënaqësi mendimet e kundërshtimet, por ofendimet nuk më pëlqejnë. Nuk e di pse, por mua nuk më pëlqejnë. Ty sharjet dhe kërcënimet, duket se të japin një ndjesi epërsie, dhe këtë e kuptoj – prandaj edhe i bën. Unë, nuk do ta bëj kurrë. Pse?

Sepse do ta shfrytëzoj vetëm lirinë time, dijen time dhe guximin tim për të mbetur gjithmonë vetvetja – dhe kurrë siç e kërkon apo e pret ti. Sidoqoftë të përgëzoj për kreativitetin kërcënues dhe ofendues.

Po të mos ishe ti, ndoshta nuk do të kisha kuptuar kurrë sa e bukur është kjo botë... pa ty dhe ndonjë tjetër si ti. Për këtë arsye, të dhuroj një pushim special, të sigurt, në Qendrën Korrektuese të quajtur 'Bllokim'. Qëndro aty përgjithmonë, i zhytur në fjalorin, botëkuptimet dhe “edukatën” tënde.


Sjellja jote, megjithatë, më ndihmoi të kuptoj sa shumë miq me sedër dhe dinjitet kam. Ai që nuk shan dhe nuk kërcënon, ka, para së gjithash, sedër dhe e do vetveten – pastaj edhe dinjitet, sepse çmon veten. Unë ndihem pjesë e tyre, dhe ata janë pjesë e imja.

Riedukimi do të ishte një mision fisnik, e kam deri diku edhe profesion, por për fat të keq, nuk kam kohë dhe motivim. Madje as edhe një arsye. Sidomos në raste si i yti, kur mungon edukata elementare e cila zakonisht është detyrë e prindërve ose e Kopshtit të Fëmijëve. Ndaj, të uroj një qëndrim të këndshëm dhe të qetë atje ku e meriton.


Me buzëqeshje ironike dhe një fije keqardhjeje.
Unë. Lis Bukuroca.

Në fund ia kaloj fjalën Budës:
"Ju nuk do të dënoheni për zemërimin tuaj, por nga zemërimi juaj!"
"Fjalët kanë fuqinë për të krijuar dhe shkatërruar. Kur fjalët janë të sinqerta dhe të ndershme, mund ta ndryshojnë botën."

Sqarim:
Pse t'u drejtova me fjalët "i nderuar"?

Sepse unë nuk mund të bie aq poshtë ku gjendesh ti dhe nuk do të lejoj kurrë të bëhem siç je ti dhe si dëshiron ti. Kushtetuta urdhëron respektimin edhe të dinjitetit tënd — prandaj. Por duhet ta kuptosh se unë nuk do të shkel kurrë parimet e mia për të përmbushur pritshmëritë e tua.

Imazhi me designer microsoft

Keine Kommentare: